Wathelet-Haxhinasto: Belgjika mbështet Shqipërinë për në BE

Belgjika do të mbështesë Shqipërinë për marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Europian. Këtë e konfirmoi Ambasadori Special e Qeverisë belge Melchior Wathelet gjatë një takimi me Zv. Kryeministrin dhe njëherësh ministrin e jashtëm Edmond Haxhinasto.
Ambasadori Wathelet gjithashtu vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në zhvillimin e vendit dhe në përmbushjen e reformave për integrimin në BE. Ai siguroi për vijimësinë e marrëdhënieve shumë të mira dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve edhe në të ardhmen.
Ndërsa Ministri Haxhinasto vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira politike mes dy vendeve dhe mbështetjen e vazhdueshme që Belgjika i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë procesit të integrimit evropian. Në këtë kuadër, ai shprehu kënaqësinë për realizimin e vizitës së tij të ardhshme, në Bruksel, si dhe organizimin në kuadër të saj të një forumi të përbashkët biznesi, çka do të ndikojë në ngritjen në një nivel më të lartë të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Gjithashtu ministry Haxhinasto siguroi ambasadorin Wathelet se Shqipëria do ta mbështesë Belgjikën në lidhje me kandidaturën e saj për "International Exhibition 2017", në Liege.
Bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu mbi zhvillimet e fundit politike dhe ekonomike në të dyja vendet, si dhe në rajon.