E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Permbushja e standardeve perparesi e programit te qeverise

Kryeministri Berisha priti sot në një takim zotin Robert Badinter, ish-ministër drejtësie dhe ish-senator francez, një personalitet i shquar, avokat dhe mbrojtës i të drejtave të njeriut, i cili po zhvillon një vizitë në vendin tonë të mbështetur nga UNICEF, me qëllim mbështetjen e reformës për Drejtësinë për të Miturit.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri i shprehu zotit Badinter vlerësimin maksimal për rolin dhe mbështetjen që UNICEF ka dhënë dhe jep në vendin tonë, në mbështetje të programeve për mbrojtjen e të drejtave të të miturve në sistemin e drejtësisë si dhe vlerësoi vizitën e zotit Badinter, si një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim.

Nga ana e tij, zoti Badinter vlerësoi përpjekjet dhe arritjet serioze të qeverisë shqiptare, në drejtim të përmirësimit të kushteve në mjediset e paraburgimit dhe institucionet e vuajtjes së dënimit, për sa i përket trajtimit të të miturve, ku vërehet një përmirësim i dukshëm dhe ngritje në një nivel më të lartë.

Gjithashtu, ai vlerësoi përpjekjet e qeverisë shqiptare dhe institucioneve përkatëse për arritjen e standardeve më të larta të Këshillit të Evropës, për sa i përket mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.

Kryeministri Berisha e falënderoi Badinter për këtë vlerësim dhe u shpreh se qeveria shqiptare e konsideron përmbushjen e standardeve më të larta evropiane, në këtë fushë, si një përparësi të rëndësishme të programit të saj.

Gjatë këtij takimi, u diskutua veçanërisht për çështje që kanë të bëjnë me trajtimin e të miturve, në mjediset e paraburgimit dhe në institucionet e vuajtjes së dënimit.

Duke vlerësuar arritjet e deritanishme, në këtë aspekt, nga bashkëbiseduesit u theksua domosdoshmëria për plotësimin e kuadrit ligjor, për sa i përket trajtimit të fëmijëve deri në moshën 14 vjeç, si dhe krijimin e të gjitha kushteve për ndjekjen e arsimit bazë të të miturve, të cilët ndodhen në kushtet e paraburgimit, me qëllim ri-integrimin e tyre në shoqëri.

Në këtë kontekst, Kryeministri shprehu angazhimin maksimal te qeverisë shqiptare në këtë drejtim dhe siguroi se qeveria do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të plotësuar e përmirësuar kuadrin ligjor, në mënyrë që të krijohet një bazë solide ligjore, për trajtimin e kësaj kategorie të miturish, me qëllimin final, integrimin e tyre si qytetarë të denjë në shoqëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›