E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Përgjegjësia e qeverisë, jo e Bashës

Tiranë- Kryeministri ka dalë sot hapur në mbështetje të ish ministrit të Punëve Publike, Lulzim Basha, sot ministër i Jashtëm, duke pranuar se gjithcka që ka të bëjë me rrugën Durrës-Kukës, është vendim i Këshillit të Ministrave dhe jo i një ministri.

Zëdhënësja e qeverisë, përmes një deklarate për shtyp ka deklaruar se ministri i Punëve të Jashtme të qeverisë shqiptare, zoti Lulzim Basha, gëzon mbështetje të plotë dhe vlerësimin më të madh të Kryeministrit të vendit, të qeverisë dhe mazhorancës qeverisëse, për punën e tij në drejtimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, për kontributin e dhënë në bashkëpunimin dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në institucionet Europiane dhe Euroatlantike.

“Kryeministri dhe qeveria informojnë qytetarët shqiptarë se çdo akt ligjor apo vendim që lidhet me ndërtimin e korridorit rrugor Durrës-Kukës-Morinë është vetëm vendim i Këshillit të Ministrave dhe jo i ndonjë ministri apo zyrtari të veçantë”- tha Juela Meçani.

Ajo i ka cilësuar akuza politike të armiqve dhe kundërshtarëve të korridorit shqiptar, akuzat e bëra mbi Bashën dhe ka shtuar se Basha në detyrën e Ministrit të Punëve Publike, ka zbatuar me transparencë të plotë, me përgjegjshmëri të lartë dhe përkushtim të madh, vullnetin politik të Kryeministrit, qeverisë dhe mazhorancës për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë, si dhe të gjitha vendimet e Këshillit të Ministrave për korridorin shqiptar, të cilat janë marrë në përputhje të plotë me ligjet e vendit.

Sipas saj, projekti i shekullit do të inagurohet në qershor të vitit të ardhshëm.

Pak ditë më parë, Basha nuk iu përgjigj thirrjes së prokurorisë, ku u kërkua të merrej në pyetje si i pandehur lidhur me akzuat për abuzimet në rrugën Durrës-Kukës. Pas kësaj, opozita reagoi duke kërkuar dorëheqjen e tij, pasi nuk respektoi gjyqësorin, duke iu shmangur dhe injoruar tërësisht prokurorinë.

Vetë Basha gjatë një konference për shtyp, e mbrojti veten duke i cilësuar akuzat thjesht politike dhe të pabaza.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›