Konfindustria dhe ZMQ, qeverisë: Ulni çmimin e karburantit
Tiranë- Konfindustria i ka kërkuar sot strukturave shtetërore të ndërhyjë urgjent për të rregulluar tregun e karburanteve në vend. Administratori i Përgjithshem i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku bëri të ditur për mediat se gjendja e tashme është bërë krejtësisht e papranueshme. Kjo shoqatë është solidarizuar me protestën e ZMQ që u zhvillua sot në Tiranë.
Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve kërkoi nga konsumatoret shqiptare që të shprehin pakënaqësinë nëpërmjet një proteste të fuqishme. Në lidhje me kete situatë të patolerueshme në treg, ZMQ ftoi të gjithë drejtuesit e automjeteve të solidarizohen me këtë grevë kombëtare duke kërkuar që për 24 orët e sotme, ata të qëndrojnë larg pikave të karburanteve si mjeti i parë i protestës ndaj karteleve të fundit në Europë.
Sipas tyre ndërhyrja urgjente nevojitet për një sërë faktorësh siç janë: abuzimi me cilësinë e karburantit, vëllimin në shitje, mospasqyrimin e cmimeve reale, pa llogaritur këtu koston e dëmtimit të makinave nga cilësia jashtë standardeve të kërkuara.
Për të shpjeguar domosdoshmërinë e ndërhyrjes urgjente për rregullimin e tregut të karburanteve, Konfindustria paraqiti përfundimet kryesore të vlerësimit të përgjithshëm për kostot shtesë të tregtimit të karburanteve në Shqipëri bazuar në të dhënat e ardhura pranë saj në muajt shtator-dhjetor 2008. Sipas Konfindustrisë janë 8 tipe kostosh shtesë, që biznesi dhe qytetarët shqiptare paguajnë dhe dëmtohen padrejtësisht nga keqfunksionimi i tregut të karburanteve. Ndër kostot indirekte, Konfindustria ka numëruar ato shëndetësore, mjedisore, buxhetore, për këtë të fundit i referohet buxhetit të shtetit nga neglizhenca e Inspektoriateve përkatese që duhet të kontrollojnë këtë treg.