Berisha President për herë të tretë? Edhe mundet, por nuk është demokratike

Analistët shqiptarë nuk e shikojnë si të pamundshme politikisht dhe ligjërisht që Kryeministri Berisha ta mbyllë karrierën e tij aktive në politikë, atje ku e ka nisur, pikërisht në postin e Presidentit të Republikës. Por analistët e forumit tonë duket se shohin një problem etik në këtë mes, nisur nga fakti se, sipas tyre, jetëgjatësia politike e Berishës si ish-president dhe Kryeministër me dy mandate të fituara, nuk ka nevojë të shkojë përtej. Nga ana tjetër, Andrea Stefani, Blendi Kajsiu dhe Skënder Minxhozi nuk i marrin edhe shumë seriozisht deklaratat e kreut të qeverisë, se do të vazhdojë të jetë në pushtet edhe për disa dekada të tjera. Sipas tyre, këto deklarata bëhen për të mbuluar problemet aktuale politike që ka vendi dhe për të frenuar mesa të munden aksionin politik të opozitës.
1. Kryeministri Berisha ka deklaruar pak ditë më parë se nuk ishte çudi që ai të kishte edhe 35 vjet të tjera në politikë. Duke parë të shkuarën e tij, si e parashikoni të ardhmen e tij politike?
2. A e shikoni mundësinë politike dhe ligjore të një rikthimi të Berishës në postin e Presidentit të Republikës?
1. Para pak ditësh kam botuar në “Shqip” një artikull lidhur me këtë deklaratë provokative të Berishës. Dhe nuk provokon vetëm rivalët e tij të pushtetit, por në radhë të parë demokracinë dhe parimin e saj të rotacionit të lidershipit. Nuk ka tregues më sintetik të mungesës reale të demokracisë liberale në një vend, sesa jetëgjatësia e pazakontë e një lideri në krye të qeverisë dhe politikës. Berisha kërkon t’u thotë të gjithëve se ai do të qëndrojë në pushtet sa t’ia ketë qejfi dhe se do të jetë pikërisht “demokracia” mekanizmi që do ta mbajë atë në pushtet për aq dekada sa nuk është në natyrën e një demokracie. Po ta analizosh këtë paradoks, do zbulosh se prapa tij qëndrojnë faktorë aspak demokratikë, që nga jeta e brendshme e PD-së e deri te mentaliteti klanoro-tribal i mbështetësve të tij.
është pikërisht e kaluara e Berishës që më bind se ai nuk do tërhiqet kurrë nga politika, se nuk do zbresë vetë kurrë nga kali i pushtetit, vetëm nëse bie. Uroj që ajo pak demokraci ta rrëzojë sa më shpejt, sepse do të ishte një sinjal se demokracia liberale nuk do të vdesë dhe horizontet e saj do hapeshin përsëri. Ka qenë një fatkeqësi për Shqipërinë që kreun e proceseve politike pas rënies së komunizmit e rrëmbeu një njeri si Berisha, me natyrë thellësisht destruktive dhe mendësi të konsoliduar komuniste. Gjithçka që ai bën, që nga dita kur hyri në politikë, është zbatimi i parimeve komuniste dhe enveriste të sundimit në kushtet e reja të epokës demokratike. Berishizmi si praktikë politike, sepse teori nuk ka, është enverizmi i kohës sonë. Edhe këmbëngulja e Berishës për të qëndruar në politikë 30 e kusur vjet, është manifestim i mendësisë së tij enveriste. Kjo s’do koment. Një lider i vërtetë demokrat do bënte të kundërtën, edhe po ta votonte “populli”, do vetëlargohej duke imituar Xhorxh Uashingtonin dhe shumë liderë të tjerë. Por Berisha nuk mund të bëjë ndryshe. Idhulli i tij i fshehtë është Enver Hoxha, që qëndroi 40 vjet në pushtet dhe jo Uashingtoni që qëndroi vetëm 8 vjet. Veç atë që e mban të fshehur ja denoncon epshi i pangopur për pushtet. Të krijohet përshtypja se Berisha ka një lidhje ekzistenciale me pushtetin, se nuk do të mund të mbijetonte dot pa pushtet. Natyrisht, ambicia e realizuar e Berishës për të monopolizuar kreun e politikës (deri tani për më shumë se dy dekada) përbën një disfatë të demokracisë liberale në Shqipëri dhe parimin e saj të rotacionit të udhëheqësisë. Për këtë duhet fajësuar edhe niveli i ulët i një pjese të shoqërisë shqiptare që vazhdon të votojë tribalisht politikanë si Berisha. Për të mos folur për klanet e oborrit berishist që e përdorin kultin arkaik dhe jetëgjatësinë e tij në pushtet për t’u pasuruar parazitarisht me ritme galopante dhe në kurriz të interesit publik.
