E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panele diellore në kopshte dhe çerdhe

Bashkia Tiranë

Bashkia e Tiranës ka lançuar dje projektin për instalimin e paneleve diellore në të gjitha çerdhet dhe kopshtet e kryeqytetit. Qëllimi i kësaj është sigurimi i ngrohjes së këtyre ambienteve nëpërmjet energjisë diellore. Faza e parë e projektit është implementuar në çerdhet 1 dhe 8, me qëllim përmirësimin e kushteve për 272 fëmijë dhe 40 edukatore. “Kjo do të bëjë të mundur që në të gjitha këto struktura sociale të ketë energji të pandërprerë, duke përfituar nga dielli, pa shpenzuar energjinë elektrike që vjen nëpërmjet ujit”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Në kuadër të ndihmës që i ka ofruar ambasada holandeze në Tiranë këtij projekti, ambasadori i mbretërisë së vendeve të ulëta në Tiranë, Van den Dol, shprehu gatishmërinë e tij në bashkëpunime të tjera. Ai theksoi se sipërmarrje të tilla janë të një rëndësie të veçantë, pasi kanë si qëllim përmirësimin e jetës sociale të kryeqytetasve. “Si ambasador i Holandës, mendoj se në fazën e dytë të fondit që po përdor qeveria holandeze për projektet në Shqipëri, të cilat pritet të përfundojnë këtë vit, kemi financuar 60 projekte të vogla që kanë të bëjnë me trajtimet e mbetjeve, monitorimin e mjedisit dhe rikonstruksionin e disa sistemeve për kanalizimin e ujërave të zeza”, tha Van den Dol. Në Shqipëri, përdorimi i kësaj alternative është ende në hapat e parë dhe është përdorur kryesisht nga sektori privat.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›