Berisha: Prania e SHBA-së në rajon, garantim i paqes
Strategjia e re e Mbrojtjes së SHBA-së, e prezantuar pak ditë më parë nga Presidenti amerikan Barack Obama, ka qënë në fokus të takimit mes Kryeministrit Sali Berisha dhe Ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu.
Gjatë takimit, kryeministri nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të mbajtjes në të ardhmen të pranisë së SHBA-së dhe të NATO-s në rajon, si një kusht i rëndësishëm për garantimin e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit demokratik të këtij rajoni.
Ndërkaq, Ambasadori Arvizu u ndal në drejtimet kryesore të strategjisë, në të cilat theksohet një angazhim më i madh i SHBA-së në Azi, vazhdimi i angazhimit nëpërmjet partneritetit në Lindjen e Mesme dhe ritheksim i rëndësisë themelore që Evropa dhe NATO ka në strategjinë globale të SHBA-së.
Kryeministri ritheksoi angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare për të përmbushur detyrimet e saj, në kuadrin e NATO-s, si dhe përkrah aleatit të saj strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.