Fule: Vullneti, hapi i parë për të kapërcyer ngërçin politik
Politika shqiptare dhe konfliktet e vazhdueshme që ka shkaktuar ajo përbëjnë arsyet kryesore për komisionerin e zgjerimit të BE-së, Stefan Fule, që edhe këtë vit Shqipërisë t’i thuhet jo përsa i përket statusit të vendit kandidat. Duke prezantuar pikat kryesore të progres-raportit për të gjitha vendet që aspirojnë të bëhen një ditë pjesë e BE-së, Fule gjatë një konference për shtyp lidhur me Shqipërinë ka theksuar se procesi integrues është penguar kryesisht nga problemi politik. “Progresi në Shqipëri është penguar nga ngërçi i vazhdueshëm politik dhe zhvillime të tjera konfrontuese”, - tha Fule, duke mos ndarë përgjegjësitë mes palëve. Nga vlerësimi që kemi bërë ne për 12 rekomandimet, rezulton se ka ende shumë punë për të bërë”, - tha Fule në fjalën e tij. E ndërsa tashmë i konsideron përfundimet e raportit një fakt të kryer, ai kërkon që vëmendja të përqendrohet pikërisht te zgjidhja e problematikave apo atyre çështjeve të cilat nuk u bënë të mundura të ezauroheshin gjatë periudhës së shkuar. Ndaj ai duke vlerësuar përpjekjet e kohëve të fundit të partive politike shqiptare për t’u marrë vesh dhe për t’i dhënë fund ngërçit politik, Fule thekson nevojën e një besimi më të madh mes aktorëve politikë në vend. “Kohët e fundit shikohen disa sinjale pozitive që partitë politike kërkojnë të rifillojnë bashkëpunimin. Kjo është e nevojshme urgjentisht për të rivendosur dhe për të mbajtur nivelin e bashkëpunimit që do të lejonte progresin drejt Bashkimit Europian, në rrugën drejt integrimit. Më lejoni t’ju kujtoj angazhimin e Komisionit dhe duke ardhur nga Parlamenti Europian për të ndihmuar të gjitha partitë në Shqipëri, të gjitha palët në Shqipëri për të kaluar mosbesimet dhe për të gjetur një themel për qeverinë që të krijojë aftësinë për të krijuar kushtet që të ketë një proces përfshirës edhe për opozitën që të jetë një partner konstruktiv në këtë proces. Vullneti është hapi i parë dhe shpresoj se bazuar në këtë vullnet, do të jemi gati që të kapërcejmë ngërçin politik dhe të zgjidhim çështjet kryesore”, - tha Fule. Ndërkohë, për mediat shqiptare ai ka bërë të ditur edhe hapat nga duhet të nisë ky proces bashkëpunues, duke evidentuar fillimisht reformën zgjedhore, për të cilën ai ka sjellë në vëmendje një element shumë domethënës dhe aktualisht është bërë shkak për dështimin e negociatave mes dy partive kryesore politike në Shqipëri. Pra, Fule në mënyrë të qartë ka bërë të ditur se ajo duhet të kryhet sipas rekomandimeve të ODHIR dhe vlerësimeve që do të japë Komisioni i Venecias për pyetjet e ngritura nga socialistët lidhur me zgjedhjet e shkuara. “Nga njëra anë kërkohet reforma elektorale dhe ndryshimi i Kodit Elektoral sipas rekomandimeve të OSBE-së, si dhe opinionit të Komisionit të Venecias, për të cilën ky komision po punon. Nga ana tjetër, nevojitet zbatimi i 12 rekomandimeve”, - u shpreh Fule. Pavarësisht vlerësimeve jo pozitive që përmban raporti i bërë publik dje, Fule ka lënë të hapur mundësinë që në rast të një progresi të dukshëm Parlamenti Europian mund t’i kërkojë Komisionit një rivlerësim të situatës për Shqipërinë.