E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “President do të jetë një nga personalitetet e shquara të PD”

18-04-2012 / Gazeta 55

Gjatë bashkëbisedimit periodik që kryeministri Berisha mban me gazetarët, shefi i ekzekutivit ka konfirmuar edhe njëherë se përzgjedhja e kryetarit të shtetit do të ndjekë procedurën kushtetuese, e cila do të çojë në zyrën e presidencës, njërin nga personalitetet kryesore të Partisë Demokratike
 
Deklaratat e rëndësishme të intervistës së djeshme të kryeministrit
“Akuzat për interkonjeksionin me Kosovën vijnë nga mafia rajonale, e cila s’ka atdhe”
“Bamir Topi po e mbyll mandatin me shkelje të njëpasnjëshme të kushtetutës”
“Sondazhet e dëshpërojnë Ramën, sepse e nxjerrin PS-në 5 pikë pas PD-së dhe atë në një krizë lidershipi brenda së majtës”
 
“Nuk ekziston asnjë ngërç i vetëm midis Parlamentit dhe KLD-së. Ekziston një përpjekje e re për të dhunuar Kushtetutën e vendit nga Presidenti i cili e mbyll mandatin duke regjistruar akte rekord në historinë e një demokracie të dhunimit dhe thyerjes së Kushtetutës”.
Me një qëndrim të tillë u shfaq dje Kryeministri, Sali Berisha në një bashkëbisedim me gazetarët, ku iu përgjigj interesit të tyre mbi debatin e lindur së fundmi mbi zgjedhjen e nënkryetarit të ri të KLD-së. Ndërkohë që duke sqaruar më tej një çështje të tillë, kreu i qeverisë rikujtoi pikërisht ngërçin që krijoi vetë kreu i shtetit me zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës së Lartë apo të Gjykatës Kushtetuese.
Në vijim, Kryeministri u shpreh prerë se “ka një qëndrim absolutisht të papranueshëm antikushtetues, pasi jo rastësisht nënkryetari duhet të zgjidhet nga tre anëtarët e Kuvendit. Në frymën e Kushtetutës duhet të ketë një ‘check and balance’, duhet që në këtë proces të rëndësishëm të vendimeve të marrin pjesë disa faktorë”.
Gjatë konferencës, Kryeministri Berisha hodhi poshtë pretendimet për mundësinë e ndryshimeve në kabinetin qeveritar. Sipas tij, qeveria kaloi testin në majin që kaloi.
Në bashkëbisedimin e tij me gazetarët kreu i qeverisë shqiptare sqaroi dhe lidhur me shkrimin e botuar nga gazeta “Zëri”. 
“Kandidati për presidentin e ardhshëm do të jetë një nga personalitet e shquara të Partisë Demokratike”. Kështu u shpreh Kryeministri Berisha lidhur me një nga çështjet më të nxehta të axhendës parlamentare. Ndërkohë që nuk përjashtoi konsultimet me koalicionin qeverisës, por edhe me opozitën, mbi kandidaturat për kreun e ri të shtetit. Megjithëse, sipas tij, kjo e fundit i dha provat e saj mbi propozimet dhe mbështetjen ndaj kandidatëve të saj, pikërisht me kandidaturën e Vishës.
Ndërkaq kreu i ekzekutivit preferoi të bëjë të qartë lidhur me debatin në KLD, ku sipas tij, në rast se presidenti Topi do të këmbëngulë në qëndrimin e tij mazhoranca nuk do të ndërhyjë në kompetencat e Presidencës.

