E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Projekti Rama, kundër liberalizimit të vizave Shih video This text will be replaced var so = new SWFObject('video/player.swf','mpl','32

"Kongresi i një partie të madhe është një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për forcën politike të cilës ai i përket, por për të gjithë vendin. Mirëpo ndodhi ajo që ju e dëshmuat vetë. Kryetari i kësaj partie u paraqiti kongresmenevë atë realitet që, në mënyrë absolute, asnjë shqiptar nuk e pranon për të tillë. Zoti Edi Rama, në ligjëratën e tij prej 50 minutash, u foli shqiptarëve për veten e tij, i mori valët e ekraneve tuaja për një realitet fund e krye të trilluar për interesat më të ngushta personale. Pas Kongresit, ka dy ditë që del në bahçe me të njëjtat teza.
Unë nuk jam këtu për të komentuar atë, nuk jam këtu për të ndërhyrë qoftë edhe në mënyrën më minimale në punët e brendshme të kësaj force politike apo të ndonjë force tjetër politike. Absolutisht jo. Unë mbeta shumë i lënduar aspak nga ligjërata e tij, sepse ajo nuk kishte të bënte as me mua, as dhe me një qytetar shqiptar, por kishte të bënte me ato kongresmenë që do të votonin. Thellësisht i lënduar mbeta nga censura që ai i rezervoi kundërshtarëve të tij. Mirëpo Partia Socialiste, si një parti, e cila në background-in e saj ka Partinë e Punës së Shqipërisë, ishte shkëputur nga censura dhe u rikthye sërish. Unë i them zotit Rama se ne, si politikanë, duhet të turpërohemi që në momentin kur ne mund të na shkojë ndërmend censura, jo më ta aplikojmë atë ndaj kundërshtarëve tanë. Kaq është komenti im, sepse ishte e shëmtuar kur zoti Rama ndiqej nga kamerat edhe në puthje e përqafimet e tij me kongresmenë, ndërsa kundërshtarët e tij vendoseshin në shurdhi e në terr të plotë. Por shpresoj që kjo të mos përsëritet më.
Ajo që dua t’u them sot shqiptarëve është kjo: Edi Rama ka një qëllim të vetëm, të pengojë me sa të mundet lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë. Ai e di që muajt afërt që vijnë janë muajt e këtij vendimi. Ai nuk e ka problemin tek zgjedhjet. Ai po e përdor këtë për interes tmerrësisht të ngushtë personal, sepse zgjedhjet e 28 qershorit ishin zgjedhjet e para në historinë e këtij vendi, në të cilat sistemin zgjedhor e vendosi opozita dhe jo qeveria, ishin zgjedhjet e para në historinë e këtij vendi, në të cilën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u zgjodh me konsensus të plotë, ishin zgjedhjet e para në historinë e këtij vendi që u zhvilluan me infrastrukturë bashkëkohore, më moderne të kohërave, ishin zgjedhjet e para, në të cilat çdo votë u numërua duke u fotografuar, filmuar dhe arkivuar në arkivin dixhital të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishin zgjedhjet e para që shqiptarët kanë zhvilluar në historinë e tyre, kur në 4700 komisione në çdo qendër votimi, përveçse në 14 qendra, në të gjitha të tjerat, pa asnjë përjashtim, rreth 20 mijë komisionarë të të gjitha forcave politike kanë firmosur bashkërisht çdo procesverbal dhe rezultat pa vërejtjen edhe më të vogël. Në emër të ligjit dhe përgjegjësisë para ligjit, ata kanë bërë atë që nuk është bërë në asgjë zgjedhje tjetër deri më sot. Kjo është një nga arritjet më të mëdha në historinë e këtij vendi. Këto ishin zgjedhjet e para në historinë e vendit, në të cilat ka pasur vetëm 18 ankesa paselektorale, kundrejt 410 ankesave në zgjedhjet e vitit 2005. Këto ishin zgjedhjet e para në historinë e vendit, në të cilat anëtarët e KQZ-së votojnë 7 me 0 për çdo mandat. Këto ishin zgjedhjet e para në historinë e vendit, në të cilat, po të shfletosh tërë arkivin tuaj dhe ju bëj thirrje ta shfletoni, kontrolloni dhe krahasoni këtë arkiv me atë të të gjitha zgjedhjeve të tjera, nuk ekziston as edhe nota më e vogël negative e faktuar. Këto ishin zgjedhjet, në të cilat shqiptarët votuan në vullnetin e tyre të plotë.
