E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tension në Mitrovicë

Vandalë serbë duke sulmuar autoritetet

Grupe terroriste serbe sulmojne forcat e Organizates se Kombeve te Bashkuara. Shume te plagosur

Ashtu siç pritej, në 4-vjetorin e ngjarjeve të 17 marsit 2004, serbët e Kosovës shkaktuan sërish tension në veri të vendit, duke treguar se nuk pajtohen me shtetin e ri. Policët e UNMIK-ut dhe trupat paqeruajtëse të KFOR-it u sulmuan dje nga qindra serbë të inatosur, të cilët kishin uzurpuar që nga e premtja e kaluara gjykatat në veri të Kosovës. Përleshjet shpërthyen mes forcave të Kombeve të Bashkuara të NATO-s dhe serbëve, të cilët nisën një betejë të vërtetë, duke qëlluar me gurë dhe granata. Agjencitë ndërkombëtare të lajmeve, si AFP, CNN, BBC e të tjera raportuan se të paktën 42 trupa të UNMIK-ut e KFOR-it u plagosën bashkë me 70 protestues serbë, në ngjarjet më të dhunshme që përfshinë qytetin verior të Mitrovicës, që kur Kosova shpalli pavarësinë në 17 shkurt. Policia e UNMIK-ut hyri në ndërtesën e një prej gjykatave që ishte marrë me forcë nga serbët që nga dita e premte, në shenjë proteste ndaj shkëputjes së Kosovës nga Serbia. Ndërsa policët u vunë prangat protestuesve dhe u përpoqën t’i nxirrnin nga ndërtesa, ku qindra serbë rrethuan gjykatën, duke sulmuar forcat e UNMIK-ut. Anëtarë polakë, ukrainas e bullgarë të UNMIK-ut e KFOR-it u sulmuan me gurë, bomba molotove dhe granata dore nga serbët. Madje, disa prej protestuesve qëlluan me armë zjarri kundër forcave ndërkombëtare në Kosovë. Dëshmitarët thanë se dhjetëra të tjerë rrethuan dhe sulmuan tre automjete të UNMIK-ut, duke liruar protestuesit e arrestuar në gjykatë. Grupe të tjera i vendosën zjarrin një automjeti, një kamioni të NATO-s. Policia ushtarake daneze tha për AP-në, se “shkëmbyem zjarr me protestuesit, për të ndihmuar në evakuimin e oficerëve të plagosur. Autokolona jonë u përfshi nga flakët, ndaj dhe u kundërpërgjigjëm”, - tha Steen Nielsen, zëdhënësi i 300 trupave të Danimarkës që ndodhen në Kosovë. Përleshjet dhe situata kaotike përfunduan vetëm në mesditë, kur qindra policë të UNMIK-ut vendosën të tërhiqen nga veriu i Mitrovicës, duke ua lënë serbëve kontrollin e qytetit. Oficerët e misionit të Kombeve të Bashkuara u larguan, duke lënë trupat e KFOR-it të përpiqen të rivendosin rregullin. I cituar nga CNN, zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandër Ivanko, u shpreh se, për shkak të situatës tepër serioze, policia e Kombeve të Bashkuara vendosi të tërhiqet. “Oficerët tanë të policisë janë vënë nën sulme të vazhdueshme, dhe për këtë komisioneri i policisë vendosi t’i dorëzojë kompetencat KFOR-it”, - tha Ivanko. Vetëm pas disa orësh situata u qetësua disi, megjithëse forcat e NATO-s raportuan se ishte tepër delikate. AP-ja raportoi se disa helikopterë të KFOR-it qarkullonin mbi të gjithë qytetin e Mitrovicës, në gatishmëri për t’u ardhur në ndihmë trupave tokësore. “Situata është tepër e tensionuar, por policia dhe NATO-ja kanë marrë kontrollin”, tha për AP-në zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Besim Hoti. Serbët janë përpjekur shpesh të marrin nën kontroll institucionet që drejtohen nga UNMIK-u, qëkur Kombet e Bashkuara morën nën administrim Kosovën, pas ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999.Reagojnë NATO, BE dhe OKB Paqeruajtësit e NATO-s në Kosovë do të reagojnë me vendosmëri ndaj çdo dhune brenda territorit, në përputhje me mandatin e Kombeve të Bashkuara. Ka qenë ky reagimi i Aleancës së Atlantikut të Veriut në lidhje me