Në vazhdim, Kryeministri Sali Berisha, ju përgjigj pyetjeve të gazetarëve

Duket se është krijuar një ngërç i ri midis mazhorancës dhe Presidentit për emërimin e nënkryetarit e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ka pasur sot edhe një reagim të deputetit të PD-së për këtë çështje. Çfarë komenti keni?
Kryeministri Berisha: Nuk ekziston as edhe një ngërç i vetëm midis parlamentit dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ekziston një përpjekje e re për të dhunuar Kushtetutën e vendit nga Presidenti, i cili e mbyll mandatin duke regjistruar akte rekord në historinë e një demokracie, të dhunimit dhe thyerjes së Kushtetutës, të një zotërie që në konceptin më primitiv, më rudimentar, më të prapambetur e konsideron karrigen e presidentit mbi ligjin themelor të shtetit. Pikërisht për këto arsye, Gjykata e Lartë mbeti muaj të tërë pa kryetarin e saj. Pikërisht për këtë arsye, të njëjtin fat pësoi edhe Gjykata Kushtetuese. Në këtë psikologji u shkelmua vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që i kërkon kreut të shtetit të kooperojë me parlamentin në emërimet e tij, në mënyrë tekstuale dhe tani së fundi, i vendosur për interesa që ai i di vetë të shfrytëzojë të vetmin moment që i ka mbetur, sërish për të shkelur mbi Kushtetutën. Kushtetuta e Shqipërisë, në nenin 167-të, stipulon me qartësinë e kristalit se KLD-ja përbëhet nga 15 vetë, nga të cilët 9 janë detyrimisht gjykatës që zgjidhen nga trupa gjyqësore e vendit. Të tjerët janë personalitete ex officio dhe resti zgjidhen  nga parlamenti. Kushtetuta nuk ka lënë hapësirë që trupa gjyqësore e vendit të përfaqësohet nga 7 apo 8 vetë. Ajo është laksative, kur thotë se përfaqësohet nga 9. Kushtetuta, në frymën e saj thotë se nga këta 9 gjykatës nuk mund të zgjidhet nënkryetari. Trupës gjyqësore i ka dhënë shumicën, në mënyrë që në këtë ekzekutiv, pasi KLD-ja është qeveria e drejtësisë, ajo të ketë shumicën dhe nuk mund të ketë nënkryetarin, pasi 9 duhet të jenë 9 anëtarë, përveç matematikës së kaosit apo tjetër. 9 duhet të jenë 9! Vetvetiu del pyetja: po nënkryetari që duhet të jetë funksionar? Në frymën e Kushtetutës, nuk mund të jetë tjetër, përveçse një nga përfaqësuesit e parlamentit. Nuk mund të jetë ministri, sepse Kushtetuta nuk e lejon atë të ushtrojë asnjë funksion tjetër veç ministrit, nuk mund të jetë kryetari i Gjykatës së Lartë se Kushtetuta ka të njëjtën tagër për të. Pra, për të gjithë ata që nuk janë ose nuk bëhen analfabetë të Kushtetutës për qëllime të qarta e të paqarta, nënkryetarin, Kushtetuta e ka përcaktuar të zgjidhet nga  parlamenti. Të njëjtin gjë, me të njëjtën përgjegjësi, përcakton vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2006. Meqenëse ligjvënësi ka bërë një gabim në ligjin e KLD-së, Gjykata Kushtetuese, vendimi i së cilës është normë i barabartë me normën kushtetuese, thotë se trupa gjyqësore e vendit do të përfaqësohet në KLD nga 9 gjykatës. Pra, ka mbyllur çdo derë, dritare, frëngji, xhep apo çfarëdo që të jetë ajo. Ajo nuk ka lënë hiatuse. Por të supozojmë të kishim një boshllëk ligjor, të supozojmë se Kushtetuta nuk shprehej taksativisht për 9 gjykatës, atëherë si do të veprohej në këtë rast? Në një të drejtë tjetër, përveç kësaj, precedent është ligji. Qëkur KLD-ja është bërë me nënkryetar në këtë vend, ai ka qenë një përfaqësues i parlamentit. Kjo me Presidentin Meidani, kjo me Presidentin Moisiu, kjo me Presidentin Topi, por tani që u shkarkua nënkryetari i tij, edhe pas tre precedentësh, për qëllime obskure, primitive, të padenja për një zyrtar, do të përmbysë përcaktimin e Kushtetutës, do të përmbysë përcaktimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, do të përmbysë precedentin. Ndër të tjera, pasi humbi edhe Vishën e tij, do që ta mbyllë mandatin me një akt si ky. Pra, nuk ka një përplasje midis mazhorancës dhe Presidentit, por ka një qëndrim absolutisht të papranueshëm ndaj Kushtetutës, ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndaj precedentit të vendit. Dua t’ju them se jo rastësisht është përfaqësuesi i parlamentit, ai që duhet të zgjidhet dhe që e ka paracaktuar Kushtetuta, përderisa ka qenë taksative për 9 gjyqtarë, përderisa e ka rikonfirmuar në mënyrë po kaq taksitive Gjykata Kushtuese. Kushtetuta mund të thoshte se nënkryetari do të zgjidhej nga këta 9 gjyqtarë, por këtë nuk e thotë se në frymën e Kushtetutës duhet të ketë check and balance dhe duhet që në këtë proces shumë të rëndësishëm të emërimeve të marrin pjesë disa faktorë. Në procesin e emërimit të gjykatësve nuk ka një praktikë unike, por ka një sens që shpërndarja e pjesëmarrjes në këtë proces - është fjala për Gjykatën e Lartë - i bën këto institucione më të balancuara, sepse natyrisht janë institucione me peshë shumë të madhe në jetën e vendit e jo vetëm këtu, por në çdo vend të botës, kanë në mënyrë të padiskutueshme influenca të ndryshme, edhe politike, pasi personalitete janë edhe ata. Mazhoranca është e vendosur të respektojë institucionin e Presidentit të Republikës dhe zoti Topi do ta mbyllë sa i përket mazhorancës, ditë më ditë mandatin e tij. Ne respektojmë institucionet kushtetuese të vendit.
 
