E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-ministri Pango abuzoi me detyrën

Zyrtari ftoi në shtëpinë e tij private vajzën që kërkonte një vend pune

Gjyqtarët, që vendosën t’i japin të drejtë ish-ministrit Ylli Pango në padinë e tij ndaj publikimit të abuzimit me detyrën nga “Fiks Fare”, morën një vendim absurd, i cili godet rëndë gazetarinë investigative. Pyetja që lind është se a ka abuzuar me detyrën ish-ministri, apo do ta kalojmë këtë rast si ai të ishte një qytetar i thjeshtë dhe jo një person publik. Gazetarët bënë detyrën, opinioni e dënoi veprimin, politika reagoi menjëherë, duke e quajtur veprimin e tij si abuzim flagrant dhe Kryeministri e shkarkoi nga detyra menjëherë. Në një vend si ky i yni, ku korrupsioni dhe abuzimi me detyrën janë probleme madhore, nëse do të goditet gazetaria investigative, si në këtë rast emisioni “Fiks Fare”, atëherë pasojat do të jenë katastrofike. Me këtë vendim absurd të gjykatës, ku fitoi zyrtari, “të cilit na i qenka shkelur privatësia”, ndaj gazetarisë investigative askush nuk do ta marrë guximin të ndeshet me raste të tilla të abuzimit me detyrën nga funksionarët shtetërorë.

Madje ky rast do të shërbejë si referencë për njësimin e vendimeve të tjera të këtij lloji, sa herë që paditësit, funksionarë shtetërorë dhe persona publikë do t’i drejtohen gjykatës për dëmshpërblim moral. Edhe pse ka një kod etike për punonjësin e administratës publike, ku përfshihen edhe anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe ku qytetarët presin shërbim korrekt prej tyre, rasti “Pango” nuk është parë nga trupi gjykues si abuzim me detyrën dhe shkelje e Kodit të Etikës. Në ligjin nr. 9131, datë 8.9.2003, “Për Rregullat për Etikën në Administratën Publike”, në nenin 1 thuhet: “Ky ligj ka për qëllim të vendosë rregullat e sjelljes së nëpunësve të administratës publike, sipas standardeve të kërkuara, t’i ndihmojë ata për arritjen e këtyre standardeve dhe të vërë në dijeni publikun për sjelljen që duhet të ketë nëpunësi i administratës publike”. Ndërsa më tej, në fushën e veprimit, dispozitat e këtij ligji “përbëjnë detyrim për të zgjedhurit, anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe gjyqtarët”. Ndërsa në nenin 3 përcaktohen parime të përgjithshme të etikës, ku “zyrtari në kryerjen e detyrave të mos shfrytëzojë asnjëherë pozitën për interesin e tij privat”.

Për rastin në fjalë, gazetaria investigative, kur shikon se funksionari shtetëror abuzon me detyrën, duhet të përdorë të gjitha mjetet për ta vërtetuar atë, që t’ia japë më pas opinionit publik, pasi ministri e merr rrogën falë taksave që paguajnë qytetarët. Në rastin konkret nuk ndërhyhet në jetën private të Ylli Pangos, por në jetën publike të ministrit, sepse ai shfrytëzoi detyrën, pra fton një vajzë në shtëpinë e tij, kur kjo e fundit ishte në kërkim të një pune.

Në vendimin e gjykatës thuhet se togat e zeza e marrin parasysh padinë e ish-ministrit dhe dënojnë “Top Channel”, duke pretenduar se ka paraqitur të dhëna të pasakta, jo të vërteta dhe të përftuara në mënyrë të paligjshme. Duke u ndalur te ky argumentim do të duhet të thuhet se a nuk ishte zoti Pango ai që ka biseduar në telefon apo dhe drejtpërdrejt me gazetaren, pasazhe këto të transmetuara nga “Fiks Fare”. Ndërsa për sa i përket filmimeve të paligjshme, ka plot raste në botën e qytetëruar që funksionarët publikë janë investiguar nga gazetarët dhe paparacë, në asnjë rast ata nuk janë penalizuar nga këta të fundit. Mos vallë morën lejen e personave të investiguar gazetarët që kryen denoncimin e rastit të ish-sekretarit të Ministrisë së Kulturës në qeverinë e Karamanlis, ata që fotografuan vajzat e ftuara në “Haremin” e Berluskonit, apo fotografuan princeshën e Monakos. Janë dhjetëra raste ku mund të flasim për mospenalizim të medias dhe jo vetëm kaq, por personat e kapur “gafil” as që kanë shkuar në gjykatë.

Gjykata shkon deri aty sa të ndalojë televizionin në publikimin e materialit, pasi ato na cenokan zotin Pango, por harrohet se tani ai është qytetari Pango, ndërsa në kohën e investigimit ishte ministri i Kulturës. Pra mosdallimi nga gjykata i qytetarit Pango nga ministri Pango duket se po e fut në qorrsokak edhe opinionin publik.

Ndërsa gazetarët e kanë të qartë se bëhet fjalë për një vendim të paprecedentë dhe që synon të godasë dhe të kufizojë gazetarinë investigative. Gazetarë të njohur janë shprehur se me këtë vendim nuk dënohet abuzimi me pushtetin, por ata që e denoncojnë këtë, ndërsa nënvizojnë se investigimi i “Fiks Fare” nuk ka shkelur as Kodin Penal dhe as Kodin e Etikës të gazetarisë.

“Nuk është shkelur asnjë Kod Etike. Ministri Pango ka shkelur të gjitha kodet e mundshme, ka shfrytëzuar postin dhe ka arritur të zbërthejë të gjitha mbërtheckat që zotëron një zyrtar publik. Gjyqtarët që kanë gjykuar këto raste nuk kanë qenë kaq të politizuar sa ky që dha këtë vendim të paprecedentë”, deklaroi gazetari Arban Hasani. Ndërsa në unison me të është edhe kolegu i tij, Ilir Babaramo, i cili e cilëson vendimin si “skandaloz”.

“është një vendim skandaloz, sepse bëhet fjalë për një çështje që njihet gjerësisht nga opinioni publik dhe gjobitet me 400 mijë euro televizioni më i madh në vend. Guximi i këtyre gjyqtarëve ka kaluar çdo pafytyrësi”, u shpreh Babaramo. Sipas dy gazetarëve të njohur, në këtë mënyrë i është “vënë shkelmi” gazetarisë ivestigative dhe u është dhënë mundësi zyrtarëve që të zgjerojnë skandalet e tyre. “Me këtë vendim i mbyllet dera gazetarisë investigative. Me këtë vendim inkurajohen të gjithë zyrtarët se mund të shkelin ligjin dhe të mos kenë asnjë pasojë. Janë këta zyrtarë që po shfrytëzojnë këtë pushtet dhe po penalizojnë gazetarët. Rasti i ‘Fiks Fare’ u përdor në momentin e parë nga politika si moment për të reflektuar. Qeveria u mburr me shkarkimin e Pangos, por tani duket se ky ka qenë një vendim i imponuar nga rrethanat”, vijoi Hasani. Kurse sipas Babaramos: “Kur dënohet televizioni më i madh në vend, mendoni se çfarë mund të ndodhë me qytetarët e thjeshtë”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›