E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonia do ta njohë Kosovën

Hashim Thaçi

Prishtina e Shkupi, deklarata kontradiktore lidhur me njohjen e shtetit të ri. Hashim Thaçi siguron se njohja do te jete e afert

Maqedonia ka konfirmuar se do të njohë pavarësinë e Kosovës shumë shpejt. Ishte kjo deklarata e bërë dje nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe nga një televizion maqedonas, gjithashtu e publikuar nga agjencia e lajmeve, “Balkan Insight”. “Institucionet kosovare kanë konfirmuar se kur Maqedonia do të njohë pavarësinë e Kosovës, gjë e cila do të ndodhë shumë shpejt”, -u shpreh Thaçi, duke shtuar se marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje janë “të shkëlqyera”. I pyetur nëse data e njohjes së shtetit të Kosovës nga Maqedonia është përcaktuar para apo pas samitit të NATO-s në Bukuresht, kreu i qeverisë së Prishtinës tha se data e saktë do të përcaktohet nga Shkupi. “Maqedonia ka treguar dëshirën e mirë për sa i përket njohjes së Kosovës”, - përfundoi Thaçi. Por krejt ndryshe u shpreh po dje vetë presidenti i Maqedonisë, Branko Cervenkovski. Duke folur në një intervistë për agjencinë rajonale të lajmeve “Southeast European Times”, kreu i shtetit tha se pavarësia e Kosovës paraqet pa dyshim rreziqe të caktuara. “Fakti që as Serbia, as populli serb në Kosovë dhe një grup vendesh nuk bien dakord me këtë akt (pavarësinë), tregon se po përballemi me një periudhë sfidash serioze”, - tha Cervenkovski. Sipas tij, çelësi i kësaj situate qëndron në mënyrën sesi do të zhvillohen ngjarjet në pjesën veriore të Kosovës, ku jeton pakica serbe. “Nëse në atë zonë nuk vendoset  prezenca efektive e strukturave ndërkombëtare dhe të autoriteteve të reja kosovare, ndaj mund të bëhemi dëshmitarë të së ashtuquajturës “ndarje e ngadaltë” e Kosovës, që mund të shndërrohet në një gjenerator destabiliteti brenda vetë Kosovës dhe që mund të inkurajojë njëkohësisht edhe ndarje të reja etnike në rajon”, - tha Cervenkovski. I pyetur sesi mund të ndikojë pavarësia e Kosovës në Maqedoni dhe marrëdhëniet e saj me Serbinë, presidenti maqedonas u shpreh se vendi i tij nuk ka përcaktuar ende qëndrimin e tij përfundimtar ndaj pavarësisë së Kosovës. “Ne i mbahemi pozicionit tonë si kandidat për në BE dhe NATO, dhe do të ndjekim politikën e përbashkët të këtyre strukturave lidhur me këtë çështje. Por natyrisht që vendimi përfundimtar dhe koha do të përcaktohen në bazë të mbrojtjes së interesave tona kombëtare e shtetërore”, - vazhdoi Cervenkovski. Në fund ai u shpreh se Maqedonia është e vendosur të ndërtojë marrëdhënie të mira fqinjësore si me Beogradin, ashtu dhe me Prishtinën. Sipas analistëve, Shkupi i trembet reagimit të Beogradit, pasi ekonomia dhe infrastruktura e Maqedonisë janë të lidhura me Serbinë. Veç kësaj, një tjetër pengesë e njohjes së pavarësisë është dhe çështja e demarkacionit të kufirit mes Kosovës e Maqedonisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›