Fokus/ Rama flet për ekonominë te TKOB-i
“Sipas vendit bëhet kuvendi”, thotë një shprehje e urtë popullore. Partia Socialiste organizoi në Teatrin e Operas dhe Baletit, një shfaqe publike për ekonominë dhe biznesin në vend. Aktorët e improvizuar në role “specialistësh” apo “ekspertësh” ekonomie ishin deputetët e partisë Socialiste Mimi Kodheli, Erjon Braçe, Ilir Beqja dhe sidomos ish guvernatori i Bankës së Shqipërisë Shkëlqim Cani.
Ndërsa e spektatorë jo pagues ishin militantët dhe aktivistët e opozitës në kryeqytet që duartrokisnin me patos monologët e përfaqësuesve të PS, të cilët duhet thënë se kishin një përmbajtje të koordinuar mes tyre: deputeti Erion Braçe foli për mungesën e transparencës në proceset e privatizimit, ndërsa deputetja Mimi Kodheli theksoi se PS ka gati një program për të ulur borxhin, nga ana tjetër eksperti i ekonomisë Shkëlqim Cani deklaroi se situata ekonomike po vështirësohet, ndërsa paralajmëroi se me ardhjen në pushtet të socialistëve çdo shkelje ligjore apo korrupsion do të shkojë para drejtësisë.
Kuptohet vetiu parimi themelor që vlen për të gjithë është çdo gjë në kohën, në vendin dhe në masën e vet. Forumi i PS është jashtë kohe, në vendin e gabuar dhe ka masë të madhe çka i qëndron keq duke e paraqitur si qesharake në sytë e qytetarëve teleshikues. Ndërsa duhet thënë si çdo skenë teatrale, edhe forumi “Rilindje ekonomike” kishte mekanizmin e “deus ex machina”, ku në një situatë në dukje e pazgjidhshme shfaqet heroi që e zgjidh problemin. Ky “deus” ishte dalja për sytë e socialistëve spektatorë dora vetë e heroit-kryetar Edi Rama, i cili frikësoi të pranishmit se vendi është në krizë si Greqia, por ripërsëriti vendosmërinë e PS, për të vendosur taksën progresive në kohën kur vendi do të qeveriset nga Partia Socialiste.
Nëse i bëhet një vështrim i detajuar argumenteve të ditëve të fundit do të shihet se nga njëra anë PS-ja flet për taksë zero biznesit të vogël dhe taksë progresive biznesit të madh, çka përkthehet në rritje taksash, që sipas tij është një taksë e ndershme. Ndonëse taksat përgjithësisht ndahen në taksa të dobishme dhe taksa të padobishme me efekte negative në rritjen ekonomike, kreu i opozitës në flet për taksë të ndershme.
Sipas Ramës, bizneset e mëma dhe të mëdha do të duhet të paguajnë më tepër taksa. Sipas tij, taksa e sheshtë është e pandershme, ndonëse është në dobi të biznesit të vogël dhe të mesëm.
Ndërsa u ndal tek oferta për privatizimin e Alpetrolit, kryesocialisti deklaroi se oferta është quajtur bombastike kur nuk dihet saktë se çfarë përmban oferta. Sipas tij, vlera reale e Albpetrolit qëndron te e drejta e qeverisë, por shtoi se ajo po e kthen të gjithë sektorin e naftës jo vetëm privat por të qeverisur nga privati, duke e dorëzuar edhe fjalën e vet mbi sigurinë energjetike të vendit. Sigurisht, nëse privatizimi i kompanisë shtetërore “Alpetrol” do të bëhet në dy ofertat e para të ofruara (E para 850 milion euro dhe 790 milion euro) në tender do të ishte një katastrofë për politikën e opozitës për demonizimin e ekonomisë sepse injektikimi i miliona eurove në investime të reja në vend do të ishte “goditja fatale” për politikën zhvlerësuese të opozitës.
Megjithatë ajo që bie në sy këto ditë është fakti që Edi Rama flet për taksat dhe sipërmarrjen private sikur nuk ka qeverisur kurrë me politika fiskale. Megjithëse të gjithë e kanë në mëndje se çfarë sistemi taksash ka aplikuar Rama si kryetar bashkie i kryeqytetit për 11 vjet. Si administrator ka aplikuar taksa që u kanë zënë frymën sipërmarrjes, nga bizneset e vogla e deri te qytetarët e thjeshtë me taksa të dhjetëfishuara apo dhe më shumë, në pak vite. Rama flet për taksa e për varfëri.
Ndërsa partinë e ka plot miliarderë, shefi i opozitës shprehet për varfërinë si problem. Por për “zhdukjen” e varfërisë në programin e PS gjenden ca formula retorike të datuara në një kohë para-demokratike.
Alternativa e opozitës me fjalë të bukura të pashoqëruara me fatura financiare e reforma sociale është një dobësi që shfaqet sa herë Edi Rama sulmon qeverinë në fushën e socio-ekonomike. Rritja e pagave dhe pensioneve, angazhimi në përmbylljen e infrastrukturës rrugore të vendit, mbajtja e borxhit publik nën 60 për qind, rritja ekonomike në një kohë krize ku vendet fqinje kanë hyrë në recension tregon për aftësinë e kryeministrit Berisha për të menaxhuar një situatë ekonomike në dukje e pafavorshme, ndërsa në brendësi një mundësi për të investuar strategjikisht në sektorin e energjisë së rinovueshme dhe zgjeruar lirinë ekonomike me një sistem fiskal adekuat për sipërmarrjes e lirë.
Shefi i opozitës ka shpresuar shumë që kjo krizë financiare të dëmtonte ekonominë shqiptare për të ardhur në pushtet pas një pakënaqësie të përgjithshme. Por llogaritë e ka bërë pa hanxhinë domethënë pa lexuar indikatorët makroekonomikë të ekonomisë në zhvillim të Shqipërisë, e cila ka pasur rritje me katër herë sesa vendet e rajonit.