E Diel, 1 Nëntor 2026

ERRU kërkon zgjerimin e organikës

TIRANË, 15 dhjetor/ATSH/ Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm shqyrtoi ndryshimet në strukturë dhe organikën e Entit Rregullator të Ujit (ERRU).

Kryetarja e Komisionit Kombëtar Rregullator të Entit Rregullator të Ujit në Shqipëri, Gerta Lubonja tha se aktualisht ERRU funksionon me një strukturë prej 29 punonjësish, të miratuar gjatë 2022.

“Gjatë këtyre viteve sektori ka kaluar nëpërmjet disa proceseve të reformimit dhe kjo ka sjellë rritje të kërkesave rregullatore, detyrimin për një transparencë më të mirë, mbrojtjen e konsumatorit dhe përafrimin me legjislacionin dhe direktivat e BE-së”, tha ajo.

Në këtë kontekst, Lubonja paraqiti strukturën për miratim, e cila parashikon shtimin e tre pozicioneve.

Më tej, Lubonja argumentoi dhe nevojat e institucionit për shtimin e kësaj organike si dhe efektet financiare të saj.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›