Është artikuluar nga shumë deputetë të PD-së mundësia për ndryshime në qeveri. A është koha për të bërë ndryshime në qeveri pasi në kabinetin tuaj, zoti Kryeministër, ka ministra që prej vitit 2005?
Paraardhësit e mi e shndërruan qeverinë në një hipodrom, për të mos thënë ndryshe në një stallë hipodromi, ku i shalonin kuajt me radhë dhe i dhanë vendit 74 kryeministra, ministra, zëvendëskryeministra, sa mua më duhet kohë t’u kujtoj postet e funksionet, kur u drejtohem atyre në parlament. Unë jam i një stili tjetër dhe nuk e kam qeverinë stallë hipodromi. Kabinetet nuk janë kuaj, por janë pozicione të larta ekzekutive, për t’u ushtruar me përgjegjësinë më të madhe ligjore. I përgjigjet ligjit dhe programit të qeverisë të shpallur nga kryeministri, gjatë fushatës elektorale dhe të miratuar nga parlamenti. Është i sigurt në punën e tij dhe nuk e kërcënon as pasioni për koka turku, as grupet apo kimizmi i këtij ato atij ndaj tij. Unë besoj se ministrat dhe zyrtarët duhet të vlerësohen mbi bazën e meritës. Qeveria kaloi testin më të shkëlqyer, në muajin maj të vitit që kaloi. Ajo mori 142 mijë vota më shumë, se koalicioni i së shkuarës, e bëri Tiranën me kryetar të ri e me ekip të ri. Mbase për herë të parë, qytetarët po shohin në sheshet e tyre lule dhe bëjnë mesazhe se nuk ju besohet ku janë, pasi ishin mësuar të shihnin vetëm gropa, vetëm plehra. Dua t’ju rrëfej një detaj. Javën e shkuar u bë debati për mbetjet urbane. Përfaqësuesi i PS-së, i cili, po të ishte se njeriu pasurohet për fjalën në njësi kohe, do ishte një nga të pasurit më të mëdhenj të Ballkanit, tha gjithçka, por nuk tha dot se Tirana nuk është e pastër. Kur e pyetën mbrapa, ju tha: ç’të flisja unë, u solla vërdallë katër orë dhe nuk gjeta një qoshe, të bëja një foto për t’jua sjellë këtu. Por edhe më të forta janë poll-et. E dini si i dalin zotit Rama? Më dëshpërueset në historinë e tij. Në të gjithë karrierën e tij politike, ai nuk ka pasur kurrë polle të tilla dëshpëruese. Po jua them: 1. PS-ja del 5 pikë pas PD-së. Jo në koalicione 2. Edi Ramën e votojnë 40 përqind e socialistëve dhe Sali Berishën 90 përqind e demokratëve, pasi në to bëhet edhe studimi i pozicionit të liderit në parti dhe më e tmerrshmja, i del Lulzim Basha që e votojnë 35 përqind e socialistëve. Projektin e poll-it ia kanë bërë firma opinionesh nga më seriozet në botë, që paguhen një shumë përrallore në muaj. Dhe zoti Rama i thotë entourage-it të tij: unë nuk ju frymëzoj juve për udhëheqje, por do të bëj organizimin. Por le t’i lëmë këtu, se unë nuk merrem me poll-et, por me votat, me mendjen dhe zemrën e qytetarëve shqiptarë...
 
