E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët, kallëzim për Bojaxhiun: Shkeli Kushtetutën

Në Hamallë, ish-të persekutuarit e regjimit komunist vazhdojnë të persekutohen nga të gjitha regjimet

Kallëzim penal ndaj kryeinspektorit të Ndërtimores, Gjergj Bojaxhi, dhe forcave të policisë nga banorë të Hidrovor-Hamallaj. Kallëzimi penal i është drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme dhe Kryeprokurores së Republikës, Ina Rama. Menjëherë pasi kanë dhënë një deklaratë për mediat, në qendër të qytetit të Durrësit, katër banorë të Hamallajt janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë së Durrësit për verifikime, i pacenuar ka qenë vetëm ish-deputeti i PD-së, i Kuvendit Popullor në legjislaturën ‘92-‘96, mjeku Simon Puto, që lexoi dhe deklaratën e banorëve si formë reagimi për presionin policor dhe institucional që po ushtrohet ndaj tyre. Banorët e Hamallajt kanë ngritur një padi pranë Prokurorisë së Përgjithshme për gjenocid dhe një sërë veprash penale të konsumuara më 1 korrik, ditën e revoltës së Hamallajt ndaj aksionit të ndërtimorëve për prishjen e ndërtimeve pa leje. Në padi deklarohet se nga Bojaxhi, forcat e Policisë së Shtetit dhe ato të Inspektoratit Ndërtimor janë konsumuar 15 vepra penale dhe konkretisht ato të parashikuara në nenet: 73, 74, 112, 119, 120, 150, 154, 248, 250, 254, 261, 265, 266, 267 dhe 274 të Kodit Penal, ndërsa si bazë ligjore për të mbështetur kallëzimin e tyre është neni 283 i Kodit të Procedurës Penale. “Jemi burra, gra, fëmijë, pleq dhe plaka që po vuajmë terrorin dhe represionin më të madh në vite. Kemi më shumë se katër ditë që flemë jashtë dhe ruajmë se punonjës të paskrupullt, në zbatim të urdhrave të padrejta, vijnë e na godasin, na shkatërrojnë shtëpitë deri dhe na vrasin”, shprehet shqetësimi i banorëve në padinë e hartuar, ndërsa deklarojnë se ndryshe nga ajo që thotë Bojaxhi, ata janë vendosur në Hamallaj në vitin 1990 e në vazhdim dhe toka mbi të cilën kanë ndërtuar u është dhënë në përdorim nga komuna dhe konform procedurave ligjore dhe se ata si shumë të tjerë kanë ndërtuar pa leje ndërtimi. Një fenomen ky që preku të gjithë vendin në vitet e tranzicionit. “Ky vend ka qenë kënetë dhe ne e kemi kthyer në të banueshëm”, kujtojnë banorët, që në padi thonë se shumica e tyre janë ish të persekutuar të regjimit komunist dhe që po vazhdojnë të persekutohen, ndërsa ndër vite çdo pushtetar në fushata zgjedhore u ka uruar: “T’i gëzoni shtëpitë!” Ndërsa janë përfshirë në 2006-n në procesin e legalizimit që është ndërprerë për shkak të mungesës së hartave të përditësuara hipotekore, ata akuzojnë Gjergji Bojaxhiun se po kryen gjenocide, duke synuar dëbimin kolektiv për shkak të origjinës veriore. Ata e akuzojnë atë gjithashtu se po shkatërron një komunitet të tërë, duke nxitur urrejtje raciale dhe ushtruar dhunë për shkak të interesave të njerëzve të lidhur ngushtë me pushtetin, dëm psikofizik, shpifje dhe ushtrim dhune. Banorët e Hidrovorit kanë denoncuar përdorimin e gazit lotsjellës ndaj grave dhe fëmijëve në përleshjen me forcat speciale të policisë, dhunimin e pronës, cenimin e së drejtës kushtetuese për grumbullim e tubim paqësor. Njëri prej përfaqësuesve të komunitetit, pak çaste para se të ndalohej nga policia deklaroi se njerëzit janë atje në pritje për të mbrojtur jetën dhe pronën e tyre me çdo kusht, kundër favorizimit të klaneve dhe familjeve që presupozohet se janë pronarë në tokat ku ata janë vendosur. Bëhet fjalë për familjet Toptani dhe Qorraliu. “Ne kemi të drejtën të jetojmë, të punojmë, kemi banesë. Janë të drejtat dhe liritë tona që sanksionohen në Kushtetutën që na përcakton si të barabartë para ligjit. Atëherë kush i jep të drejtën Bojaxhiut të shkelë Kushtetutën?”, citohet nga padia që ndalet në secilën prej akuzave të ngritura. Padia i drejtohet për dijeni dhe Presidentit Bamir Topi, Kryeministrit Sali Berisha dhe Avokatit të Popullit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›