E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bota është e velur me ekzotizmin e diktaturave

Debat i hapur Anilda Ibrahimi

Në vijim të debatit mbi letërsinë dhe temat e zgjedhura nga shkrimtarët shqiptarë që jetojnë në vende të huaja, por edhe nga botuesit për sa u përket librave që parapëlqejnë të përkthejnë nga shqipja në gjuhë të huaja, libra që rrëfejnë më tepër mbi periudhën e komunizmit në Shqipëri, shkrimtarja Anilda Ibrahimi rrëfen preferencat, eksperiencën dhe zgjedhjet personale që ka bërë në fushën e letërsisë

Shkrimtarja Anilda Ibrahimi, në përgjigje të debatit të hapur në gazetën “Shqip” në lidhje me temat e zgjedhura nga shkrimtarët që jetojnë në vende të huaja, të cilat kryesisht i referohen diktaturës komuniste, tregon përvojën dhe zgjedhjet e saj. Ajo nuk pranon se letërsia e shkrimtarëve të lindur në Shqipëri, por e shkruar në gjuhë tjetër, penalizon letërsinë shqiptare të përkthyer jashtë shtetit. Megjithatë, nuk mohon se shumë shkrimtarë kanë treguar ekzotizmin e diktaturës të bindur që Perëndimi kishte nevojë për këtë rrëfim. “Personalisht, nuk e kam konsideruar këtë fushë si fushën e privilegjuar të temave të mia, sidomos për respektin e madh që kam për viktimat e diktaturës. Krizat e mia ekzistenciale i kam zgjidhur prej kohësh, ajo që më intereson më tepër në këtë moment është rrëfimi për kënaqësinë e rrëfimit, si dhe evolucioni si shkrimtare gjë që arrin mbi të gjitha jo nga temat, por nga format e reja të gjuhës, të stilit dhe të kërkimit”, thotë ajo.

Përse shkrimtarë si ju që keni zgjedhur të shkruani në gjuhë të huaja, parapëlqeni të sillni për lexuesin (që më së shumti është i huaj) subjekte letrare që kanë të bëjnë me anën e errët të historisë së vendit nga vini?

Personalisht, nuk besoj se bëj pjesë në këtë kategori. Kur u ula të shkruaja romanin tim të parë, qëllimisht u nisa nga ajo që njihja më mirë, “nëse njeh mirë argumentin, fjalët vijnë vetë” ka thënë Catone. Ajo që njihja më mirë ishte universi femëror, bota e pasur e grave që jetonin në një sistem patriarkal e megjithatë me forcën dhe zgjuarsinë e tyre ishin të zonjat të mos nënshtroheshin, por të lëviznin në një hapësirë paralele brenda mureve të shtëpisë, në një formë matriarkati të kamufluar. Mbi të gjitha më interesonte trashëgimi i një pasurie kulturore që transmetohet nga nëna tek e bija, dhe me këtë nënkuptohet një kulturë femërore që ka të bëjë me gojëdhënat, nina-nanat, marrëdhëniet me gjininë tjetër, historitë e familjes, këngët, vajet etj. Kisha nevojë unë në radhë të parë, të rikrijoja të shkuarën nga e cila vija. Kam edhe motive të tjera, personale. Unë jam një grua e emancipuar, por jam kundër feminizmit, emancipim nuk do të thotë imitim i meshkujve. Në Perëndim vazhdon ende një luftë e heshtur e ashpër ku shumë femra mendojnë që liria jonë, si gjini, do të jetë në momentin e marrjes së pushtetit nga duart e gjinisë mashkullore. Mua nuk më intereson kjo luftë. Afirmimi im bëhet si individ, si femër dhe jo si refleks i asaj që na kanë bërë meshkujt në shekuj si kategori, dhe as në lidhje me atë që bëjnë sot. Për të rindërtuar të shkuarën time më duhej të rindërtoja përditshmërinë e fëmijërisë time, një portret realist të asaj përditshmërie që në mënyrë të pashmangshme ishte e kushtëzuar nga klima politike e sociale e momentit. Të rrëfesh jetën në kompleksitetin e vet do të thotë të sjellësh edhe dritëhijet e saj, do të thotë të merresh pa dashur me politikë. Mendoj që periudhën e errët të historisë së vendit tim duhet ta tregojnë historianët, të cilëve u takon analiza dhe biografia e asaj shoqërie, e cila sipas meje i ishte nënshtruar karizmës (dhe dhunës) së diktatorit, gjë që ndodh në të gjitha sistemet diktatoriale.

është një zgjedhje personale, apo ndjesitë që keni në lidhje me vendin e origjinës janë më tepër të lidhura me atë periudhë që keni kaluar më gjatë aty?

Ishte zgjedhje personale për arsyet që përmenda me lart. Periudha e kohës që unë kam kaluar aty i përket asaj periudhe të errët për të cilën flisni. Megjithatë, vetëm një pjesë e romanit tim “Rosso come una sposa” flet për atë periudhë, pjesa tjetër niset nga një botë arkaike që sot ka lënë gjurmë vetëm në zonat më rurale të vendit. Romani im i dytë ishte i zhvendosur në luftën e fundit të Ballkanit dhe ky që kam në dorë po ashtu, zhvillohet tjetërkund. Në zgjedhjet e temave të mia nuk ka një llogaritje matematike dhe as një dëshirë për hakmarrje me të shkuarën. Krizat e mia ekzistenciale i kam zgjidhur prej kohësh, ajo që më intereson më tepër në këtë moment është rrëfimi për kënaqësinë e rrëfimit, si dhe evolucioni si shkrimtare, gjë që arrin mbi të gjitha jo nga temat, por nga format e reja të gjuhës, të stilit dhe të kërkimit.