 
Një ditë më parë një nga mediat kosovare botoi një shkrim, sipas të cilit, shteti shqiptar bllokon qëllimisht projektin e financuar nga KfW për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Tiranë-Prishtinë. A mund të na shpjegoni arsyet e këtij bllokimi, tenderi i të cilit ka përfunduar një vit më parë, ndërkohë që po sipas kësaj gazete, që shkon edhe më tej, ky bllokim bëhet qëllimisht nga djali juaj, në bashkëpunim me biznesmenë serbë?
Përsa i përket pjesës së dytë, djali im i ka dhënë përgjigje të qartë dhe e keni të botuar sot në gazetë. Cili ishte realiteti tjetër? Kjo ishte një klithmë e radhës e mafies së dëshpëruar. Për Sali Berishën, mafia nuk ka atdhe. Atdhe i saj është shpella, ku ndan paratë e krimit. Mafia nuk ka fytyrë, por ka vetëm fytyrën e krimit. Mafia nuk ka moral, por vetëm trofetë që plaçkit. Në rastin konkret, janë përgjigjur sot qartësisht si Sipërmarrja e OST-së dhe Ministria e Financave. OST-ja ka informuar shqiptarët se oferta, për të cilën pretendon Edi Rama, është 30 përqind më e shtrenjtë, më e kushtueshme, se oferta për të cilën drejtuesi i OST-së mendon se duhet të fitojë. Po ashtu, Ministria e Financave të vendit ka informuar sot shqiptarët se nuk ka pranuar dhe nuk pranon një borxh prej 10 milionë dollarë më shumë, mbi shpatullat e shqiptarëve, për shkak të preferencave që tregojnë cilido qoftë, për një kompani e për të përjashtuar një tjetër. Ajo që di unë, është se ka pasur një ankesë në Departamentin përkatës në Këshillin e Ministrave. Departamenti ka bërë kontrollin, ka marrë vendimin dhe ia ka përcjellë autoritetit kontraktues. Po, ka një motiv politik që më është paraqitur. Punonjësit e kontrollit më informuan se u është thënë se, meqenëse firma është boshnjake dhe Bosnja nuk ka njohur Kosovën, ajo nuk mund të fitojë. Do të më falni, por kjo nuk përbënte një motiv për mua, sepse para se të nxirrej kjo arsye, firmës boshnjake i duhej thënë se për arsye se vendi yt nuk ka njohur Kosovën, nuk mund të marrësh pjesë në tender. Pra, firma e dytë, për të cilën OST-ja dhe drejtuesi i saj insiston të shpallet fituese, ka prurë një ofertë - të dyja në kushte të përafërta teknike - prej 27 milionë euro për territorin e Shqipërisë, kundrejt 36 milionë euro që është oferta e parë. Këtu çmimi lëviz me 1/3-ën dhe kush navigon në këtë 1/3, është punë tjetër. Por mafia nuk ka atdhe, nuk ka komb, nuk ka as banesë. Ka vetëm shtepa. Kryeministri dhe qeveria e këtij vendi nuk është me ligj, autoritet kontaktues. Më parë ka qenë, por ligjet e reja e kanë përjashtuar si autoritet kontraktues. Natyrisht, qeveria, ministrat janë gardianë të interesit publik. Iniciator kryesor i kësaj linje [interkonjeksioni] është Sali Berisha dhe për këtë merrni dokumentet. Jam unë, ai që para 5 vitesh i ka kërkuar me insistim Bankës Gjermane të Zhvillimit, financimin e kësaj linje dhe u jam shumë mirënjohës. Kanë bërë studimin dhe i kam qëndruar mbrapa. Dëshirat i kam shumë të mëdha, por ligjet janë ligje. OST-ja, grupi i kontrollit që ka shkuar konstatuan se diferenca është rreth 30 përqind. Këto para vërtetë janë kredi e Bankës Gjermane të Zhvillimit, por ky është borxh, garancinë sovrane të të cilit e ka Ministria e Financave. Është kjo e fundit që firmos këtë marrëveshjeje dhe ajo nuk gjen dot asnjë motiv që me 30 përqind më shumë të pranojë të rëndojë taksapaguesit shqiptarë. Linja e interkonjeksionit do të bëhet, por mënyra e organizimit të tenderave, e vlerësimit të tyre është ligjore dhe kjo nuk mund të ketë rrugë tjetër. Sot dëgjova se u kujtua edhe ky të bëhet patriot, më së fundi dhe unë e mirëpres, por ra në grackë, i doli, notonte edhe ky tek 30 përqindëshi. Aty është pika e mjaltit. Nuk ka diskutim që linja do të bëhet, por rregullat nuk mund të thyhen se është një diferencë shumë e madhe...
 
