Berisha: Propozimi i KiE për ngërçin, Rama ta vlerësojë si zgjidhje mbi palët

Kryeministri drejton mbledhjen e grupit parlamentar demokrat. "Kriza vetëm në mendjen e Edi Ramës"
Kreu i qeverisë Sali Berisha ripërsërit se propozimi i Këshillit të Evropës, për kapërcimin e ngërcit politik në vend, është zgjidhja më ideale dhe më e pranueshme për palën opozitare. Në këtë sens Berisha i bëri thirrje kreut të opozitës që t’a konsiderojë propozimin si në interes të vendit dhe PS-së. “I bëj thirrje Ramës të vlerësojë propozimin e Këshillit të Evropës si një propozim tërësisht mbi palë dhe interesin e vendit dhe PS-së që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese apo Strasburgut. Në rast se nuk i pëlqen ky variant të vijë në Komisonin parlamentar, pasi do ketë kryetarin dhe shumicën në komision”- u shpreh Berisha. Në fjalën para deputetëve demokratë në mbledhjen e grupit parlamentar, Kryeministri saktësoi se mazhoranca është gati të hetojë çdo gjë në përputhje me ligjin. “Të hetojmë çdo gjë, të bëjmë transparencë për çdo gjë në përputhje me ligjet e vendit që mundësojnë deklasifikimin e çdo dokumenti, mjafton t’i ndjekim ato”, tha kryeministri. Duke iu referuar grevës së urisë së deputetëve dhe simpatizantëve socialistë, Berisha i kërkoi Ramës të lejojë autoritetet shëndetësore të mbikqyrin e grevistët duke nënvizuar se shërbimi militant është i përjashtuar në shëndetësi. “Nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e vendit që të mos lejohen autoritetet shëndetësore. Mjeku ka një kod, dhe këtë nuk e zgjidh dot me militantë. Militantët që ka vendosur Rama aty mund ta bëjnë me korrektesë detyrën e tyre në një kohë kur janë fanatikë partiakë. Edhe mbikujdesja në mjekësi është e papranueshme dhe ka pasoja serioze. Në mjeksi ka disa parime. Nuk ka mjekë që s’mund të trajtojë familjarin etij, por si rregull nuk i trajton, se emocionet i turbullojnë mendjen. Kërkesa ime është të lejojë kontrollin e përditshëm”- deklaroi më tej, Berisha. Ndër të tjera, në mbledhjen e qeverisë Kryeministri Sali Berisha tha se Shqipëria është vlerësuar nga OKB si vendi i dytë në botë për transparencën e procesit të prokurimeve publike.
Inaugurimi në Xhafzotaj, Deklaron kryeministri Berisha: Shqipëria jo në krizë politike, kriza është vetëm në mendjen e Edi Ramës
Kreu i qeverisë Sali Berisha u shpreh sot nga Durrësi, ku mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të shkollës 9-vjecare në Xhafzotaj, se vendi nuk vuan nga kriza politike dhe se kjo është vetëm tek ata që nuk duan të mirën e Shqipërisë. “Në Shqipëri nuk ka krizë. Kriza e vetme është në mendjen e Edi Ramës dhe ndjekësve të tij që punojnë kundër interesave madhore të këtij vendi”- u shpreh kryeministri Berisha. Më tej Berisha theksoi se vendi Shqipëria është në rrugën e mbarë drejt realizimit të idealeve evropiane, duke përmendur se liberalizimi i vizave dhe marrja e statusit kandidat, do të finalizohen brenda vitit të parë të këtij mandati qeverisës. “Shqipëria është në rrugë të mbarë për në Bashkimin Europian. Shqiptarët e kanë të ardhmen në dorë. Shumë shpejt qytetarët do lëvizin të lirë drejt Bashkimit Europian”, deklaroi kreu i qeverisë Berisha.
...