Berisha: Presidenti, sipas procedurave kushtetuese
TIRANE- Kreu i qeverisë, Sali Berisha ka siguruar raportuesit e Këshillit të Europës, Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenco se ndryshimet konsensuale kushtetuese të vitit 2008 bënë të mundur që procesi i zgjedhjes së presidentit të mos përbëjë një faktor krize politike.
Ai ka siguruar po ashtu se, zgjedhja e presidentit te ardhshem do të bëhet në përputhje të plotë me procedurat e parashikuara nga Kushtetuta.
Berisha ka shprehur angazhimin e mazhorancës për heqjen sa më shpejt të imunitetit për zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët në konsensus të plotë me opozitën.
Lidhur me reformën zgjedhore, kryeministri i është përgjigjur interesit të raportuesve të KiE-së, duke shprehur besimin e tij se kjo reformë do të përmbushet me sukses dhe në mënyrë konsensuale mbi bazën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Berisha ka rikonfirmuar edhe njëherë si prioritete të qeverisë së tij, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.