Godasin dhe vjedhin një shtetas, dy në pranga
Tiranë- Kanë vjedhur duke dhunuar fizikisht një shtetas, por janë zbuluar shumë shpejt dhe janë arrestuar nga policia. Ngjarja ndodhi në rrugën “4 Dëshmorët”, ku sipas policisë një shtetas ka denoncuar se dy persona e kanë dëmtuar fizikisht duke e goditur me sende të forta dhe më pas i kanë marrë një shumë eurosh që kishte me vete.
Pas marrjes së njoftimit, policia është vënë në lëvizje dhe shumë shpejt ka mundur të zbulojë të dyshuarit. “Në pranga nga Seksioni Kundër Vjedhjeve me Dhunë/Armë dhe Shkatërrimit të Pronës u vunë shtetasit, Alban Hamiti, 26-vjeç, lindur në Lezhë dhe banues në Tiranë dhe 20-vjeçari, Gentian Durmo, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë”- thanë burimet e policisë.
Arrestimi i tyre u krye pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me sende të forta, dhe më pas i kanë vjedhur shumën prej 260 euro, nje shtetasi.
Materialet i kalojnë Prokurorisë për hetime të mëtejshme, ndërkohë që mbi të arrestuarit rëndon akuza e vjedhjes.