Ju thoni që presidenti ka bërë një propozim antikushtetues për çështjen e KLD, por megjithatë lini të kuptohet që nuk do të ketë një hetim nga parlamenti. Në se presidenti nuk e tërheq propozimin në KLD ose arrin të bëjë votat për njeriun e tij në KLD, ju do ta kontestoni në rrugë ligjore vendimin e KLD?
Pyetja e ka vet përgjigjen, do të ketë shumica një nisëm për zotin Topi? Jo nuk do të ketë, unë jam përcaktuar shumë muaj më parë se ne nuk ndërmarrim ndonjë nisëm për arsye se janë muajt e fundit. Ai regjistroi standardet më të papranueshme në atë institucion. Aty bëhen çdo ditë mbledhje partiçke, ndoshta kanë ftuar dhe edhe ndonjërin prej jush aty. Imagjinoni ju institucionin e parë të vendit të shndërruar në një partiçkë të vogël, duke u përpjekur të krijojë mbështetës në mënyra nga më të ndryshmet. E ka një thënie Viktor Hygo “nuk njihen më flamurë, as komandantë”. Presidenca është shndërruar në selinë e një partie të vogël, por ne vendosëm që të tolerojmë dhe e garantojmë zotin Topi se deri në ditën që ti behet ceremonia e kalimit të pushtetit do të jetë  i qetë për sa i përket kësaj mazhorance. E kërkon rregulli. Propozimi i nënkryetarit të këshillit të lartë të drejtësisë, në përputhje me ligjin e KLD është kompetencë e Presidenti të Republikës dhe këtu nuk ka asgjë kundër. Si do e përdorë këtë kompetencë, nuk ka asgjë për tu habitur, është e qartë se po e përdor duke thyer kushtetutën, por ajo që po bëjmë ne është që po i qartësojmë qytetarët. Ty të kanë dhënë një të drejtë të dalësh në atë ballkon dhe të mbash një fjalë, por në qoftë se hidhesh nga ballkoni në tokë, është puna jote. Si të abuzosh me të drejtat e tua. Pra nuk kemi as edhe një nisëm veçse deklarojmë se gjithçka është në kundërshtim me frymën dhe germën e kushtetutës. Në se do të hidhesh, hidhu.

