Rama: Kërkesa e Berishës, provokim i ulët
Kryetari i PS-së, Edi Rama e ka cilësuar deklaratën e kryeministrit si të papranueshme. Rama fton qytetarët sot në protestë.
TIRANË - Provokim të ulët që i bëhet opozitës. Kështu e ka konsideruar kreu socialist, Edi Rama, deklaratën e kryeministrit Sali Berisha, i cili ftonte opozitën që të hiqte dorë nga protesta dhe bojkoti dhe t'i drejtohej Prokurorisë për të zbardhur të vërtetën që lidhet me zgjedhjet e 28 qershorit.
Në një komunikim mediatik, që erdhi si reagim ndaj deklaratave të djeshme të shefit të ekzekutivit, kryesocialisti Edi Rama, ka rikonfirmuar vendosmërinë e opozitës për t'i shkuar deri në fund qëllimit të saj për të hapur kutitë e votimit dhe për të nxjerrë prej aty të vërtetën e procesit zgjedhor, që lamë pas.
Deklarata
Në mungesë të një komunikimi institucional liderët e dy spektrave politikë, Rama dhe Berisha, kanë vijuar dje në dy deklarata të njëpasnjëshme komunikimin e tyre në distancë.
Kështu, Rama duke marrë shkas pikërisht nga qëndrimi i kryeministrit Berisha lidhur me pozicionimin e PS-së kundrejt institucioneve të dala nga zgjedhjet e 28 qershorit dhe protestës së saj, ka theksuar dje në mbrëmje se opozita është në të drejtën e saj kur kërkon të shohë se çfarë mbajnë brenda kutitë e votimit.
"Një provokim i ulët dhe i papranueshëm, gjë që e shton edhe më shumë masën e arsyes pse nesër në orën 17:00, qytetarët duhet të bashkohen në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", për të protestuar kundër këtij Kryeministri dhe kundër pushtetit të tij të vjedhur", - tha Rama ndërsa ka vlerësuar, se mazhoranca nuk mund të kufizojë kurrsesi objektin e hetimit parlamentar.
Sipas Ramës, është e drejtë kushtetuese që ka Kuvendi për të hetuar çdo çështje të veçantë, ndaj ka theksuar ai, PS-ja kërkon jo vetëm shumicën e komisionit hetimor, por edhe të hetojë kutitë e votimit të përdorura në zgjedhjet e shkuara parlamentare.
"Sali Berisha thotë se është gati të na japë shumicën, por jo të drejtën për të vendosur për objektin e hetimit. Ndërkohë që, objekti i hetimit të komisionit parlamentar nuk mund të kufizohet për asnjë çështje dhe në rastin konkret nuk mund të përcaktohet nga vullneti i Sali Berishës dhe i shumicës së tij në Parlament, që buron jo nga vullneti i shumicës, por nga votat e tyre të grabitura", - tha më tej Rama, duke bërë të qartë edhe një herë se hetimi parlamentar nuk do të thotë rigjykim të çështjeve të mbyllura nga gjykata, por vetëm evidentimi i shkeljeve dhe nxjerrja e mësimeve që gjëra të tilla të mos ndodhin më në zgjedhjet e ardhshme.
Por për socialistët Berisha nguron që të bëjë transparencën e këtij procesi zgjedhor, pasi sipas tyre ai kërkon të fshehë manipulimet e ndodhura.
"Sali Berisha i trembet hapjes së kutive si djalli temjanit, sepse e di mirë që në ato kuti fshihet krimi i tij elektoral, fshihet humbja e tij më 28 qershor, fshihen manipulimet e tij me kartat, pasaportat, listat dhe me vetë votat e shqiptarëve", - theksoi kreu socialist Edi Rama.
