Berisha: Presidenti sipas Kushtetutës, por nga mazhoranca
Mbarimi i periudhës së dashurisë mes dy forcave kryesore politike dhe ndezja e debatit mes tyre kanë qenë në qendër të diskutimit dhe analizës nga kryeministri i vendit Sali Berisha, në një konferencë për shtyp, ku nuk kanë munguar dhe cështje të tjera aktuale, pa lënë mënjanë debatin e nxehtë për zgjedhjet presidenciale.
Shefi i qeverisë ripërsëriti se mazhoranca është e hapur për konsultime me të gjitha forcat parlamentare për kandidaturat për President Republike duke saktësuar se në çdo rast është e vendosur për ta zgjedhur Presidentin vetëm në përputhje me Kushtetutën e vendit.
“Unë jam shumë bashkëpunues dhe sundimi i ligjit është standardi që bashkon vendet e lira. Në këtë kontekst, ne jemi të hapur të diskutojmë me të gjithë faktorët parlamentarë, kandidaturat apo kandidaturën për President Republike, por në çdo rrethanë ne mbetemi të vendosur t`i japim vendit një President në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë”, theksoi kryeministri.
Ai nënvizoi këtu se nuk do të lejojë shkeljen e Kushtetutës dhe neneve të miratuara në të në vitin 2008, veçanërisht për zgjedhjen e Presidentit me shumicë të thjeshtë, e cila sipas tij parandaloi një krizë institucionale.
“Do të ishte qesharake dhe joserioze që ne të zëvendësonim Kushtetutën me forma të tjera të paparashikuara. Zgjedhja e Presidentit me 3/5 e votave mori fund në vitin 2008, me nënshkrimin e marrëveshjes mes opozitës dhe mazhorancës, që faktoi qëllimin më madhor, atë të parandalimit të një krize institucionale dhe futjes së Shqipërisë në një elektroshok zgjedhor një-vjeçar. Ne përshtatëm Kushtetutën e Shqipërisë për zgjedhjen e Presidentit, që nuk ndërhyn në periodicitetin e zgjedhjeve parlamentare”, tha ai.
Në këtë kontekst , ai nënvizoi se kryetari i opozitës Edi Rama është i lirë të paraqesë kandidatin e opozitës apo kandidaturat për President Republike.
“Në rast se zoti Rama do t`i japë votat ne do ta mirëpresim. Sikundër është i lirë të paraqesë kandidatin e tij. Ky do të jetë një proces kushtetues. Unë i qëndroj asaj, që ne kërkojmë një President nga radhët e mazhorancës”, u shpreh Berisha.
Berisha rezervoi edhe një sulm ndaj Gazmend Oketës për largimin nga PD, duke thënë se ai ishte një ministër Mbrojtje që nuk guxonte të bënte pyetje në mbledhjet e grupit. Berisha tha se në mbledhjet e grupit të PD ka diskutime dhe ngrihen probleme.
“U garantoj se në çdo mbledhje, ose në shumicën, deputetët ngrenë probleme që kanë të bëjnë me çështje të zgjedhësve të zonave të tyre elektorale, sikundër deputetët ngrenë edhe probleme të përgjithshme.
Deputeti Oketa as tani as në kohën kur ka qenë në institucionet më të larta në qeveri, nuk ka ngritur qoftë edhe një problem të vetëm në mbledhjet e grupit parlamentar të PD. Të besoj unë që ish- ministri i Mbrojtjes ishte frikacak të ngrinte çështje në mbledhjet e grupit parlamentar, kjo nuk më konvenon. Vetë Oketa ka marrë pjesë në mbledhje rregullisht dhe nuk ka ngritur as edhe një problem, as kur ka qenë zëdhënës, as kur ka qenë deputet. Kështu që shkaqet e këtij divorci duhet t`i kërkoni tjetër kund. Investigoni ju gazetarët. Në mbledhjet e grupit flet çdo njeri. Në grupin parlamentar ngrihen rëndom probleme, në mënyrë konstante. Të gjitha çështjet politike janë diskutuar dhe diskutohen me grupin parlamentar të PD. Jam i hapur për çdo diskutim. Zoti Oketa ka zgjedhur një mënyrë tjetër. Të vetmen keqardhje që kam është se u largua si Namik Dokle, jo si një përfaqësues i një brezi tjetër. Këtë Gazmend Oketa nuk duhet t`ia bënte vetes së tij. Kaq”- tha ai.
Në lidhje me hetimet e 21 janarit Kryeministri ka akuzuar Promkurorinë se po shet dosjen, duke shkatërruar hetimin.
Duke u zhvendosur në Kosovë Berisha marrëveshjen e saj me Serbisë e vlerësoi kështu:
“Sigurisht u bë një kompromis. Një kompromis mes dy palëve. Të dy palët e kanë bërë këtë kompromis për një qëllim që ia vlen. E kanë bërë për rrugën evropiane, për të garantuar të ardhmen e tyre në rrugën evropiane. Kosova pranoi fusnotën sepse ajo ishte e domosdoshme për të sepse pesë vende të BE nuk e kanë njohur Kosovën. Pa votën e këtyre pesë vendeve hapat e Kosovës drejt BE do ishin shumë të vështira. Pra, nuk është Serbia dhe marrëdhëniet me Serbinë qëllimi i parë. Jo, kjo ka të bëjë me perspektivën evropiane të Kosovës”.