E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha Protestat asnje ndikim ne sezonin turistik

Protestat e nisura në mbarë vendin nuk do të pengojnë turizmin që këtë vit do të shënojë rekordin historik për Shqipërinë. Nga kryeministria, përpara media kreu i qeverisë në daljen e rradhës publike u fokusua vetëm tek turizmi.

Megjithë situatën e krijuar në vend, pas zvarritjes së procesit për Tiranën, kryeministri u shpreh tejet optimist se ajo nuk do të ndikoje tek turizmi. Ai komentoi edhe shmangien e vizitës së presidentit të KE-së, Hose Manuel Barroso në Tiranë, kur tha se ai nuk e anulloi vizitën në Tiranë si turist, por si zyrtar.

“Jam i bindur se do të jetë një histori e vërtetë suksesi, por mos harroni se zoti Barroso nuk vinte në një vizitë apo pushime private në Shqipëri, vinte në një vizitë zyrtare, e cila ka disa rregulla të tjera. Në qoftë se ka një problem përreth KQZ, nuk ka një problem askund tjetër ku turistët të mos pushojnë, u dogjën ca goma e u bënë ca gjëra, por këto nuk janë gjera të pazakonshme në një vend të lirë. E zakonshme nuk është rrethimi i komisionit, por për të tjerat, protestat janë kudo, është një konstante, nuk gjen vend sot që të mos ketë një protestë. Protesta janë pjesë e një dëshmie të një demokracie që  funksionon”-tha kryeministri Berisha.

Kreu i qeverisë deklaroi se këtë sezon turistik Shqipëria do të shënojë rekord historik të pushuesve të huaj në vendin tonë.
“Do të jetë një histori e vërtetë dhe e madhe suksesi për Shqipërinë , e cila u lartësua me shpejtësi marramendëse në pozicionin e saj dhe arriti të shpallë destinacionin kryesor i planetit. Bëj thirrje të mobilizohemi me të gjithë potencialin tonë për ta paraqitur Shqipërinë turistike këtë vit më mirë se kurrë” – tha ai.

Kryeministri apeloi në drejtim të pushtetit vendor të kontribuojnë në mbarëvajtjen e sezonit. Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të kontribuojnë për një mjedis sa më të pastër.

Rovena Moçka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›