Bojkoti
Në këto kushte socialistët duket se kanë shtuar besimin në vetvete, për të mos bërë asnjë hap pas në qëndrimin e tyre për të bojkotuar institucionet që prodhoi rezultati i zgjedhjeve të qershorit. Rama ka siguruar edhe një herë dje se pavarësisht kërkesave të mazhorancës për t'u rikthyer në institucione, opozita nuk do të bëhet pjesë e një procesi politik, ku është dhunuar e drejta e votës.
"Nuk ka opozitë socialiste në Parlament për të mbuluar zullumet e Sali Berishës me votat e me të gjitha liritë, të drejtat e pasuritë e shqiptarëve, por do të ketë një opozitë të majtë e të djathtë, politike e qytetare, duke filluar nga nesër në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" e më tutje në çdo rrugë të Shqipërisë për të kërkuar liri e të drejta që çdo shqiptar meriton t'i gëzojë në vendin e tij, siç i gëzon çdo evropian në Evropë." - theksoi Rama.
Kështu, pavarësisht se mazhoranca dhe titullarët e saj janë përpjekur këto ditë të bëjnë përgjegjëse opozitën se me qëndrimin e saj bojkotues po pengon procesin e liberalizimit të vizave, kreu socialist është shprehur qartë, duke theksuar se pikërisht hetimi i zgjedhjeve do të shpëtojë demokracinë dhe do të sjellë vendin më pranë Evropës.
Kuvendi i kthen përgjigje KQZ-së ku thuhet se LSI-ja është partia e dytë e djathtë nga mazhoranca
Zgjedhjet, LSI merr edhe përfaqësimin në komisione
TIRANË - Lëvizja Socialiste për Integrim pasi ka marrë një pjesë të mirë të pushtetit në ekzekutiv, ka mundur së fundmi që të sigurojë edhe pjesëmarrjen e saj në komisionet zgjedhore të niveleve të dyta dhe të treta. Kjo me të drejtën që i takon tashmë si forcë e dytë e spektrit të djathtë, apo e thënë ndryshe e mazhorancës së djathtë në Kuvend.
Është pikërisht, Kuvendi i Shqipërisë, ai që i ka konfirmuar dje zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se LSI-ja është forca e dytë më e madhe e shumicës qeverisëse. Bëhet fjalë për një letër që sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Marlind Myftiu, i ka dërguar KQZ-së në përgjigje të një kërkese që kjo e fundit i nisi dy ditë më parë institucionit legjislativ, për të pasur një përcaktim institucional, lidhur me forcën e dytë të shumicës parlamentare që i lind e drejta për të pasur anëtarë në komisionet zgjedhore të niveleve të dyta dhe të treta, KZAZ-të dhe KQV-të, të cilat do të ngrihen për zgjedhjet e pjesshme lokale të 15 nëntorit.
Në letrën e Kuvendit sqarohet se në bazë të përbërjes së tanishme të Kuvendit, dhe pozicionimit të partive që bëjnë pjesë në të, LSI-ja është forca e dytë më e madhe parlamentare e djathtë me katër deputetë. Në këtë mënyrë, LSI-ja do të zërë vendin e PR-së në këto komisione zgjedhore.
Me këtë qartësim, bëhet e qartë tashmë dhe përbërja që do të kenë këto komisione, ku duke iu referuar dhe projektvendimit të KQZ-së dy anëtarë do t'i ketë PD-ja, dy PS-ja, një LSI-ja dhe një PBDNJ-ja. Ndërsa anëtari i shtatë do të përcaktohet me short nga KQZ-ja. Për të kryer këtë procedurë kjo e fundit ka thirrur ditën e hënë dhe mbledhjen e radhës për të vijuar me hedhjen e shortit.
Pavarësisht, dëshirës së KQZ-së për të respektuar procedurat duket se mbledhjen e së hënës do ta bojkotojnë sërish përfaqësuesit e PS-së, të cilët ashtu si edhe në mbledhjen e shkuar pritet të mos marrin pjesë në procesin e hedhjes së shortit.