Kur ka mbetur vetëm një muaj nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e presidentit, a ka Kryeministri Berisha apo Kryetari i Partisë Demokratike, një emër në kokë ose një listë emrash ku mund përzgjedhë mes tyre nga mazhoranca dhe ky proces votimi për presidentin do të ketë konsultime me LSI-në për emrin e maxhorancës, pra të PD apo do të merrni nga zoti Meta një emër prej tij?
A ka Sali Berisha ndër mend ndonjë emër? Një grup i tërë personalitetesh të shquara të PD mund të ulen në atë karrige dhe garantoj se e përmbushin atë detyrë, me dinjitet. Se cili do të jetë ai, do të jenë forumet dhe kryetari i partisë që do ta përcaktojnë. Pa diskutim që do të ketë konsultime me koalicionin, konsultime mund të bëhen edhe me opozitën dhe nuk e përjashtoj këtë fakt sepse është një proces unik. Nuk mund të them se nuk do të jetë kushtetues, do të jetë patjetër i tillë, por kjo konsultimet nuk i përjashton. Në qoftë se them se do të ketë konsultime, unë nuk them hajde dëgjo atë që them unë. Aty secili do të shprehë mendimin e tij, konsultimet janë të hapura, por Presidenti do të jetë një nga personalitetet e shquara të Partisë Demokratike. Tani po bëhen diskutime që të jetë pa parti, që të jetë as i majtë e as i djathë. Por kjo teori u përmbys që në zgjedhje. Ai që e reklamoi këtë, e harroi dhe nuk e përdor më këtë fjalë. Presidenti duhet të jetë politik, sepse ai nuk është post bamirësie, ai është post përfaqësimi dhe nuk ka diskutim që është post politik. Është e vërtetë që nuk ka pushtet ekzekutiv, por është e vërtetë që ka pushtet të fuqishëm në sistemin e drejtësisë. Është e vërtetë që ka të gjitha nderet e kombit, është e vërtetë që ka një seri funksionesh, prandaj ai duhet të jetë njeri me integritet të lart , me fibër politike, duhet të jetë patriot, atdhetar, duhet të jetë njëri me mbështetje, në mënyrë që vendi të ketë një president të suksesshëm...

Gjatë takimit që patët së fundi me Partitë Popullore Evropiane, cili është garancia apo mbështetja që keni marrë nga ky grupim  për sa i takon integrimit të vendit?
Në Bruksel ishte një konferencë  e organizuar nga grupi i PPE dhe Presidenti i saj Jozef Doll me një pjesëmarrje shumë të gjerë, siç e patë ju të përfaqësuesve të të gjitha agjencive, ambasadave, grupeve parlamentare dhe në fokus ishin zhvillimet në Shqipëri. Pa diskutim që organizmi i saj kishte si qëllim një dëshmi  të interesit të PE-së për zhvillimet në Shqipëri, por dua të theksoj se këto janë tërësisht të varura nga reformat që ne do të bëjmë. Deri tani unë vlerësoj ecurinë e tyre, pavarësisht nga disa momente që janë jashtëzakonisht të panevojshme sepse po të marrim parasysh zhvillimet  e fundit, si u soll zoti Edi Rama, sikur t’ia kisha dhënë unë Vishën atij. Ndërkohë që unë mirëprita publikisht nismën e opozitës për të konkurruar. Natyrisht në betejë, ai që tërhiqet nuk fiton kurrë. Janë disa rregulla. Ai u tërhoq dhe një javë rresht në 5 editoriale - pasi i ka lënë edhe ciuciut - nga rreshti parë në të fundit kishte të përsëritur fjalën vjedhje. Por çfarë vjedhje ishte ajo? Një votë me dorë të fshehur thellë në butonin e votimit.

Në çfarë fazë është projekti Trans-Adriatik, i cili është cilësuar si një projekt madhor për Shqipërinë?
TAP-i, i cili është projekti më i madh në Evropë i kësaj kohe, është në shqyrtim e sipër. Projekti ka fizibilitetin e shkallës më të lartë, kjo është e vërteta. Disa zemër thyerje të krijuara nga vendimi i parë duket se do të jenë kalimtare, pasi TAP-it,  i intereson të njëjtat vende që i interesonte edhe tek projekti i përjashtuar. Projekti i përjashtuar ishte Greqi-Itali dhe Shqipëria merrte një degë, nga Igumenica në drejtim të Vlorës. Përsëri TAP është projekt kryesisht i këtyre dy vendeve, Greqi-Itali dhe Shqipërisë. Kështu që gjithnjë  e më shumë klima për TAP po ngrohet, natyrisht është një proces jo i përfunduar, një proces kompleks, por është vendimmarrja më e rëndësishme në fushën e energjisë pasi sjell drejt Evropës një burim të madh gazi që nuk ka ekzistuar. Qeveria përpiqet më te gjitha mjetet  e veta dhe një gjë është e sigurt, që ne do të bëjmë gjithçka për të përmbushur çdo detyrim që rrjedh nga kalimi i këtij projekti nëpër Shqipëri. 

