E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Peshkopi Ne kater vitet e ardhshme perfundojme rrugen e Arbrit

Kryeministri Berisha vijoi sot takimet elektorale në Peshkopi, ku paraqiti alternativën për qytetarin dhe shprehu mbështetjen për kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin” Ilir Krosi.

Kryeministri Berisha garantoi qytetarët e Dibrës se do të mbështet çdo projekt për zhvillimin e Dibrës, e cila po shndërrohet në epiqendër të fuqishme të zhvillimit rajonal. Në katër vitet e ardhshme, do të rriten investimet për Dibrën, do të kompletohet infrastruktura, me përfundimin e rrugës së Arbrit, asafaltimin e të gjitha rrrugëve të qytetit dhe komunave të saj, ndërtimin e rrugës që lidh qytetin me rrugën e Arbrit, lidhjen e komunave të rrethit të Dibrës me akset kombëtare, përfundimin e ujësjellësit të Sopikut. Kryeministri, duke ftuar fermëret e Dibrës të mbjellin sa më shumë pemë, për të cilët do subvencionohen për çdo rrënjë të mbjellë, i garantoi ata se do të ndërtohet edhe sistemi më i mirë i vaditjes.

“ Unë jam sot, këtu, për të paraqitur kandidat për kryetar bashkie kryetarin tuaj aktual, zotin Ilir Krosi, me zotimin tim solemn para jush se suksesin, fitoren e Ilir Krosit në datën 8 maj, fitoren e qeveritarëve tuaj vendorë në të katër anët e këtij rrethi, sëbashku me ta, do ta shndërojmë në një sukses të vërtetë për çdo qytetare e qytetar, për çdo banor, për çdo lagje, fshat e komunë të rrethit të Dribrës. Këtë fitore do ta shndërrojmë në asafaltimin e të gjitha rrrugëve të qytetit e komunave të rethit të Dibrës, ndërtimin e rrugës që lidh qytetin me rrugën e Arbrit, përfundimin e rrugës së Arbrit, lidhjen e të gjitha komunave të rrethit të Dibrës me akset kombëtare, përfundimin e rrugës Macukull-Luzni. Në katër vitet që vijnë, ne do të përfundojmë ujësjellësin e Sopikut, do të garantojmë ujë 24 orë për Peshkopinë, fshatrat e komunat e saj. Në këtë rreth, gjatë katër viteve të shkuara kemi investuar shumë herë më tepër, se në 8 vitet e qeverisë tjetër të marra sëbashku. Ju garantoj se shumë herë më tepër do të investojmë në katër vitet që vijnë. Çdo ditë, Dibra, Peshkopia po shndërrohen në epiqendër të fuqishme të zhvillimit rajonal, çdo ditë lidhjet e saj me Tiranën, Prishtinën, Shkupin po bëhen gjithnjë e më të mëdha. Peshkopia është sot qytet universitar dhe ju garantoj se një nga kampuset e para universitare që do të ndërtohet, do të jetë kampusi i universitetit tuaj. Përshëndes të 1000 studentet e studentët që shkollohen në këtë qytet. Përshendës të gjithë banorët e komunave dhe i ftoj ata vëllazërisht të mbjellin sa më shumë pemë. Në alternativën tonë ka vend për çdo dibran, për çdo dibrane. Ne i kemi dyert e hapura. Asnjë prej jush, qytetar të dadhur të Dibrës, banorë të këtij rrethi, nuk ka nevojë ta mendoni për as edhe një moment të vetme rrugën e vetmisë. Le t’ia lëmë vetmitarëve atë rrugë, se e kanë nxjerrë nga librat e atit të tyre shpirtëror. Por të rinjve, të cilët nuk kanë arritur kohën e rrugës së vetme apo rrugës së vetmisë, do tju tregoj nga ky shesh një episod të jetës sime si mjek, tre muaj, në spitalin e këtij qyteti. Erdha këtu me dashuri të madhe për të ndihmuar të sëmurët ato tre muaj dhe ndërtuan një sallë reanimacioni. Vija për herë të parë në Dibër dhe u dashurova me klimën, peisazhin e njerëzit e saj. Por, të dashur të rinj e të reja, çdo ditë punoja me zemër të thyer, me një brengë të thellë në shpirt, sepse ato burra e gra, ato nëna e baballarë, gjyshe e gjyshër që unë mjekoja në spitalin tuaj, ditën që dilnin nga spitali më refuzonin recetën dhe me thonin se ilaçet nuk i blenin dot. Unë përpiqesha t’u jepja zemër atyre dhe ata menjëherë më bënin llogarinë, se aq sa merrnin në kooperativën bujqësore nuk u mjaftonte për copën e bukës së misrit. Kjo ishte rruga e vetme. I nderuar zoti Edi Rama mos i lëndo qytetarët shqiptarë me hijen e asaj rruge, se nuk ka ndërmend ta ndjekë asnjë prej tyre.

Vëllezër e motra 8 maji është një ditë e madhe, është një ditë, në të cilën ju, dibrane e dibranë, shqiptare e shqiptarë, keni një shans t’i dëshmoni vetes, Shqipërisë e botës se jeni qytetarë europianë se demokracia është pasioni juaj, se liria është pasioni juaj. Ndaj ju bëj thirrrje të votoni të gjithë në 8 maj, të votoni kandidatët e alternativës për ju, të alternativës për qytetarin, sepse për ne, ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat, Dibra është e para, Shqipëria është e para. Rrofshi ju! Rroftë Dibra! Rroftë Shqipëria!” “, është shprehur Kryeministri Berisha në Peshkopi.

Kryeministri Berisha vijoi takimet me qytetarët, në Bulqizë, ku gjatë paradites së sotme në tubimin me ta shprehu mbështetjen për kandidatin për kryetar bashkie te "Aleanca për qytetarin", zotin Roland Keta.
Kryeministri premtoi se infrastruktura moderne që do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë do të bëjë që qytetarët e Bulqizës të kenë kryeqytetin shumë më pranë, duke shkurtuar ndjeshëm kohën e udhëtimit.
Duke e cilësuar rrugën e Arbrit, rrugën e dytë të Kombit, kryeministri u shpreh se krahas kësaj do të vazhdojë ndërtimi i unazës verilindore dhe juglindore të vendit.
Kryeministri u shpreh ndër të tjera se qeveria do ti japë për administrim, pushtetit vendor, rentën e kromit, për të cilën kryeministri kërkoi nga kryetari i ardhshëm i bashkisë ti përkushtohet tërësisht minatorëve, për përmirësimin e cilësisë së tyre të jetesës. Në mesditën e sotme, kryeministri Berisha zhvilloi një takim me qytetarë të Klosit, të cilët i garantoi për mbështetjen e qeverisë për zhvillimin e qytetit të tyre. Kryeministri shprehu mbështetjen për kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin” Ramazan Mjeshtri për bashkinë Klos. Krahas ndërtimit të plotë të infrastrutkrës së qytetit dhe fshatrave të tij, Kryeministri veçoi ndër projektet madhore për zhvillimin e kësaj zone ngritjen e industrisë së përpunimit të kromit, nga e cila pushteti vendor do të përfitojë rentën. Kryeministri garantoi qytetart e Klosit e të rrethit të Matit se do të bëhet gjithçka për shfrytëzimin e pasurive të mëdha që ky rreth ka, si në shfrytëzimin e ujërave të shumta të tij, në zhvillimin e potencialeve të mëdha turistike etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›