2. Fakti që shtrohet problemi nëse një lider që ka tashmë mbi 20 vjet në krye të politikës, mund të qëndrojë edhe më, është shprehje e papjekurisë së shoqërisë sonë. Më shumë se shoqërive perëndimore, ne po tregojmë se u përqasemi atyre lindore. Një problem i tillë është shtruar në Rusi lidhur me të ardhmen e Putinit. Dhe jam i bindur se Putini do arrijë ta zgjidhë ekuacionin “ligjor” në mënyrë që të bëhet përsëri President. është vetë stadi i shoqërisë ruse që ia krijon atij një oreks dhe shans të tillë, gjë që nuk ndodh kurrë me një lider në Perëndim, ku masat për shkak të emancipimit dhe mungesës së fanatizmit, lodhen shpejt me një lider dhe parapëlqejnë ta ndërrojë “gjellën”. Janë edhe institucionet që bëhen zbatuese të mendësisë masive dhe jo të epshit të një politikani apo klani politik. Jo pak shqiptarë janë mësuar të hanë edhe vetëm “groshë” për vite me radhë, prandaj nuk është çudi që edhe Berisha t’ia arrijë një objektivi të tillë. Atje ku pushtetet nuk janë realisht të ndara, si në Shqipëri, është e vështirë që pushteti i një njeriu të kufizohet edhe në kohë. Nuk është aspak çudi që Gjykata Kushtetuese, të cilën Berisha po e pushton pak nga pak, t’ia krijojë përsëri atij këtë mundësi. Por do të qe fatale për demokracinë, lirinë e qytetarëve dhe fatin e Shqipërisë. Mjafton të bësh bilancin e Shqipërisë në këto 20 vjet që është drejtuar nga Berishët dhe Nanot. është më e varfra në rajon (përjashtuar ndoshta Kosovën), me demokraci të prapambetur, pa liri lëvizjeje, me integrim të kërcënuar. Duke mos pasur drejtësi të pavarur, nuk ka as të drejta të mbrojtura për qytetarët e Shqipërisë. Të pambrojtura janë e drejta e punës, e drejta e pronë dhe e drejta e fjalës. Të gjitha këto janë përbërës pa të cilat liria është një fjalë boshe. Fakti që liria nuk po triumfon, por po zbythet, është rrjedhojë edhe e luftës së fshehtë dhe me vepra që i bëjnë asaj politikanë të kallëpit të Sali Berishës. Dhe kur një shoqëri toleron që ata të rizgjidhen pafundësisht në krye të punëve të saj, tregon se nuk është e pjekur për lirinë dhe Europën, por tenton të arratiset drejt skllavërisë. Sepse me një lider 20-35 vjet në pushtet, shqiptarët duhet ta harrojnë Europën dhe integrimin me të.
1. Mendoj se është për të ardhur keq që deklaratat sa bombastike, po aq edhe të parëndësishme të Kryeministrit Berisha, si kjo e 35-vjeçarit në politikë, analizohen me kaq seriozitet në media. Berisha thotë “do të rri 35 vjet në politikë” dhe menjëherë fillon debati pa fund dhe pa krye, që shtron një sërë pyetjesh pa vlerë: Po sa do rrijë realisht? Po ku do rrijë pikërisht? Po si do rrijë konkretisht? A thua se po u largua Berisha, do ndryshojë realisht diçka në qeverisjen dhe skenën tonë politike. E kështu harrohet se Berisha është produkt shumë më tepër se shkak i sistemit tonë politiko-meditiko-ekonomik. Harrohet se berishizmi si fenomen i personalizmit të politikës dhe pushtetit është një simptomë e të gjithë politikanëve në të gjithë krahët e politikës sonë. Ndaj largimi i Berishës nuk do prodhojë asgjë përveçse një hapësirë tjetër për një berishë të ri.
Kështu, në vend që të diskutojmë arsyet se përse sistemi ynë politiko-ekonomik prodhon berishizëm, ne flasim për Berishën. Në vend që të merremi me shkakun, merremi me pasojën. Arsyeja është e thjeshtë: pasoja është e prekshme, e thjeshtë dhe e dukshme, ajo na bezdis çdo ditë, ka një emër, një zë, një fytyrë: Berisha. Shkaqet janë komplekse, ato kanë të bëjnë me një sistem global ekonomik, në të cilin Shqipëria është pjesë e asaj periferie që përmbush nevojat e qendrës europiane dhe po kthehet gjithnjë e më shumë në një koloni ekonomike, ku pushtetarët në shkëmbim të mbështetjes politike nga Brukseli dalin me nisma të tipit “Shqipëria 1 euro”, ku Shqipëria shitet për nevojat e ekonomive fqinje. Shkaqet kanë të bëjnë me një sistem politik që zhvillimin, demokratizimin dhe vetë legjitimimin e tij e shikon si diçka që buron nga jashtë, nga Brukseli, dhe jo nga popullsia shqiptare, e cila në ligjërimin elitist lokal dhe ndërkombëtar shikohet si ‘primitive’, ‘e prapambetur’, e ‘pakulturuar’, ‘katundare’ apo ‘injorante’. Shkaqet burojnë nga një sistem pseudo-demokratik, ku vetë ligji më shumë importohet dhe imponohet nga jashtë, sesa buron nga brenda; ku hendeku mes ligjeve që aprovohen në Parlament dhe realitetit shqiptar veçse rritet. Për sa kohë këta faktorë dhe ndërveprimi mes tyre nuk kuptohet dhe kritikohet, Berisha dhe Berishërat do jenë në pushtet për shumë më tepër se 35 vjet.
