Berisha: ”Po diskutojmë me ekspertë të huaj për fatin e municionit kolosal”
Ngjarja e rëndë në depon e municionit në fshatin Gërdec ka ngritur shqetësimin e municionit ushtarak të tepërt që është i shpërndarë në mbarë vendin. Ministri i Mrojtjes ka konfirmuar se bëhet fjalë për një sasi prej 100 mijë tonë material municion i tepërt dhe i dëmshëm, i cili kërkon një sasi prej mbi 50 milionë dollarë për asgjësim. Duke siguruar se kryeqyteti nuk është i rrezikuar nga këto shpërthime dhe i pyetur nëse në depo ka patur oficerë, kryeministri Sali Berisha tha se mund të ketë patur oficerë të kontraktuar nga kompania pasi ky proces ka qenë tërësisht aktivitet privat i kësaj kompanie. Kryeministri Berisha u shpreh se problemi i municioneve është një nga problemet më të rënda për vendin dhe që përbën një rrezik shumë serioz. “Problemi i municioneve në Shqipëri është një nga problemet më të rënda që kemi. Ka një sasi kolosale municionesh që nga viti 1945 e më pas. Një nga mënyrat për asgjësimin e tyre është çmontimi, por në çmontim, siç e dini dhe ju, ky është aksidenti i dytë shumë i rëndë që ka ndodhur. Në çmontim unë nuk mohoj gabimet njerëzore, por vetë vjetërimi i të gjithë mekanizmit të tyre i bën këto municione të shpërthyeshëm. Ky është një problem shumë serioz dhe për fatin e keq depot janë të shpërndara në mbarë vendin. Ne po diskutojmë edhe me ekspertë të huaj në mënyrë që të mund t’i japim një zgjidhje përfundimtare kësaj sasie kolosale të municionit, e cila përbën një rrezik serioz”, - u shpreh kryeministri Berisha. Duke iu përgjigjur interesit të medias, kryeministri u shpreh se në vendngjarje mund të ketë një numër të konsiderueshëm viktimash.
17 Mars 2008