E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Po dalin në pazar dosjet sekrete të personave nën hetim

08/02/2012  Mbrojtja e të dhënave

Kryeministri Berisha kërkoi dje marrjen e masave për parandalimin e publikimit në medie të të dhënave personale apo dokumenteve hetimore. Duke prezantuar në mbledhjen e qeverisë vendimin për disa ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, sugjeroi forcimin e ligjit dhe ndërhyrje ligjore në Kodin Penal në funksion të mbrojtjes të privatësisë dhe dinjitetit njerëzor. “Mbrojtja e të dhënave personale është një obligim madhor ligjor në shoqëritë e lira. Për fat të keq, në këtë vend dalin në pazar edhe dosjet më sekrete të atyre që janë nën hetim apo gjykim, të cilat përbëjnë një dëmtim të rëndë të procesit, dalin edhe dokumente të tjera. Konstatoj me keqardhje shumë të thellë se në mënyrë të veçantë abuzohet me jetën e artistëve, shkrimtarëve, që është objekt i një agresioni të pamëshirë mediatik. Pothuaj e tëra, në masën 80 për qind, bazohet absolutisht mbi skupin dhe jo ndodhinë reale. Përdoret skupi mediatik për të gjetur hapësira më të mëdha tregu e për të lënduar në mënyrën më të papranueshme kryesisht këngëtaret e artistët, më së fundi edhe meshkujt e më pas edhe të tjerë. Qëmtohet e hulumtohet me një pasion patologjik mbi të dhënat personale private dhe jetën private të tjetrit. Unë gjykoj se në këtë drejtim ligji duhet të ashpërsohet”, - u shpreh Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›