E Diel, 1 Nëntor 2026

Pesë dekada nga opera e parë shqiptare, me muzikë të kompozitorit Prenkë Jakova dhe libret të Llazar Siliqit

Opera e parë shqiptare ‘Mrika’ ishte planifikuar të vihej në skenë për herë të parë në datën 29 nëntor të vitit 1958, por ndarja nga jeta e aktorit dhe regjisorit të madh shkodran Zef Jubani atë ditë, detyroi organizatorët dhe kryesisht Prenkë Jakovën, që ishte dhe një mik i tij, për ta shtyrë premierën në 1 dhjetor të po atij viti.
Është një nga detajet që kompozitori i njohur shkodran Gjon Shllaku, njëkohësisht drejtues i Shoqatën Kulturore artistike "Prenkë Jakova", tregon në këtë 50 vjetor të operas së parë shqiptare, përvjetor që po festohet me aktivitete të shumta në Shkodër, përgjatë kësaj jave.
Opera "Mrika", me muzikë të kompozitorit Prenkë Jakova dhe libret të Llazar Siliqit, mbështetet mbi një bashkëpunim të dy artistëve në vitin 1952, kohë në të cilën realizuan veprën muzikore "Dritë mbi Shqipni", duke pasur si personazh kryesor Mrikën, një vajzë mirditore që merr guximin për të dalë kundër disa rregullave kanunore, për të pasur një jetë të lirë, një jetë më ndryshe nga sa e rrethonte deri në atë periudhë. "Ishte sukesesi i kësaj vepre muzikore që e nxiti dyshen Jakova-Siliqi të bashkëpunonin për të nxjerrë në dritë operan e parë shqiptare "Mrika", tregon Shllaku.
Si bërthamë e operas ‘Mrika’ mbeti subjekti i veprës muzikor ‘Dritë mbi Shqipni’, e cila për përmbushur kërkesat e një dramaturgjie të zhvilluar operistike pësoi disa ndryshime. “U shtuan personazhe të rinj, duke theksuar dramën e Mrikës", tregon kompozitori Shllaku, ndërsa shton se kompozitori Prenkë Jakova i përfundoi partiturat e operas "Mrika" aty nga maji i vitit 1958.
Sipas tij, për realizimin e premierës u punua me një trupë artistike gjysmë profesioniste, me këngëtarë solistë, kore masive, me një formacion orkestral simfonik të plotë, të gjithë të predispozuar fizikisht e shpirtërisht për ta kurorëzuar me sukses maksimal këtë vepër muzikore.

Libreti dhe protagonistët e operës së parë shqiptare. Përmes libretit të shkruar nga Llazar Siliqi, opera "Mrika" u prezantua në tre akte. Ngjarja zhvillohen në një fshat të Mirditës, ku jeton Mrika me nënën e saj Marën. Aty shfaqet dhe simpatia e Mrikës për Dodën, të cilin e dashuron, duke mos qenë dakord që të martohet me Gjetën, të cilin e kishin fejuar që në djep, ndaj edhe kërkon të shkojë në hidrocentral për të punuar së bashku me shoqet e saj. Ngjarjet mbyllen me takimin nënë dhe bijë, ku Mara vendos t’i japë bekimin Mrikës që të fejohet me djalin që dashuron, Dodën.
Orkestra Simfonike e përbërë nga 42 instrumentistë u dirigjua nga vetë Prenkë Jakova, ndërkohë që për regjisurën punoi Andrea Skanjeti, kor-mastër Leonard Deda, Zef Leka, Tonin Zadeja dhe Tonin Daija, pedagoge zëri Shpresa Nishani, baletmaestër Xhemil Simixhiu, koncertmaestër Tonin Harapi dhe Gjon Sara, piktorë Gjon Hila, Çesk Vuksani e Lec Fishta. Personazhi kryesor, Mrika, vajza malësore nga Mirdita, iu besua Klotilde Shantojës, e dubluar hera herës nga Florinda Fishta (Gjergji). Rolin e Marës, nënës së Mrikës e intepretoi Aneta Nikaj, për të vijuar me Petrit Garucin në rolin e Gjinit, dajës së Mrikës, Filip Krroqin, rolin e Ndout, gjyshit të Mrikës, Leo Prela dhe Mark Shllaku, në rolin e Gjetës, të fejuarit në djep të Mrikës, Abdullah Kalaci, Doda, etj.

Vlerat e operës "Mrika"
Opera e parë shqiptare "Mrika" mori vlerësime të shumta për vetë nivelin që paraqiti në skenë, dhe sidomos për jehonën që pati jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. E frymëzuar nga vlerat e vërteta të trashëguara të artistëve shkodranë, si Palok Kurti, Lec Kurti, Pader Martin Gjoka, Kardinal Mikel Koliqi, Shuk Shllaku, për të vijuar më pas me brezin tjetër të Ramadan Sokolit, Tonin Harapit, Tish Daisë, Çesk Zadesë, Pjetër Gacit, Gjon Kapidanit, etj, ‘Mrika’ mishëroi ëndrrën e të gjithëve që dhe Shqipëria të kishte operan e saj.

Me operën "Mrika", muzika shqiptare fitoi personazhin e saj të parë lirik.
Ishin vlerat dhe aftësitë profesionale të të madhit Prenkë Jakova që arriti të shkruajë dhe të vërë në skenë këtë vepër të niveleve të larta skenike. Autori ka mbetur një simbol muzikor i kohës me këtë krijim, pasi me ‘Mrikën’ nisi edhe në Shqipëri procesi i kultivimit dhe konsolidimit të lirikës sonë.
Ajo u shfaq për publikun shkodran në skenën e Teatrit "Migjeni" për 18 here, ndërkohë që më pas, në vitin 1959, me kërkesë nga autoritetet e Tiranës, kaloi në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit. Për herë të parë, ‘Mrika’ u intepretua nga artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë në muajin nëntor l959, ku sërish protoganistja kryesore (Mrika) u përcoll nga një artiste shkodrane, Marije Karaja, pjesëtare e TOB.
‘Mrika’ u rishfaq disa herë, kur veçohet vënia në skenë me rastin e 20-vjetorit të saj, me një prezantim të formës koncertale, ku dirigjent ishte bashkëkohësi dhe miku i Prenkë Jakovës, kompozitori Gjon Kapidani. Në rolet kryesore interpretuan Eleonora Pejo, Gaqo Çako, Pëllumb Katroshi dhe Violeta Gashi.
Një tjetër përpjekje për të rikujtuar dhe nderuar këtë vepër dhe së bashkëu me të, atë që e ideoi dhe e punoi me mjeshtri të madhe, Prenkë Jakovën, ishte në vitin 1983 nga nxënësit dhe mësuesit e shkollës artistike "Prenkë Jakova" në Shkodër, të cilët dolën përpara publikut me aktin e parë të kësaj vepre.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›