Nevojshmëria e tolerancës fetare
Kemi humbur katër shtetas këtë javë në Libi. Katër amerikanë që përfaqësonin më të mirën e vendit tonë - kështu është shprehur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama për tragjedinë që ndodhi në Libi ku humbën jetën ambasadori Kris Stevens dhe tre kolegë të tij. Me një zë të vendosur presidenti ka deklaruar se përgjegjësit që shkaktuan tragjedinë do të paguajnë për këtë. “Duhet t’i dërgojmë një mesazh të qartë botës, kush na sulmon nuk mund t’i shpëtojë drejtësisë”. Mesazhi është i qartë duke parë se protestat kundra perëndimit janë shtuar në shumë vende sidomos në ato të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut. Në të njëjtën kohë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Obama ka qartësuar se Amerika “ka një respekt të thellë për popujt e të gjitha besimeve. Jemi për lirinë fetare por kundra denigrimit të besimeve, përfshi edhe Islamin. Por nuk ka justifikime për dhunën. Nuk ka falje për sulmet e konsullatave dhe ambasadave. Derisa të jem kreu i komandantëve, Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë kurrë tentativat për të goditur shtetasit amerikanë”. Ndërkaq ndërsa presidenti ka pritur trupat e të rënëve në bazën ushtarake të Andrevs ka bërë të ditur se janë forcuar ndërkaq masat e sigurisë për shtetasit amerikanë që ndodhen jashtë duke bërë të ditur në të njëjtën kohë se kërkon mbështetjen e plotë ndërkombëtare. Sidoqoftë ka kërkuar qetësi sepse sipas tij – “Për çdo turmë të egërsuar, ka miliona (njerëz) që duan lirinë, dinjitetin dhe shpresën që përfaqëson flamuri ynë. Kjo është kauza e Amerikës dhe trashëgimia që kanë lënë katër amerikanët që kemi humbur”. Amerika kërkon që të vihet në vend drejtësia. Nisur nga kjo edhe Departamenti i Drejtësisë ka hapur një fashikull mbi videon anti-Islam që ka qenë edhe shkëndija e dhunës të këtyre ditëve. Ndoshta autori, një ekstremist kopt Nakoula Basseley mund të ketë shkelur ligjin dhe pikërisht për këtë fakt tashmë ndodhet me liri të kufizuar dhe i është ndaluar përdorimi i internetit. Sidoqoftë problemet nuk janë vetëm këto. Po flitet për një krizë të politikës së jashtme dhe parë në këtë këndvështrim duhen rishikuar edhe raportet me shtetet e pranverës arabe sepse aktualisht janë të pasigurta dhe jashtë kontrolli. Ndërkaq lajmet pasojnë njëri –tjetrin. Tre të vdekur në Tunizi pas protestës kundra filmit dhe 28 të plagosur përpara ambasadës amerikane. Në Sudan i njëjti skenar me tre të vdekur dhe dhjetëra persona të plagosur gjithmonë përballë ambasadës amerikane në Kartum. Mijëra persona kanë rrethuar ambasadën madje kanë dashur të hyjnë brenda por janë ndaluar nga forcat e sigurisë që kanë hapur zjarr. Rreth 5 mijë persona janë mbledhur përballë ambasadës gjermane dhe të Britanisë së Madhe. Ministri i Jashtëm gjerman, Giudo Westerwelle ka deklaruar ndërkaq se “kjo nuk e justifikon sulmin”. Edhe në Europë janë marrë masa për këtë situatë. Në vendin fqinj të Italisë janë dhënë udhëzime të posaçme për kuestorët. Kërkohet vigjilencë sidomos në objektivat sensibël që në këtë rast janë ambasadat amerikane dhe ato izraelite. Mobilizimi dhe angazhimi i ushtrisë në vendet perëndimore ka filluar ndërkaq. Pentagoni ka nisur në Jemen 50 marinsa për të mbrojtur ambasadën amerikane dhe personelin diplomatik. Ndërkaq Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se nuk është përgjegjëse për videon kundra Islamit. Vetë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Karnei ka deklaruar se: “Ne nuk e pranojmë përmbajtjen. Kemi një histori tolerance fetare, por nuk ka justifikim për dhunën”. Por ndërkaq në një vend si Irani, disa ditë më parë ishin njoftuar njerëzit që të protestonin. Rreth 500 studentë të kontrolluar nga forcat e sigurisë kanë manifestuar kundra filmit në ambasadën e Zvicrës në Teheran. Udhëheqësi Suprem iranian Ali Kamenei kishte përcaktuar si fajtorë Izraelin dhe qeverinë amerikane për prodhimin e filmit kundra fesë Islame.