Berisha: Përballuam me sukses dimër të paparë, Rama paralajmëroi katastrofa
Kryeministri Berisha njoftoi sot gjatë mbledhjes së Komitetit të Emergjencave, heqjen e gjendjes së emergjencës në zonat e bllokuara nga dëbora në veri dhe verilindje të vendit.
Duke folur për dimrin e paparë 27-ditor, siç e quajti ai, kreu i qeverisë u shpreh solidariteti i banorëve me njëri-tjetrin dhe puna e mirë e njësive të Forcave të Armatosura e Policisë së Shtetit bënë që pasojat e bllokimit të kapërcehen me sukses të plotë dhe pa shënuar humbje të jetëve njerëzore.
Dimri i paparë bllokoi mbi 5 km rrugë kombëtare, rurale, komunale. Gjendja e emergjencës u shpall për të bërë çdo gjë, për të ndihmuar dhe shpëtuar çdo njeri në nevojë. Emergjergjenca u shpall për të garantuar kalueshmërinë e rrugëve kombëtare fillimisht, e më pas atyre rurale. Kjo periudhë 27-ditore ishte periudha e solidaritetit më të madh të këtyre banorëve me njëri-tjetrin. Dua tu shpreh mirënjohje atyre mijëra banorëve që me këtë solidaritet bënë që pasojat e këtij bllokimi të shpejtë dhe të menjëhershëm të kapërcehen me sukses të plotë.
Berisha vlerësoi si të shkëlqyer punën e njësive të FA dhe Policisë së Shtetit. Asnjë qytetar i vetëm që kërkoi ndihmë nuk mbeti pa e marrë atë. Ne dolëm nga kjo situatë pa dëme serioze materiale, pa dëme në gjënë e gjallë dhe kjo është dëshmi e shkallës së përgatitjeve të mira që kanë bërë familjet e këtyre zonave për dimrin që kaq të rëndë nuk e prisnin. Qeveria mobilizoi të gjitha mjetet me bazën që krijoi ushtria në Kukës, tha ai.
Në fund, Berisha u ndal te deklaratat e mëparshme të kreut të opozitës, të cilat sipas tij shqiptarët nuk duhet ti besojnë. U paralajmëruan katastrofa të trefishta: borë, energji, përmbytje. Fatmirësisht shqiptarët e kaluan këtë dimër pa asnjë katastrofë. Uroj që shoku ciu-ciu të nxjerrë mësime. Sikur borën ta kishte sjellë qeveria, digat ti kishte shteruar qeveria, nuk janë shqiptarët ata që mund ti besojnë këto gjëra, ndaj dhe i uroj sot që të lexojë zhvillimet e tij dhe të nxjerrë mësime e të mos merret me parashikime që të rikujtojnë parashikimet e barinjve nëpër shpatullat e bagëtive për luftërat dhe motet. / G.N.