E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Për njeriun e lirë, interesi më madhor mbetet interesi kombëtar i arsimimit”

16-09-2012 / Gazeta 55

Inaugurohet dega më e madhe vendore e një universiteti privat në Shqipëri, dega e Beratit e “Albanian University”

Në qytetin 2400 vjeçar të Beratit është inauguruar korpusi i Beratit i “Albanian University” dhe është organizuar njëkohësisht ceremonia e diplomimit të 1000 studentëve. Kryeministri Sali Berisha i pranishëm në këtë ceremoni së bashku me presidentin e Universitetit të Beratit, Astrit Veliaj kanë prerë shiritin e inaugurimit. I pranishëm në këtë ceremoni ishte ministri i arsimit dhe shkencës Myqerem Tafaj dhe gjithashtu krerë të bashkive kryesore të vendit si kryetari i bashkisë së Beratit, Durrësit etj.
Presidenti i Universitetit të Beratit, Astrit Veliaj, në fjalën e tij tha se ne erdhëm për të hapur një universitet për t’i dhënë mundësinë të rinjve të kësaj krahinë të studionin me tarifa shtetërore. “Ne ja nisëm nga zero dhe ja dolëm, Universiteti u hap, deklaroi Veliaj. Nderim për vlerat tuaja dhe falënderim për mbështetjen e treguar, parashikojmë brenda 2020 të investojmë 35 milionë euro, për një kampus universitar, kolegje e shkolla të mesme, me godina perëndimore që do të ndryshojnë qytetin tonë. 1000 familje do të kenë nga një pjesëtar të arsimuar. Veliaj falënderoi kryeministrin Berisha për mbështetjen e dhënë në arsimimin privat. Ta gëzojë Berati Universitetit për të qenë të parët para kësaj bote”, përfundoi Veliaj.
Në fjalën e tij kreu i qeverisë theksoi se ky universitet përbën një nga ngjarjet më të mëdha në shumë shekuj në këtë qytet dhe ngjarje madhore në historinë e përpjekjes së shqiptarëve në Shqipërinë e dijes dhe zhvillim të madh për kombin shqiptar.
Ai tha se universiteti ishte tempulli që i mungonte qytetit dhe përshëndeti presidentin e këtij universiteti Astrit Velija për këtë dhuratë të madhe që i beri kombit dhe mbarë njerëzimit, si qytet i kulturës dhe të ardhmes së tyre të ndritur.
“Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme, por ajo do jetë zonjë mes kombeve vetëm si Shqipëri e mendjes, dijes dhe ideve. Shqipëria e dijes ndërtohet duke bërë të vërteta ëndrrat e të rinjve për të hyrë në banesën e dijes, deklaroi kryeministri i cili shtoi se vite më parë numri i studentëve ishte shumë i vogël sesa i atyre që sot studiojnë në universitet private. Vite më parë 52 mijë studentë, kishim ¼ e studentëve për banor dhe në hark të shkurtër kemi 164 mijë studentë”, vijoi kryeministri i cili tha se qeveria e tij do bëj gjithçka që ky numër të jetë pakufizuar, pasi sipas tij askush s’duhet të trembet nga dija dhe arsimi.
Duke e lidhur përurimin e këtij universiteti me 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë kryeministri Berisha u bëri thirrje studentëve që para së gjithash të vënë interesin kombëtar dhe të jenë të bashkuar për të.
“Ky vit është viti i 100 vjetorit të pavarësisë dhe na mbush me krenari të madhe që ne të festojmë të sot 100 vjetorin. Ne jemi sot 100 vjeçarë sepse shqiptarët derdhën gjak e sakrifica për shtetin shqiptar të pavarur, për Kosovën e lirë dhe të ardhmen evropiane”, u shpreh Berisha i cili ftoi studentët:
“Ju ftoj të mos harroni kurrë se për njeriun e lirë, interesi më madhor është interesi kombëtar, të mbroni interesin kombëtar, të jemi më të bashkuar se kurrë rreth këtij interesi”.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë personalitet ë larta në vend, pedagogë dhe studentë të cilët falënderuan kryeministrin Berisha për rëndësinë dhe mbështetjen që i ka dhënë arsimin privat si një nxitës dhe përkrahës i vlerave madhore.
Në universitetin e Beratit janë 200 pedagogë staf akademik që japin mësim çdo semestër. Studentët në këtë universitet janë nga 20 qytete të ndryshme të Shqipërisë si Berati, Durrësi, Kavaja e shumë qytete të tjera.
Universiteti i Beratit është një institucion privat, i pavarur dhe laik i Arsimit të Lartë, i cili operon me tarifa shtetërore. Licencuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, Nr. 697 të datës 18.06.2009, ai hapi dyert në vitin akademik 2009- 2010, duke ofruar programe studimi në dy Fakultete: Fakultetin e Shkencave Shoqërore me Programet Mësimore në Shkenca Juridike, Shkenca Politiko-Administrative dhe Psikologji e Përgjithshme si edhe Fakultetin e Ekonomisë me Programet Mësimore në Financë-Bankë dhe Administrim-Biznes. Gjatë vitit të parë akademik, ndoqën studimet rreth 1000 studentë.
Një vit më vonë ky institucion ofroi diploma të reja universitare në programet e studimit: Mësuesi për Arsim Parashkollor, Mësuesi për Arsim Fillor, Gjuhë Angleze, Infermieri, Inxhinieri Kompjuterike dhe Teknologji Informacioni, duke e finalizuar kështu vitin akademik 2010-2011 me hapjen e dy fakulteteve të reja: Fakulteti i Shkencave Mjekësore dhe Fakulteti i Arkitekturës dhe Inxhinierive.
Viti akademik 2010- 2011 e gjen Universitetin e Beratit me rreth 2600 studentë në ciklin e parë të studimit. Që në vitin e parë të krijimit të tij dhe në vazhdim, ky institucion vuri në qendër të jetës akademike promovimin e produktit intelektual dhe shkrirjen e mësimit me kërkimin shkencor. Nëpërmjet prezantimeve, hulumtimeve dhe shkëmbimit , Universiteti orienton dhe nxit identifikimin dhe zhvillimin e projekteve të cilat do të konsolidojnë edhe njëherë qëllimin e tij parësor, atë të zhvillimit shkencor dhe kërkimor drejt cilësisë më të mirë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›