Berisha: Projektet energjetike me Kosovën janë çështje kombëtare

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, deklaroi dje në mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës se çështjet strategjike të energjisë mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk janë thjesht probleme mes dy shteteve, por hyjnë te çështjet me rëndësi kombëtare. Këtë deklaratë, kreu i qeverisë e bëri teksa ishte duke folur për ndërtimin e pesë hidrocentraleve në komunat e Kukësit dhe ku kërkohet një marrëveshje për ujërat me palën kosovare. “Ujërat kufitare kudo zgjidhen me komisione ndërkufitare, ndaj dhe një komision ndërkufitar po krijohet dhe do të shqyrtojë të gjithë tërësinë e këtij problemi, siç ka shqyrtuar këtë çështje me Maqedoninë dhe Malin e Zi. Tani, këtu te Kosova e kemi më ndryshe problemin, sepse këtu do të merret për bazë interesi kombëtar, i cili pavarësisht se është i ndarë në dy shtete, është një”, theksoi Berisha. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë theksoi se në Shqipëri do të ndërtohen dy parqe, të cilët do të përdorin erën për të çliruar energji elektrike. Sipas vendimeve të këtij këshilli, këto parqe energjetike do të ndërtohen në Bilisht të Qarkut të Korçës dhe në Kryevidh të Kavajës. Por kreu i qeverisë, Berisha, deklaroi se ishte e rëndësishme që ndërtimet në këto parqe të ishin brenda të gjitha standardeve për mbrojtjen e mjedisit dhe nga ana tjetër nuk duhet të interferojnë në zhvillimin e zonave turistike afër tyre. Kujdes të veçantë kreu i qeverisë kërkoi për parkun energjetik në Kryevidh, i cili është afër zonës bregdetare që do të përdoret për resorte të mëdha turistike. “Lidhur me parkun eolik në Kryevidh, duhet marrë në konsideratë fakti se kjo zonë është e përshtatshme për ndërtimin e këtyre parqeve, pasi matjet dëshmojnë që fluksi i erës është i përfillshim. Por duhet që studimi të garantojë eliminimin e ndotjes akustike, në respektim të përparësisë që ka kjo zonë, turizmit. Nuk do të pranohet që parku të krijojë zhurmë për të gjithë zonën, që është nga më të bukurat, si Spilleja etj.”, bëri thirrje Berisha. Sipas tij, në këtë projekt, vlera e të cilit do të kapë shifrën e 144 milionë eurove, distanca e turbinave duhet të jetë e atillë nga zona turistike, që zhurma e tyre të jetë zero. Po kështu, Kryeministri theksoi se kjo është një kërkesë në tërësi për bregun dhe për të gjitha kompanitë e turizmit. Përveç projekteve energjetike që pritet të ndërtohen, kreu i qeverisë “Berisha” e vuri theksin edhe te ndërtimi i një zone turistike me resorte masive në Vilë-Bashtovë, në Komunën Gosë të Kavajës. Sipas Kryeministrit, ky do të jetë një nga projektet më të mëdha turistike në vend prej 1.2 miliardë euro. “Projekti ndërthur disa elemente si shfrytëzim i pjesëve më panoramike të zonës, ndërtim i mjediseve sportive dhe do të ofrojë mjedise akomoduese për 30 mijë pushues, e gërshetuar kjo edhe me turizmin ditor”, deklaroi Berisha. Por sipas tij, ky projekt nuk do të prekë tokat bujqësore, por do të shfrytëzojë pikërisht ato toka të cilat kanë qenë të lëna djerrë.
#