E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Berisha të japë dorëheqjen përpara zgjedhjeve të 2009-s”



Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kërkon dorëheqjen dhe largimin e menjëhershëm të Sali Berishës nga posti i kryeministrit. Shefi i selisë rozë ka ashpërsuar qëndrimin ndaj kreu të qeverisë, duke e cilësuar atë si problem jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për ndërkombëtarët. “Veprimtaria e kryeministrit të Shqipërisë përbën sot një shqetësim alarmant, jo vetëm për opozitën, po për shumicën e cilësuar të popullit shqiptar, për njerëzit e drejtësisë, për mediat e pavarura, për qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe për përfaqësuesit e qeverive të Bashkimit Europian”, - ka deklaruar Rama, i cili i është referuar edhe shqetësimeve të njëpasnjëshme të shprehura nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon Uidhers
Dorëheqja
Kryetari i Partisë Socialiste tha se kryeministri Berisha ka abuzuar me pushtetin duke favorizuar pasurimin e një rrethi njerëzish në kurriz të ligjit dhe të konkurrencës së lirë e të ligjshme. Rama tha se Berisha ka abuzuar me pushtetin, duke shkaktuar skandale të rënda korruptive dhe tashmë po përdor qeverinë dhe arlamentin për të mbrojtur këto skandale, në një mënyrë të tillë që po shqetëson jo vetëm popullin shqiptar, por edhe partnerët ndërkombëtarë. Për këtë Rama kërkoi largimin dhe dorëheqjen e menjëhershme të Berishës, duke shtuar se kjo dorëheqje do t’i bënte mirë gjithashtu Partisë Demokratike.
“Shërbimi më i mirë që Sali Berisha mund t’i bënte jo vetëm vendit, po edhe Partisë Demokratike, në këtë gjendje të rëndë ku është rifutur Shqipëria për shkak të politikës së vjetër dhe turpeve të reja të kryeministrit të saj, do të ishte pa dyshim të dorëhiqej përpara sesa shqiptarët e shqiptaret ta largojnë me votën plebishitare të vitit të ardhshëm. Në emër të tyre, të shqiptarëve dhe shqiptareve, unë ia rikërkoj sot dorëheqjen kryeministrit të Shqipërisë. Për shkak të tij qytetarët e qytetaret e këtij vendi po vuajnë çdo ditë e më shumë, miqtë e partnerët ndërkombëtarë po zhgënjehen edhe njëherë tjetër, Shqipëria po turpërohet sërish”, - deklaroi Rama.
Prokuroria
Kryetari i Partisë Socialiste theksoi edhe njëherë rëndësinë e pavarësisë së Prokurorisë së Përgjithshme dhe mospengimit të saj në hetimet për të zbardhur tragjedinë e Gërdecit dhe skandalin në çështjen “Fazlliç”. Rama i cilësoi skandaloze nismat e kryeministrit Berisha, të cilat synojnë frikësimin e Prokurorisë. Ai kundërshtoi propozimin për krijimin e komisionit hetimor parlamentar për Prokurorinë. Sipas Ramës, kjo nismë bëhet vetëm për të mbrojtur Berishën dhe klanin e tij nga Drejtësia. “Shpallja e nismave skandaloze që synojnë frikësimin e Prokurorisë, këmbëngulja në qëndrimet harbute ndaj prokurorëve dhe përshkallëzimi i hakërrimave të vjetra gojore të kryeministrit, jo vetëm ndaj Prokurorisë së Republikës, po edhe ndaj opozitës, kanë rishfaqur lakuriqësisht sëmundjen e pashërueshme të Sali Berishës. Por, këtë herë, nuk është thjesht paaftësia e tij mendore për të pranuar pavarësinë e institucioneve kushtetuese që e ka kthyer Sali Berishën në llogoren e agresivitetit e vulgaritetit të tij tradicional. Këtë herë Sali Berisha ka edhe frikën e pakontrollueshme të njeriut që ka shpërdoruar pushtetin me pasoja marramendëse për vendin e për qytetarët e vendit”, - tha kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

18 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›