Policia ndërtimore vazhdon prishjen e ndërtimeve pa leje
AKSIONI
DURRËS - Pas disa shembjeve që janë bërë në Durrës dhe në disa mjedise si tek një shkollë në Shkozet, Policia Ndërtimore e Bashkisë së Durrësit ka vazhduar aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në qytet. Këtë herë ka prishur një kat shtesë pa leje në lagjen nr. 5.
Godina e cila kishte katin e parë të legalizuar, katin e dytë e kishte pa leje gjë që shtyu ndërtimorët për ta prishur. Në këtë aksion policia ndërtimore ka pasur mbështetjen e policisë bashkiake, megjithatë gjithçka ka kaluar e qetë dhe nuk ka pasur kundërshtime.
Në deklaratën e tij për shtyp, kreu i ndërtimorëve, Afrim Bakaj, kërkoi edhe një herë ndërgjegjësimin e qytetarëve për të mos vazhduar me ndërtimet pa leje që përbëjnë vepër penale të ndëshkueshme nga ligji: "Policia ndërtimore është në vazhdën e aksionit të saj për prishjen e ndërtimeve pa leje në qytet, por edhe në zonat informale të tij, duke mos pasur asnjë tolerim".
Më tej Bakaj iu bëri thirrje qytetarëve durrsakë që të mos merrnin nisma të kundërligjshme për ndërtime, pasi do të rrezikonin kot të ardhurat e tyre. Bakaj u shpreh se edhe ligji do të veprojë për ato ndërtime që klasifikohen si vepra penale.
Ai theksoi në konferencën për shtyp: "Dua t'iu kujtoj të gjithë qytetarëve se ndërtimet pa leje klasifikohen si vepra penale dhe ndëshkohen nga gjoba deri në 2 vjet heqje lirie dhe ligji do të zbatohet rreptësisht". Në Durrës është planifikuar që të prishen rreth 100 objekte të ndërtuara në kundërshtim me ligjin.
Shtohen masat e policisë, më shumë gjoba për celularin
Elbasan, 11 të vdekur më shumë nga aksidentet
ELBASAN - 11 të vdekur më shumë nga aksidentet janë regjistruar këtë vit në qarkun e Elbasanit. Shifra bëhet e ditur gjatë analizës së policisë, ndërkohë mësohet se ka më pak të plagosur krahasuar me një vit më parë.
Kështu, sipas të dhënave të policisë rrugore, gjatë 9 muajve të parë të vitit janë regjistruar rreth 60 aksidente nga ku kanë humbur jetën 29 vetë, 20 janë plagosur rëndë, ndërsa lehtë 38. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i viktimave nga aksidentet është rritur ndjeshëm me 11 persona, ndërsa është ulur ai i të plagosurve rëndë.
Seksioni i policisë rrugore bën të ditur se janë ndëshkuar me gjoba për shpejtësi tej normave të lejuara rreth 4400 drejtues, për parakalim të gabuar mbi 5 mijë vetë, ndërsa për "mosmbajtje krahu" mbi 1 mijë kundravajtës, ndërsa për përdorim celulari në drejtim rreth 1200 drejtues. Rrugorët i kanë hequr patentën 832 personave me kohë të ndryshme penalizimi duke shtuar ndjeshëm masat.
Mësohet se aksi më problematik përsa i përket aksidenteve ka qenë ai i Librazhdit dhe Peqinit. Ndërkohë, rrethi i Elbasanit veçohet përsa i përket viktimave të aksidenteve, shifra e të cilëve është minimale për 9 muajt e parë të këtij viti. Vetëm dy ditë më parë, në aksin rrugor nacional të Librazhdit një grua humbi jetën nga përplasja e dy automjeteve, ndërsa tre të tjerë mbetën të plagosur.
------------------------------------------------------------------------
Verifikohen shenja të jashtme në trupin e viktimës së gjetur nga fqinjët
Gjendet i vdekur 66-vjeçari, dyshohet vrasja
ELBASAN - Një burrë rreth 66 vjeç është gjetur i vdekur në banesën e tij në lagjen "Qemal Stafa" të Elbasanit. Xhemal Gjata është zbuluar nga fqinjët e tij pasi nuk ishte parë më të dilte nga shtëpia ku jetonte i vetëm.
66-vjeçari është gjetur i shtrirë, pasi fqinjët kanë hapur derën e shtëpisë dhe me gjithë transportin për në spital, për të nuk ka pasur asnjë shpresë për jetën.
Nga këqyrja e parë e kufomës janë vënë re shenja që dyshohet se janë shenja dhunë të ushtruar ndaj viktimës.
Gjithsesi një grup ekspertësh janë duke ekzaminuar shenjat dhe është duke u bërë autopsia e trupit për të përcaktuar shkaqet e vdekjes.
Fillimisht u mendua se vdekja ishte natyrale. Menjëherë pas konstatimit të mjekëve agjentët kanë marrë në pyetje fqinjët dhe janë duke hetuar për të zbardhur personat që mund të kenë qenë gjatë 24 orëve të fundit në shtëpinë e të ndjerit.
Ndërkohë, janë duke u pritur edhe analizat e ekspertizës mjekoligjore për të sqaruar shenjat e konstatuara në trup. Sipas policisë, dyshimet janë për goditje të mundshme, megjithëse nuk përjashtohet edhe pista e vdekjes natyrale dhe shkaktimit të shenjave nga një rënie e mundshme.
Kjo ka bërë që të dy pistat të mbeten pjesë e hetimit derisa të përfundojnë procedurat e autopsisë dhe pyetjes së dëshmitarëve. Mësohet se Gjata jetonte i vetëm në shtëpi dhe fqinjët e tij kanë deklaruar se nuk kanë parë ndonjë gjë të dyshimtë.