Për lexuesin e huaj ka më shumë interes njohja e kësaj pjese të historisë së vendit nga vini?

Besoj që kureshtja e të huajve për parantezën diktatoriale është kënaqur, jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Europën e Lindjes. Këtë vit mbushen njëzet e një vjet nga rënia e murit të Berlinit, në botë bien dhe ngrihen diktatura të reja, bota nuk ka ngelur statike në vitin 1989. Mendoj që kjo është sidomos ndjesia nga brenda vendit, e ndjek pak jetën e brendshme, por me aq sa e ndjek kam frikë se një pjesë e shqiptarëve janë akoma në pritje të asaj që do të ndodhë me rënien e komunizmit, ndërkohë që komunizmi është varrosur prej kohësh. Theksoj, jo për faj të tyre, faji nuk është i popujve, por i klasave drejtuese. Më bën përshtypje edhe një fenomen tjetër që ka të bëjë me polemika ngritur nga elitat kulturore. Me këtë rast dua të theksoj, që letërsia e shkrimtarëve të lindur në Shqipëri, por e shkruar në gjuhë tjetër, nuk është letërsi shqiptare, kështu që nuk penalizon në asnjë mënyrë letërsinë shqiptare të përkthyer jashtë shtetit. Milan Kundera që shkruan në frëngjisht nuk ka ndikuar aspak në përkthimin e bashkatdhetarit të vet, Havel Vaclav, apo Agota Krytof me nobelistin Imre Kertèz. Janë rryma krejt të ndryshme, unë nuk e konsideroj veten shkrimtare shqiptare. Gjuha është ajo që përcakton letërsinë dhe jo origjina e shkrimtarit. Përse atëherë përkthehet pak nga gjuha shqipe? S’ka të bëjë aspak me cilësinë e letërsisë, ky është fati dramatik i gjuhëve të vendeve të vogla. Ekziston edhe shovinizmi i gjuhëve, rëndësia e tyre varet nga numri i personave që e flasin. Mund t’ju them që të njëjtin problem kanë edhe shkrimtarët italianë, letërsia italiane bashkëkohore përkthehet shumë pak në anglisht.

Tema të tilla, sigurojnë për shkrimtarin sukses të librit?

Theksoj, ndoshta ndodhte në vitet e para, kur mbizotëronte një kuriozitet patologjik për atë që kishte ndodhur brenda diktaturave. Shumë shkrimtarë kanë treguar ekzotizmin e diktaturës të bindur që Perëndimi kishte nevojë për këtë rrëfim. Personalisht, nuk e kam konsideruar këtë fushë si fushën e privilegjuar të temave të mia, sidomos për respektin e madh që kam për viktimat e diktaturës. Mendoj, që në “Rosso come una sposa” shpeshherë kam qenë e penalizuar për arsye të temave. Për shumë motive, njeri është ai që thashë më lart, bota pas dy dhjetëvjeçarësh është e velur me ekzotizmin e diktaturave. Motiv tjetër është aplikimi i etiketës “Scrittori migranti”, kjo etiketë i ofron lexuesit një pozicion periferik dhe margjinal të shkrimtarit. E lë në një kontekst etnik, e kufizon në një kategori jashtëletrare, gjë që vështirëson vlerësimin e kësaj letërsie. Nga ana tjetër, një vlerësim i ri i kësaj letërsie ku përcaktohet ajo që është letrare, duhet të marrë si akse referimi letërsinë bashkëkohore italiane, kështu që do të çonte pa dashje në një rivlerësim të letërsisë italiane. Vetë kjo letërsi është e interesuar ta lërë në një kontekst etnik, pikërisht është kjo jehona që arrin në Shqipëri dhe shkakton debate. Jua garantoj që asnjë shkrimtar i vërtetë nuk e kërkon suksesin në këtë prizëm leximi. Në këtë moment jam e interesuar për identitetin tim letrar dhe jo atë nacional. Identitetet ndryshojnë me ndryshimin e shoqërisë, identiteti nuk është fiks, nuk është kategorik. Duke konsideruar postmodernizmin, në fund të fundit është vetë nocioni i identitetit ai që hyn në një krizë përfundimtare.

Megjithatë, mjaft shkrimtarë zgjedhin të përcjellin temën e komunizmit për lexuesin. Mendoni se është një zgjedhje fillestare e një shkrimtari, i cili synon që fillimisht të njihet me lexuesin për atë që është dhe nga vjen e më pas të kalojë në tema më universale letrare?

Motivet e zgjedhjeve janë të ndryshme, unë të miat i shpjegova gjerësisht në këtë intervistë. Gjithsesi, temat e zgjedhura kanë të bëjnë më tepër me aspektin human dhe historik dhe jo me atë letrar, për sa me përket jam e bindur që cilësia dhe forca narrative e një autori nuk varen nga këto aspekte.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›