Prandaj, të dashur qytetarë, ai nuk e ka problemin tek zgjedhjet, por problemin e ka një dhe vetëm një: të pengojë lëvizjen tuaj të lirë, sepse mendon se në këtë mënyrë do të dëmtojë qeverinë. Një miop i vërtetë politik. Unë dua t’i garantoj qytetarët shqiptarë se qeveria ime mbetet tërësisht e hapur për bashkëpunim luajal me opozitën, për respekt të plotë ndaj saj, por dua të garantoj gjithashtu qytetarët shqiptarë se aq sa zoti Rama pengoi me bilbila e bori firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në vitin 2006, po aq do të mund të pengojë procesin e liberalizimit, të heqjes së plotë të vizave dhe lëvizjen tuaj të lirë. Por akti është i shëmtuar. Ju e dëgjoni si luan kukafshehthi me parlamentin dhe institucionet. Unë i them zotit Rama: merr cilindo vendim që ta gjykosh të arsyeshëm. I sigurt të jesh se nuk do të mund të penalizosh shqiptarët dhe shoqërinë shqiptare.
Këtij zotërie i duhet për të bindur mbështetësit e tij se zgjedhjet i humbi për shkakun tim. Absolutisht po. Unë fitova zgjedhjet me rregullat më të ndershme që kam ndjekur dhe të dalë një qytetar shqiptar të më thotë ndryshe dhe e garantoj zotin Rama se sërish do t’i rezervoj të njëjtin fat. Përse do të thonë? Ai ka një perceptim realiteti tërësisht sui gereris. Nuk po hyj në epitete të tjera, por ai ka aftësinë ta perceptojë realitetin dramatikisht në drejtim të kundërt me atë që është. Atëherë unë nuk mund t’i jap leksione për logjikën, nuk mund t’i jap as edhe në psikologji. Historia e tij është nga disfata në disfatë.
Duke respektuar çdo lloj vendimi që zoti Edi Rama do të marrë, e garantoj se qeveria mbetet plotësisht e hapur për bashkëpunim luajal me opozitën. Sikundër i sugjeroj të nxjerrë mësimet. Me bori dhe bilbila u bë gazi i Europës. Marrëveshja u nënshkrua. Edhe më këto marrëzira që nxjerr përditë, - unë në fillim mendova se i ka nga sindromi i pikëllimit - absolutisht dëmton vetëm veten e tij.
Qëkur ka ndodhur rënia në krye të detyrës e katër oficerëve të policisë, ky zotëri harron se Dritan Dajti është në vuajtje dënimi, mendon se me tezën e kriminelit do të mund të damkosë zgjedhjet. Ai ka një deficit të theksuar në logjikë. Dritan Dajti nuk iku, u prangos. Vërtet ranë katër oficerë policie, por ranë në emër të tolerancës zero ndaj krimit. Tani ai flet për të burgosurit. Zotëri, ky është një vend demokratik. Absolutisht të gjithë të burgosurit kanë të drejtën e votës. Çdo javë e çdo muaj u është dhënë dhe do t’u jepet leje për të shkuar në shtëpinë e tyre. Në parlament, ne kemi votuar ligjin e vuajtjes alternative të dënimit. Zotëri, nëse ke raste konkrete paraqiti. Nuk ekziston asnjë raport dhe asnjë ankesë për asnjë prej tyre, që u liruan përkohësisht me leje, që të ketë bërë ndërhyrjen më të vogël. Ka raste, të dyfishojmë dënimin, të propozojmë ligj për këtë. Por të akuzosh vetëm e vetëm se janë vuajtës dënimi, kjo është totalisht e papranueshme dhe shumë primitive. Ne ju thamë emrin, i cili doli dhe u bë bodyguard i një prej eksponentëve kryesorë të Partisë Socialiste. E morëm dhe e kthyem aty ku ishte. Jep emër, thuaj kush ishte. Ata vërtet kanë kryer një vepër penale, disa prej tyre shumë të rëndë, disa të tjerë më pak të rëndë, por janë në institucion të vuajtjes së dënimit, në institucion riedukimi. Shoqëria nuk mund të udhëhiqet nga ndjenja e urrejtjes ndaj tyre. Shoqëria ka një detyrim. I ka dënuar, i privuar nga liria e lëvizjes e të tjera, por në rast se ka rast konkret të dalë e të paraqesë dokumentin më të vogël. Del çdo ditë dhe nuk thotë as edhe faktin më të vetëm.
Ndaj edhe një herë dua t’i jap një sugjerim zotit Rama: hiq dorë nga ideja se ti mund të dëmtosh për qëllime personale procesin e integrimit evropian. E ke provuar. Sapo partnerët tanë evropianë do ta kuptojnë se ti e bën këtë për qëllime personale, do të marrin ato vendime që morën në vitin 2006, me gjithë bilbilat dhe boritë e tua."

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›