Ju Rrugën e Elbasanit e keni konsideruar veprën e dytë më të rëndësishme në vend pas rrugës së Kombit, do të përfundojë kjo rrugë brenda afateve?
Rruga po ecën shkëlqyer. Puna ka filluar. Inaugurimi zyrtar është çështje ditësh dhe tuneli është i Pavarësisë. Do të bëjmë një konfesion këtu. Nëse nuk kishim të gatshëm projektin e parlamentit, këtë e kishim të gatshëm, por problemi ishte se a do të mundin që kompanitë ta finalizonin në 100 vjetor apo jo, kjo kishte pikëpyetje. Tuneli do të hapet në 100 vjetor dhe e konsideroj këtë vepër më të madhen që mund të bëhej.  Natyrisht firma ka marrë porosi për të bërë projektin e ndërtimit të parlamentit.

Votimi më i fundit në parlament për zgjedhjen e anëtarit të KLD-së tregoi që brenda mazhorancës kishte rrjedhje votash. A ka krisje të marrëdhënieve mes PD dhe aleatit të saj LSI ?
Do të kërkoja njerëzisht të mësosh një gjë. Fitorja  e ngushtë apo e gjerë, e madhe apo e vogël është diamant. Në qoftë se, diamanti do të shndërrohej  në eter vetëm fitore mund të ishte. Kështu që ajo ishte një fitore. A mundet që fitorja të alterojë marrëdhënie?! Fitorja vetëm përmirëson marrëdhënie. Kështu që të garantoj se koalicioni nuk ka asnjë problem, kurse ajo ishte fitore. E kemi në himn ne “nga lufta vetëm ai largohet’. Ai u largua, iku, firmosi vetë kapitullimin, z. Rama.

Në 19:30 Presidenti Topi ka një konferencë për shtyp, ndoshta nga deklaratat që ju keni bërë. A keni një mesazh?
As edhe një mesazh. No comment

Kanë kaluar afatet për Artan Zenelin, pse nuk po e shqyrton mazhoranca këtë propozim?
Kandidatura e z. Zenelaj, për të cilin unë nuk mund të bëj qoftë edhe një vërejtje të vetme, as pozitive as negative, për kandidatin, sepse do jenë procedurat parlamentare që flasin. Ajo ka ardhur në kundërshtim me normën kushtetuese të vendosur nga Gjykata Kushtetuese. Nuk ka asgjë personale me kandidatin. Jo. Por z. Topi mendon se karrigia e presidentit qëndron dhe mbi gjykatën e kushtetutën. Ne e bëmë një lëshim për forca mazhore, sepse po të linim KLSH pa kryetar, si ekzekutiv do të bënim një veprim shumë të gabuar, sepse ai institucion kryesish kontrollon ekzekutivin.

Fakti që në të gjitha daljet tuaja publike përmendni partiçkat, që mund të ndërtohen dhe duke iu referuar ligjit elektoral i cili edhe partiçkave me një plus apo me një minus ju jep vlerën e diamantit. A është kjo një lloj kujdesjeje  ndaj 2013 dhe për presidentin që PD është e vendosur ta marrë, është ky një shqetësim i arsyeshëm për fitoren ose jo në 2013?
Absolutisht jo.  Sepse unë përballë kam Edi Ramën, satelitët e tij nuk më lëndojnë, përkundrazi në këtë sistem elektoral del qartë se ku rrëmojnë, por një gjë është se pluralizmi është pluralizëm. Unë mbetem i përcaktuar për respektim  të të gjithë spektrit të tij. Nuk kam asnjë lidhje këto. Natyrisht nuk ka ditë më të zezë për atë institucion sesa shndërrimin e tij në një partiçkë, sepse njeriu ka integritetin, ka dinjitetin, ka kurajon. Jep dorëheqjen dhe deklaron se unë do të ndërtoj partinë dhe do të ndjek karrierën politike, por nuk i bën atij institucioni atë që i bëri z. Topi. Z. Topi ka plotësisht të drejtë të përkujdeset për të ardhmen e tij politike, normale si çdo politikan, por nuk ka kurrë të drejtë të shndërrojë presidencën e vendit, KLD-në, në parti politike. Ko nuk ka ndodhur kurrë, përveçse në rekordin e tij.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›