ngjarjet e djeshme në Mitrovicë. I cituar nga agjencia e lajmeve “Rojters”, zëdhënësi Xhejms Apathurai u shpreh se NATO-ja dënon ashpër sulmet e serbëve ndaj trupave të Aleancës që tensionuan një ditë më parë qytetin verior, Mitrovicën. “NATO-ja dënon në formën më të ashpër dhunën e parë në veri të Kosovës. Forcat e drejtuara prej Aleancës, KFOR-i, do t’i përgjigjet me vendosmëri çdo veprimi të dhunshëm, sipas mandatit të Kombeve të Bashkuara”, - tha Apathurai. Ai i cilësoi ngjarjet e djeshme si dhunën më të rëndë në vend qëkur Kosova shpalli pavarësinë, në 17 shkurt. Në një deklaratë të ndarë, ngjarjet e djeshme në Mitrovicë u dënuan edhe nga Bashkimi Evropian, i cili ka nisur gradualisht zbarkimin e misionit të vet policor në Kosovë. “Shpresoj që qetësia të rivendoset. U bëj apel të gjithë atyre që mund të qetësojnë situatën, që të bëjnë të pamundurën”, - u shpreh shefi i diplomacisë evropiane, Havier Solana, në një deklaratë për mediat në Lubjanë të Sllovenisë. Ai hodhi poshtë sugjerimet se dhuna që po ndodh aktualisht në veri të Kosovës, do të shtyjë misionin e BE-së, i cili pritet të nisë zyrtarisht në mes të qershorit të këtij viti. “Më lejoni të jem tepër i qartë. Përgjigja është jo. Misioni do të vazhdojë dislokimin e tij sipas kalendarit të përcaktuar”, - tha Solana. Një tjetër reagim ndaj ngjarjeve në Mitrovicë erdhi nga vetë sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun. Nëpërmjet një deklarate për mediat, ai kritikoi sulmet e serbëve kundër policisë së UNMIK-ut dhe trupave paqeruajtëse në Kosovë, të cilat u përpoqën të merrnin nën kontroll gjykatën e uzurpuar nga serbët në veri. “Sekretari i përgjithshëm dënon sulmet e dhunshme kundër misionit të OKB-së në Kosovë dhe personelit të KFOR-it”, tha zëdhënësja Michelle Montas, në zyrat qendrore të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Sipas saj, Ki Mun u bën thirrje të gjithë komuniteteve të vetëpërmbahen, duke theksuar nevojën për një dialog konstruktiv, për t’u përballur me këtë situatë. Montas shtoi se sekretari i përgjithshëm i OKB-së pret që të gjitha palët të frenohen nga ndonjë veprim apo deklaratë që mund të provokojë më shumë dhunë. Serbia mohon përfshirjen Zyrtarë serbë mohuan dje deklaratat në media, për përfshirjen e Beogradit në sulmet e dhunshme të një dite më parë në veri të Kosovës, ndërsa ministri serb për Kosovën akuzoi Kombet e Bashkuara dhe NATO-n si shkaktare të situatës. “Serbët nuk janë për dhunë”, - tha Sllobodan Samarxhiç, duke folur nga Mitrovica. Ai kërkoi lirimin e serbëve të arrestuar nga KFOR-i dhe i bëri thirrje popullit të qëndrojë i qetë dhe të ketë besim tek Beogradi. “Ajo çka na shqetëson para së gjithash sot, është jeta e njerëzve tanë në Kosovë”, - u shpreh Samarxhiç. Ndërkohë, një zyrtar i lartë i Agjencisë Shtetërore të Sigurisë mohoi akuzat për përfshirjen e qeverisë së Beogradit në konfliktin e krijuar. “Serbët në veri të Kosovës kanë pasur gjithnjë armë dhe ne e dimë këtë, ndaj kemi paralajmëruar shpesh policinë e UNMIK-ut, duke i bërë thirrje të mos provokojë dhunë”, - tha zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti. Sipas tij, kushdo që i kishte planifikuar sulmet e djeshme, kishte ndërmend të provokonte serbët në 4-vjetorin e ngjarjeve të 17 marsit 2004. “Të pretendosh se qeveria serbe është pas gjithë kësaj, është diçka qesharake. Nëse do të kishim dorë ne, atëherë do të kishim nën kontroll Kombet e Bashkuara dhe NATO-n. Këto deklarata janë vërtet qesharake”, - tha ai. “BIRN”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›