Dëbora, qeveria heq gjendjen e jashtëzakonshme

Qeveria heq gjendjen e jashtëzakonshme në zonat e izoluara nga bora. Duke folur në mbledhjen e komitetit për emergjencat, kryeministri Berisha theksoi se gjendja e emergjencës është e panevojshme ndërsa ka falenderuar të gjithë punonjësit e administratës dhe qytetarët për solidaritetin e rrallë të treguar për t`u ardhur në ndihmë banorëve të zonave të izoluara.
Berisha gjithashtu ka bërë një panoramë të situatës aktuale në këto zona, duke njoftuar përmirësimin e situatës. “Ne dolëm nga situata kur asnjë qytetarë i vetëm që kërkoi ndihmë nuk mbeti pa e marrë atë. Dolëm nga kjo situatë pa dëme serioze materiale, pa dëme të ndejshme në gjënë e gjallë të këtyre zonave, dëshmi kjo e shkallës së përgatitjeve të mira që kanë bërë familjet e këtyre zonave për dimrin, që nuk e prisnin në asnjë rrethanë kaq të rëndë” theksoi Berisha ndërsa shtoi se qeveria mobilizoi të gjitha fondet dhe mjetet për shpërndarjen e ndihmave.
Kreu i qeverisë ka shigjetur edhe kreun e PS-së Edi Rama i cili paralajmëroi katastrofa të trefishta, të borës, energjisë dhe përmbytjeve.
“Fatmirësisht shqiptarët e kaluan këtë dimër deri tani pa asnjë katastrofe. Uroj që shoku ciu-ciu të nxjerrë mësime se nuk ndërtohen alternativat vetëm mbi të keqen, edhe kur është, edhe kur s`është, se ja që nuk doli asnjë prej atyre që paralajmëroi ai. Sikur borën ta kishte sjellë qeveria, digat t`i kishte shterë energjia, nuk janë shqiptarët ata që mund t`i besojnë këto gjëra. I uroj sot që ta lexojë këtë muaj që shkoi me zhvillimet e tij që të nxjerrë mësime” theksoi Berisha.
Gjithashtu kryeministri Berisha i bëri thirrje autoriteteve vendore të aplikojnë për grantin e zhvillimit deri më datën 2 prill kur është edhe afati i fundit. “I bëj thirrje autoriteteve vendore, bashkive dhe komunave të Shqipërisë të paraqesin projektet e tyre, të aplikojnë në grantin e zhvillimin të rajonin pasi afati i fundit do jetë 2 prilli, dhe pas kësaj date nuk do të merren më projekte që mund të financohen nga buxheti i shtetit” shtoi më tej Berisha.