Ndërkohë PS-ja ka paralajmëruar edhe bojkotin e këtyre zgjedhjeve, në shenjë proteste për moslejimin e procesit zgjedhor të 28 qershorit. Zgjedhjet do të zhvillohen të dielën e 15 nëntorit në pesë njësi vendore, dy bashki, dy komuna dhe një minibashki.
Qytetarët pritet të protestojnë sot për votën dhe të firmosin nismën më të re të PS-së
Zgjedhjet, sot protesta. Gati drafti për hapjen e kutive
TIRANË - Partia Socialiste, e mbështetur dhe nga një numër i konsiderueshëm forcash të tjera politike si dhe grupesh të ndryshme interesi, do të protestojë sot në mbrëmje përballë selisë së Kryeministrisë, për dhunimin që sipas saj, iu bë votës së shqiptarëve më 28 qershor.
Gjatë kësaj proteste, qytetarët pritet të firmosin një projektligj që në thelb do të synojë hapjen e kutive të votimit. Për këtë qëllim, dje një përfaqësi e deputetëve socialistë, të zgjedhur në qarkun e Tiranës, i kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin në shesh dhe të mbështesin nismën e PS-së që në thelb ka padyshim garantimin e hetimit të zgjedhjeve parlamentare që lamë pas.
"PS-ja fton të gjithë qytetarët në protestë të shtunën në orën 5 pasdite përpara Kryeministrisë, për të detyruar Sali Berishën t'i bindet Kushtetutës, Ligjit dhe vullnetit suprem të popullit, të shprehur me votë më 28 Qershor dhe të hapë kutitë që i mban fshehur.
Ftojmë në protestë të shtunën në orën 5 pasdite përpara Kryeministrisë të gjithë ata burra e gra, të rinj e të moshuar që më 28 Qershor votuan për të ardhmen e tyre, por që sot gjenden të manipuluar e të gënjyer nga një Qeveri e nga një Kryeministër që demokracinë dhe shtetin ligjor e mban peng brenda kutive të votimit", - u shpreh deputeti i sapozgjedhur i PS-së Saimir Tahiri në emër të kësaj përfaqësie. Sipas tij, protesta e sotme është shprehje e ndjenjës së mospajtimit të të gjithë atyre shqiptarëve që e mendojnë Shqipërinë si vendin e të gjithëve dhe jo vetëm të një pjese pushtetarësh.
"Ftojmë në protestë të gjithë qytetarët që si ne, demokracinë e shtetin ligjor e ndjejnë si investimin themelor të një shoqërie të shëndoshë e jo perden pas të cilës fshihet manipulimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme nga një qeveri e korruptuar", - tha më tej Tahiri.
Protesta e sotme pritet të nisë nga sheshi përballë selisë rozë, dhe për të vijuar më pas në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" përballë Kryeministrisë.
Për zhvillimin e saj, drejtuesit e PS-së, kanë marrë të gjitha masat, duke siguruar lejen e nevojshme nga organet e policisë, ndërsa është menduar në detaje edhe për pozicionimin e pjesëmarrësve në shesh.
Në të pritet të marrin pjesë dhe një numër i konsiderueshëm qytetarësh, që do të vijnë nga rrethet. Gjatë protestës para Kryeministrisë, është parashikuar që të flasin drejtuesit e pesë partive të majta, si dhe drejtuesit e sindikatave që e mbështesin këtë protestë.
Ndërkohë, nuk dihet nëse në këtë manifestim për votën e lirë, do të marrin pjesë përfaqësuesit e "Lëvizjes për Mendim Ndryshe", pasi megjithëse ata publikisht kanë shprehur mbështetjen për të, nuk kanë marrë një vendim për të qenë të pranishëm edhe fizikisht.
Burime pranë këtij grupimi kanë bërë të ditur se nuk ka një vendim konkret dhe se pjesëmarrja në të është lënë në dorë të ndërgjegjes së gjithsecilit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për forcat e djathta, që kanë mbështetur politikisht protestën e opozitës.