E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria me Spanjën, me 30 maj? Nuk ishte 1 prilli!

Kombëtarja e Spanjë pas fitimit të Kupë së Botës

Miqësorja e 29 shkurtit Gjeorgji-Shqipëri ka prodhur lajme të larmishme, por ajo që i anashkaloi të gjitha ishte përballja me kampionët e botës dhe Europës

Më 29 shkurt, vëmendja e spordashësve shqiptarë ishte e gjitha e fokusuar në Tbilisi, pasi në miqësoren me Gjeorgjinë debutonte trajneri i ri i kombëtares, Xhani de Biazi, si dhe disa lojtarë të rinj. Duke dituar se përqendrimi ishte i madh në këtë takim, pa dashje, apo me qëllim u hodh në qarkullim një lajm i bukur, sipas të cilit, më 30 maj, Shqipëria do të luante një miqësore me kampionët e botës dhe Europës, Spanjën e trajnerit Del Boske.

Duke ditur se jemi vend i vogël në çdo aspekt, padyshim një miqësore me Spanjën do të anashkalonte çdo gjë tjetër që prodhoi ndeshja e Tbilisit. Por me sa duket ky lajm i besuar dhe i përpirë menjëherë nga mediat tona, mund të dalë bosh, dhe mbase u hodh në treg me qëllimin për të larguar vëmendjen nga transformimi që pësoi kombëtarja e De Biazit në pjesën e dytë.

Themi se mund të jetë lajm i rremë për faktin se  po të vizitosh këtë adresë në internet http://en.wikipedia.org/wiki/Spain_national_football_team shihet qartë se më 30 maj Spanja vërtet do të zhvillojë një miqësore, por kundërshtari i iberikëve nuk është Shqipëria, por një skuadër mes Irakut dhe Maqedonisë. Sipas kësaj adrese, del qartë se më 26 maj Spanja do të luajë ndaj Serbisë në St.Gallen të Zvicrës.

Më 30 maj, iberikët do të jenë në Vienë ndaj Irakut ose Maqedonisë dhe më 3 qershor në Sevilje do të jenë përballë Kinës. Për shumë arsye, lajmi për një miqësore më 30 maj me Spanjën duhej besuar, kjo për faktin se mes dy federatave ka marrëdhënie të mira. Në asamblenë zgjedhore të marsit 2009 i pranishëm ishte edhe presidenti i federatës spanjolle, Agel Maria Vilar, i cili premtoi për një ndeshje miqësore mes Shqipërisë dhe Spanjës.

Një tjetër fakt që të bënte ta besoje këtë lajm është edhe ish-sekretari i federatës sonë , Eduard Dervishi, që punon në federatën spanjolle. Pas kthimit nga Gjeorgjia, presidenti i FSHF-së, Armando Duka, në një farë mënyrë, nuk e pranoi plotësisht se më 30 maj do të luajmë ndaj Spanjës, por pohoi se po punohet për organizim e një ndeshje të tillë.

Por mbase përcaktimi i datës mund të jetë përdoruar për të fshehur gjërat e tjera që prodhoi Tbilisi, siç ishin reagimi i menjëhershëm ndaj vendimeve të marra nga Komisioni i Apelit apo humbja enigmatike me Gjeorgjinë, e cila iu faturua gjyqtarit. Më 30 maj, Shqipëria miqësore me Spanjën?Është më mirë të thuhet se nuk ishte 1 prilli. Mund të ketë qenë përllogaritje me marzh gabimi 1-mujor, pasi duke ditur se lajmi do të botohej një ditë pas miqësore, pas 29 shkurtit vjen 1 marsi e jo 1 prilli.   /Sporti Shqiptar/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›