Topalli, Yokomichi: Investitorët japonezë, interes për potencialet ekonomike të Shqipërisë
Dita e dytë e vizitës së saj zyrtare në Japoni, Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli nisi me një takim nga homologu i saj, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Takahiro Yokomichi. Në takim Kryetarja e Kuvendit vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë, e cila përmes projekteve të rëndësishme ka kontribuuar për fuqizimin e kapaciteteve institucionale, sociale dhe ekonomike të Shqipërisë.
Ajo shprehu rëndësinë e nxitjes së vizitave të ndërsjellta, të grupeve të miqësisë apo të komisioneve të ndryshme parlamentare. “Unë i besoj fort diplomacisë parlamentare dhe rolit të saj për të inkurajuar bashkëpunimin ekonomik. Shqipëria sot ofron shanse dhe potenciale të rëndësishme për investitorët e huaj. Vizita juaj në Tiranë do të shënojë një ngjarje historike në marrëdhëniet midis dy vendeve”- theksoi Topalli.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Yokomichi ndau të njëjtin mendim me Kryetaren e Kuvendit, se bashkëpunimi parlamentar bëhet nxitës edhe për bashkëpunim ekonomik në ato fusha ku ka interes reciprok si turizmi, sektori i minierave dhe ai energjetik.
“Unë vlerësoj shumë faktin që ju shoh të vendosur dhe gjithë pasion për të promovuar vendin tuaj. Me takimet dhe bisedat e sotme ju keni ndarë shumë mendime me ne, duke nxitur për hapa të tjerë konkrete bashkëpunimi. Dhomat e Biznesit duhet të përcjellin mesazhin se vendi juaj ofron potenciale me interes për investitorët japonez. Bashkërisht duhet të nxisim ministrat tanë të ekonomisë por dhe të fushave të tjera të shkëmbejnë vizita për të parë të gjitha mundësitë”- tha z.Yokomichi.
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi kurajon dhe angazhimin, me të cilin populli japonez në një kohë shumë të shkurtër arriti të fshijë gjurmët e shkatërrimit natyror në zonat e prekura nga tërmeti.
Kjo është vizita e parë e një Kryetari Parlamenti nga Shqipëria në Japoni, vend kontribuues në shumë projekte të suksesshme dhe programe në fusha të ndryshme në vendin tonë.