Gati skema e dëmshpërblimit të Gërdecit

Financat aktivizojnë fondet e buxhetit për dëmshpërblimin e të dëmtuarve. Fonde edhe nga donatorët
Qeveria ka përgatitur skemën e gjetjes së fondeve për dëmshpërblimin e familjeve të tragjedisë së Gërdecit. Menjëherë pas përgatitjes së faturës financiare, qeveria do të përdorë fondet e veta, por edhe të donatorëve për t’iu ardhur në ndihmë familjarëve. Burime pranë Ministrisë së Financave thanë për gazetën “Korrieri”, se fillimisht do të përdoret fondi rezervë dhe më pas ai i kontingjencës. Çdo fond i lënë në rezervë nga qeveria do të duhet me siguri të fillojë të konsumohet, por i cili është dhe i pamjaftueshëm. Fillimisht janë 20 milionë dollarë të fondit rezervë në buxhet për raste të paparashikuara, fondet e kontingjencës dhe çdo rialokim tjetër i mundshëm do të fillojë të llogaritet në bilancin e dëmshpërblimit. Duket se bëhet fjalë për vlera kolosale, që e kalojnë dhe fondin rezervë të Këshillit të Ministrave që përcaktohet parimisht brenda ligjit të buxhetit për çdo vit. Dëmet materiale të shkaktuara nga shpërthimi masiv në Gërdec të Vorës, mendohet të peshojnë tepër dhe si i tillë, kërkon vlerë të lartë dëmshpërblimi. Të pyetur në lidhje me çështjen më të madhe financiare, që vuri në lëvizje pa dyshim dhe drejtorët e buxhetit, këta të fundit shprehen se i gjithë fondi rezervë për rastet emergjente është automatikisht i destinuar për këtë rast. Sipas burimeve të Ministrisë së Financave, qeveria është angazhuar totalisht në dëmshpërblimin e shpejtë të banorëve, objektet dhe banesat e të cilëve kanë pësuar dëme materiale. Burimet bënë me dije se në këtë rast, i cili ka përmasat e tragjedisë dhe pasoja të rënda me kosto të larta financiare, qeveria parashikon të aktivizojë si fillim totalisht fondin rezervë dhe në një fazë të dytë fondin e kontingjencës. Vlera e fondit të kontingjencës është në 46 miliardë lekë, apo në rreth 50 milionë dollarë. Gjithashtu, në çdo rast nevoje fondesh, Ministria e Financave do të angazhohet në ekzekutimin e rialokimeve të mundshme brenda buxhetit. “Buxheti i këtij viti e ka një fond rezervë për këto raste dhe si fazë të dytë, qeveria parashikohet të përdorë edhe fondin e kontingjencave, të llogaritur në buxhetin e vitit 2008, si dhe rialokime nga burime të tjera”, thanë zyrtarë të financave. Ndërkaq, të gjitha organizatat botërore të cilat veprojnë edhe në Shqipëri apo edhe organizatat të tjera të huaja janë zotuar për akordim fondesh në nevojë të banorëve të Gërdecit dhe Vorës. Bëhet fjalë për të gjitha organizatat botërore, si Banka Botërore, Banka për Zhvillim e Komitetet Evropian dhe organizata të tjera që kanë shprehur gatishmërinë për ndihmë efektive. Megjithatë, zëvendësministri sqaroi se fondet që do të vijnë, duhet të kalojnë përmes procedurave të tjera teknike. Megjithatë, zyrtarët sigurojnë se aktualisht Ministria e Financave është duke u marrë me përgatitjen e kërkesave mbi fondet e mundshme, të cilat do të vijnë si ndihmë nga ana e këtyre organizatave.