2. Nuk shikoj asnjë pengesë ligjore apo politike që e pengon Berishën të jetë President, duke pasur parasysh që Kushtetuta jonë e gatuar nga binomi Rama-Berisha e ka reduktuar Presidentin në një nëpunës të mazhorancës. Në kushte të tilla, do ishte më mirë për reputacionin e institucionit të presidencës, që President të ishte kryetari dhe jo një nëpunës dosido i mazhorancës. Ndërsa për demokracinë dhe ndarjen e pushteteve, diçka e tillë do të përbënte një atentat, edhe pse një atentat të legjitimuar nga Kushtetuta. Se sa janë shanset që diçka e tillë të ndodhë realisht, pra që Berisha të zgjidhet President, nuk mund ta them. Mënyra më e saktë e mundshme për të përcaktuar këtë probabilitet është organizimi i një basti me pjesëmarrjen e analistëve politikë, gazetarëve politikë dhe politikanëve (deputetëve) nga të tria krahët, PD, PS, LSI, duke kuotuar dy mundësi: 1 – Berisha President, 2- Berisha Jo-President.
1. E parë ashtu siç ajo u kumtua nga Kryeministri, shprehja e mësipërme vlen më shumë për emisionin “Portokalli”, sesa si një mundësi reale. Megjithëse po shpenzon shumë energji për të vazhduar ta paraqesë vetveten si një alternativë e palëvizshme, si e vetmja pikë referimi e së djathtës, megjithëse e kuron çdo ditë imazhin e tij (sipas mënyrës së vet), duke u shfaqur sa më dendur nëpër media, Kryeministri Berisha e ka të pamundur të na bëjë të ndryshojmë mendimin se karriera e tij politike ndodhet tashmë në kurbë rënëse. Berisha është politikani shqiptar më i konsumuar, ndër ata që janë ose jo në jetën politike aktive. Në këtë mënyrë, edhe 35 vjet të tjera me të në krye të “diçkaje”, qoftë kjo qeveria, presidenca apo partia, duken thjesht të pamundura. Le të themi më mirë se këto deklarata të përsëritura rreth jetëgjatësisë politike të Berishës, synojnë më shumë që të dekurajojnë aksionin politik të opozitës dhe votuesin e saj, si dhe të krijojnë një moment epërsie në batutat e përjavshme të Parlamentit, ku, siç e dimë prej kohësh, ka më shumë humor, hipokrizi dhe gënjeshtër, sesa në jetën reale.
2. Kjo ka qenë një temë e hedhur së fundmi nga revista “Mapo”, e cila e ka parë këtë më shumë si një mundësi teorike, sesa reale. Natyrisht që posti i Presidentit do të qe një “sistemim” jo i keq për një politikan që po e mbyll karrierën e tij politike. Ai post do t’i jepte zotit Berisha edhe një pesëvjeçar të ri qetësie dhe imuniteti për veten dhe njerëzit e tij të afërt, si dhe do ta mbante në krye të një institucioni të lartë të shtetit. Por që të arrijë në këtë pikë, për zotin Berisha duhet të ndodhin dy gjëra: e para, që atij t’i ulet dëshira për të qenë edhe më tej Kryeministër (pra, pas vitit 2012), si dhe e dyta, që ai të përsërisë një precedent si ai i Rumanisë, ku Jon Iliesku ngulmoi që të vazhdojë të zgjidhet President, edhe pse i kishte konsumuar dy mandate. Zoti Berisha i ka konsumuar dy mandate presidenciale, mes viteve ‘92-‘97, çka bën që Kushtetuta t’ia ndalojë zgjedhjen e mëtejshme. Por Kushtetuta është aprovuar në vitin 1999, e kjo do t’i jepte teorikisht (e theksoj, vetëm teorikisht) mundësinë atij që të pretendojë ta fillojë gjithçka nga e para. Pra, që të zgjidhet edhe për dy mandate të tjera. Personalisht e shoh pak të mundur që Berisha t’i hyjë një sherri të tillë juridik, që do ta maiste edhe më keq situatën politike dhe do t’i bënte edhe më agresivë kundërshtarët e tij. Megjithatë, të shohim...