Parlamenti i ri, Balla: Hetim për Topallin
Deputeti i PS ka denoncuar sërish konkursin për projektin e ndërtimit të kompleksit parlamentar
Partia Socialiste, nëpërmjet deputetit të saj Taulant Balla, ka denoncuar sërish konkursin për projektin e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar, duke pretenduar se kompania fituese austriake ishte e paracaktuar. “E dëgjuam dje, nga përgjigjja e para-porositur e spikeres Xhozefinë, se ajo nuk ka asnjë argument bindës, që të kundërshtojë faktet e bëra tashmë publike se, gjithë procedura për përzgjedhjen e projektit për Parlamentin e ri, ashtu si edhe shpenzimet marramendëse për rikonstruksionin e sallës aktuale të Parlamentit dhe rikonstruksioni i vjedhur i Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Pjetër Arbnori”, janë afera korrupsioni e kusarie të këtij pushteti. Plot 2.8 milionë euro të shpërdoruara nga Xhozefina dhe Saliu. Të gjitha faktet janë kundër Xhozefinës, ndërsa është e provuar, e zezë mbi të bardhë, që ende pa u mbledhur komisioni për shqyrtimin e projekteve të Parlamentit të ri, në Vjenë, ca miq të Saliut, e dinin se kush do të fitonte prej kohësh. Në të njëjtën kohë, në Tiranë ndërtohej një farsë që do të harxhonte para publike për klientët e oborrit, me reklama e forume false, kur fituesi ishte zgjedhur kohë para kësaj”, ka deklaruar deputeti Balla. Sipas tij, ky është një skenar i parë e riparë nga shqiptarët, një skenar korrupsioni tipik me sekserë, shpërdorim fondesh publike për pagesa miqsh, me konkurse e tenderë false dhe me paracaktim të mikut që do marrë projektin pas parapagimit. “Nuk ka më asnjë dyshim në mendjet e shqiptarëve, se ky nuk është thjesht një rast i veçuar, por një model i përsëritur kusarie nga pushteti. Për këtë, fajin e ka Sali Berisha, kreu i një kabineti kusarësh e matrapazësh, i cili më 21 janar shkrepi pushkët e gardës së tij republikane kundër vetë popullit dhe vrau për të vazhduar të vjedhë”, ka deklaruar Balla. Po pas kësaj deklarate të Ballës, ka reaguar menjëherë zyra e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topallit, duke akuzuar Partinë Socialiste se po bën përpjekje të hedhë baltë mbi një projekt që, sipas kësaj zyre, jo vetëm ishte transparent por që do i mundësojë vendit një kompleks parlamentar dinjitoz. “Ne e kuptojmë që shoku Rama është i shqetësuar sepse për Kompleksin e pi Parlamentar u bë konkursi më transparent dhe më i suksesshëm që është bërë ndonjëherë në Shqipëri. Shoku Rama, në fakt çdo ditë po hedh baltë mbi Hans Ibelings e jo mbi Kuvendin. Balta që ai hedh mbi studiot italiane, gjermane, pariziene e vjeneze, vetëm nderojnë konkursin më publik e transparent të realizuar ndonjëherë ne vend”, shkruhet në reagimin e zyrës së Kryeparlamentares Topalli.