E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoshi: Nuk e njoh atë që më qëlloi

INTERVISTA/ Pas ngjarjes së të shtunës në fushën lushnjare, oficerët e policisë kanë marrë në pyetje kapitenin fierak

Mbrojtësi deklaroi se incidenti ku ai u plagos ndodhi pas festimit të golit të barazimit me tifozerinë fierake

FIER – Pas ngjarjes që tronditi opinionin publik sportdashës, dje pasdite mbërritëm në shtëpinë e mbrojtësit dhe kapitenit të skuadrës së Apolonisë, Mariglen Shoshit. Apartamenti i tij ndodhet në katin e pestë të një pallati në lagjen “1 Maji”. Vetëm pak para nesh mësojmë se në shtëpinë e kapiteni kanë qenë të pranishëm dy oficerë të policisë gjyqësore të prokurorisë së Lushnjës, të cilët kanë marrë një deklaratë lidhur me ngjarjen e së shtunës. Mariglenin e gjejmë të shtrirë në divan, të rrethuar nga tri motrat e tij dhe nëna. Teksa i tregojmë për çfarë kemi ardhur, ai i përgjigjet pozitivisht kërkesës për një rrëfim për ngjarjen që tronditi sportdashësit fierakë.

Mariglen, të shkuara dhe shpresojmë t’i bashkëngjitesh sa më shpejt ekipit. Na the se pak para nesh ishin edhe disa oficerë të policisë gjyqësore. Cili ishte qëllimi i vizitës së tyre apo i njëjtë me tonin?

Është e vërtetë që dy persona, pasi m’u prezantuan si oficerë të policisë së Lushnjës, hynë brenda dhe më pyetën lidhur me incidentin. Së bashku me mua ishte edhe nëna, ndërsa motrat u larguan për në dhomën tjetër.

Më konkretisht, çfarë kërkuan ata prej teje?

Më pyetën si ndodhi, si dhe ku isha kur u qëllova. Kërkonin të dinin detajet e plagosjes sime në fushën e stadiumit të Lushnjës. Unë u tregova se pas barazimit 1-1, të gjithë shokët u gëzuan dhe si gjithmonë në të tilla raste çdo skuadër e feston me tifozërinë që e shoqëron në çdo ndeshje. Dhe pikërisht në momentin kur ne u larguam, dikush nga shkallët e stadiumit qëlloi me mjete të forta dhe një objekt që unë them se ishte një tullë, më goditi në kokë. Dihet se guri më kapi në sy dhe, siç e shikoni, e kam të qepur në të dyja anët e saj, si poshtë edhe lart syrit. Kaq u thashë oficerëve. Gjatë kohës që flisja, ata mbanin shënime. Më pyetën edhe nëse e njihja personin që qëlloi.

Ju çfarë u përgjigjët?

M’u duk pak e çuditshme pyetja, pasi unë nuk kam asgjë me tifozerinë lushnjare dhe nuk i kam sharë asnjëherë ata, edhe pse ata na shanë gjatë gjithë lojës. U thashë thjesht se nuk e pashë kush më qëlloi dhe nuk e kisha mendjen te tifozët lushnjarë.

A do ta vazhdosh personalisht denoncimin për personin që qëlloi nëse policia e zbardh ngjarjen dhe zbulon autorin e këtij incidenti?

Këtë pyetje ma bënë edhe oficerët e policisë. U thashë se nuk bëj denoncim për atë njeri. Besoj se ai më qëlloi jo se më njihte apo se e kishte inatin personalisht me mua. Mendoj se ai është një tifoz që nuk ka të bëjë fare me një sportdashës që ndjek sportin për zbavitje. Këtë ia lë policisë ta zbardhë. Këtë u thashë edhe oficerëve. Personin unë e fal. Le ta dënojë Zoti për veprimin që kreu. Ashtu mendoi dhe veproi, por jam i sigurt që ai është bërë pishman për atë që bëri.

Nëna juaj a ishte dakord me veprimin tuaj, që edhe pse u plagosët dhe rrezikove syrin, gjete kurajën dhe ia fale personit?

Nëna ime, pa marrë mendimin tim, iu përgjigj edhe pyetjes së oficerëve lidhur me mosdenoncimin e rastit në fjalë. Edhe ajo ishte dakord me mua.

Mariglen Shoshi, kapiten i skuadrës së Apolonisë mbeti i plagosur të shtunën në fushën e Lushnjës, pak pas barazimit 1-1 në derbin myzeqar. Teksa nga ana e drejtuesve fierakë është mësuar se do t’i drejtohen FSHF-së për të zbardhur ngjarjen, kundërshtarët e tyre në fushë kanë mohuar përfshirjen e tifozerisë lushnjare në incidentin e ndodhur. E në fakt, nëse provohet se plagosja e Shoshit ka qenë e qëllimshme, skuadra e Lushnjës rrezikon shumë, megjithatë vendimi pritet të merret në mbledhjen e së martës.

REAGIMI

Lushnjë, policia: Shoshi nuk është goditur nga vendasit

Por ndërsa fierakët akuzojnë, lushnjarët mbrohen. Të pyetur për ngjarjen, forcat e policisë së Lushnjës bënë të ditur se nuk ekziston asnjë provë që të tregojë se kapiteni fierak është goditur nga tifozët lushnjarë. Sipas tyre, nuk është e mundur që Shoshi të jetë qëlluar nga vendasit, kjo pasi vendi në të cilin ndodhej mbrojtësi, ishte pranë tifozerisë fierake dhe menjëherë pas takimit me ta. Tifozeria lushnjare ndodhej në anën tjetër. Ndërkohë, nga rishikimi i videos së lojës, megjithëse duket se reagimi i Shoshit, i cili vë dorën në kokë, nuk vihet re asnjë objekt që të fluturojë në ajër dhe të prekë mbrojtësin. Përveç policisë, dje në Lushnjë ka reaguar edhe kryebashkiaku, i cili ka mbështetur faktin se kapiteni fierak nuk është goditur nga asnjë tifoz i Lushnjës në “Roza Haxhiu”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›