Sot një vit nga themelimi i Aleancës Kuq e Zi
Edhe ata e nisën nga Vlora. Më 9 mars të vitit 2011, dhjetëra intelektualë u deklaruan kundër regjistrimit etnik. Kreshnik Spahiu nënshkroi i pari peticionin kundër regjistrimit etnik. Tanimë një vit më pas Aleanca Kuq e Zi është kthyer në një lëvizje politike.
Reagimi që ngjalli në shoqërinë shqiptare Aleanca Kuq e Zi ishte i shpejtë. Një fakt i tillë shqetësoi ndjeshëm qeverinë e Berishës. Në disa raste ai sulmoi ashpër lëvizjen, me etiketime fyese. Jo pak herë Berisha bëri përpjekje për ta lidhur këtë Aleancë me presidentin Bamir Topi. Por lëvizjet e fundit kanë treguar se këto dy lëvizje politike nuk janë të njëjta.
Me aksionet e saj, Aleanca ka arritur të fitojë jo vetëm simpatinë e shqiptarëve, por edhe të ndërkombëtarëve. Në disa raste ambasadori amerikan ka shprehur qëndrimet e tij përkrah Aleancës. Edhe ambasadori holandez deklaroi se pranë Aleancës po afrohen të rinj urbanë dhe të mirëshkolluar. Drejtuesi i kësaj lëvizje u ftua në Uashington dhe vetë zyrtarët e DASH e mirëpritën krijimin e Aleancës Kuq e Zi.
Qeveria ngriti një komision me qëllim shkarkimin e Kreshnik Spahiut nga nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në një ndërhyrje të qartë në pavarësinë e gjyqësorit. Vetë Spahiu dha dorëheqjen, e cila iu pranua nga KLD, pavarësisht se qeveria këmbënguli në dëshirën e saj për ta shkarkuar vetë Spahiun. Ky i fundit deklaroi se e kishte zgjedhur rrugën e tij. Mitingjet e fundit të kësaj partie kanë treguar se ata mund të kenë sukses.