E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Prokuroria të luftojë korrupsionin në “kopshtin” e vet”

Kryeministri Berisha reagon ndaj kritikave të ndërkombëtarëve. Kreu i Ekzekutivit mbrohet nën ombrellën e luftës kundër korrupsionit

Kryeministri Sali Berisha ka mbajtur dje deklaratën e parë pas kritikave të bëra nga faktori ndërkombëtar për cenimin e pavarësisë së institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme. Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes së programit Sfida e Mijëvjeçarit, ku ishte i pranishëm dhe ambasadori amerikan Uidhers, Berisha tha se qeveria është e angazhuar të respektojë pavarësinë e institucioneve, por ai theksoi se kjo pavarësi cenohet më së pari nga korrupsioni. Duke iu referuar institucionit të Prokurorisë, Berisha tha se askush nuk mund të pretendojë se lufton korrupsionin “pa parë brenda kopshtit të tij”.
Reagimi
“Një tjetër fushë e rëndësishme është Drejtësia. Dua të garantoj se qeveria ka një përkushtim të plotë dhe absolut për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve të tjera në tërësi. Është pikëpamje e palëkundur e imja dhe e qeverisë time se rrënues kryesor i pavarësisë së tyre është korrupsioni dhe se lufta kundër korrupsionit në këtë institucione është kusht vendimtar që ato të gëzojnë pavarësinë kushtetuese ligjore që meritojnë dhe të përmbushin me dinjitet një mision të pazëvendësueshëm, shtyllë kryesore në një sistem demokratik”, - është shprehur kreu i Ekzekutivit shqiptar. “Por askush nuk mund të pretendojë se ka bërë detyrën duke mos parë në kopshtin e tij është në mendjen dhe mençurinë më të lartë të këtij kombi. Ky apel ka një progres të pamohueshëm dhe një progres që ka bërë të mundur sukseset e deritanishme të luftës kundër korrupsionit. Drejtësia shqiptare ka hapur një kapitull të ri dhe jashtëzakonisht të rëndësishëm duke kaluar nga mosdënimi në dënim. Kjo ka rëndësi kryesore për moralin e një shoqërie dhe ka rëndësi kryesore për suksesin e një lufte të tillë”, - ka vazhduar më tej qëndrimin e tij kreu i qeverisë shqiptare. Më tej ai ka bërë të ditur se “të gjithë ata gjykatës apo prokurorë në 10 apo 12 vite që nuk janë përballur me ligjin, pavarësisht veprës që kanë kryer, është një çështje që mbetet për t’u zgjidhur dhe do të zgjidhet nëpërmjet reformave”.
Qëndrimi
Duket se në këtë deklaratë të kreut të qeverisë shqiptare nuk ka asnjë ndryshim të qëndrimit të tij të mëparshëm. Berisha vazhdon të “kërcënojë” aktorët e sistemit të drejtësisë, duke harruar mesazhin e dhënë së fundmi nga ndërkombëtarët. Madje në këtë deklaratë Berisha është munduar të fshihet pas objektivit për të luftuar korrupsionin duke nënkuptuar se institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme është i kapur nga ky fenomen. Megjithatë, deklarata e kryeministrit Berisha është mbajtur para fjalimit të ambasadorit Uidhers në ceremoninë e djeshme të nënshkrimit të marrëveshjes së “Sfidës së Mijëvjeçarit”. Gjatë fjalës së tij Uidhers ripërsëriti kritikat ndaj qeverisë shqiptare.

18 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›