E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Provimi pas përfundimit të studimeve do të jetë dixhital

27/08/2009  Qeveria vendos provimin e shtetit për ushtrimin e profesionit

Gjithkush që përfundon studimet do t’i nënshtrohet një privimi shtetëror para se të fitojë të drejtën e ushtrimit të profesionit. Kryeministri Sali Berisha, duke paraqitur dhe mbrojtur nismën ligjore “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, ka theksuar se një provim i tillë ka ekzistuar më parë në shkollat e vendit tonë dhe aplikohet në çdo vend tjetër. Duke e konsideruar tepër të rëndësishme këtë projektligj, Berisha theksoi se përmes tij synohet të rregullohet me ligj ushtrimi i profesioneve në raport me publikun. Ai ka theksuar se personi që sapo ka mbaruar shkollën, para se të marrë të drejtën e ushtrimit të profesionit, ka nevojë të bëjë një praktikë në një kohë të caktuar. “Një praktikë të tillë e bëjnë mjekët, të cilët nuk e ushtrojnë profesionin pa një stazh praktike pranë një klinike apo mjeku me eksperiencë, por tani kjo kodifikohet. Para se të ushtrosh profesionin e të njihesh si profesionist në atë fushë, jep edhe një provim”, - ka deklaruar kreu i qeverisë. Ai bëri me dije se provimi i shtetit do të jetë dixhital, një model i aplikuar me sukses edhe në vende të tjera dhe i rëndësishëm për të shmangur korrupsionin. Ai ka mbrojtur me fanatizëm këtë metodë të re të vlerësimit të njohurive para fillimit të ushtrimit të profesionit. Berisha ka nënvizuar se nuk mund të vendosen provime të tjera përveç provimit dixhital, i cili është plotësisht i mundshëm. “Modele të tilla ekzistojnë në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera. Ne e kemi këtë jetike për të shmangur korrupsionin. Ndaj, ashtu siç po veprohet me provimet në shkollat e mesme, Ministria e Arsimit dhe ministritë respektive, si Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për profesionet e inxhinierit, arkitektit, urbanistit etj., duhet të fillojë me seriozitetin më të madh përgatitjet për standardet e provimit të shtetit”, - ka deklaruar ai. Kryeministri Berisha bëri me dije se duke vendosur këtë provim, do të hiqen licencat për një sërë profesionesh. “Duke adaptuar standardin më liberal dhe duke hequr licencat për këto profesione, si ai i mjekut, farmacistit, avokatit dhe një sërë profesionesh të tjera, interesi publik kërkon që këto profesione në raport me publikun të jenë të rregulluara me ligj, të kenë të përcaktuar në ligj përgjegjësitë që rrjedhin”, - tha shefi i ekzekutivit.

Arsim

Qeveria vendosi hapjen e programit të studimit të ciklit të dytë në Universitetin “Aleksandër Xhuvali” të qytetit të Elbasanit. Sipas vendimit, në këtë universitet hapet programi i studimit i ciklit të dytë “Matematikë e zbatuar”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë e nivelit të dytë në matematikë e zbatuar. Ky program i ciklit të dytë realizohet me 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tij është dy vjet. Programi i studimit “Matematikë e zbatuar” do ta fillojë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2009-2010. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi do të përballohen nga buxheti i vitit 2009 miratuar për Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan.

Qeveria do të financojë kërkimet shkencore

Këshilli i Ministrave ka miratuar ngritjen e Agjencisë së Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit, e cila synon të nxisë kërkimin shkencor jo vetëm në universitetet publike, por edhe në sektorin privat. Kryeministri Berisha ka theksuar se kjo agjenci ka si risi të saj inovacionin. Sipas tij, qeveria duhet të financojmë kërkimet shkencore. “Ne duhet të financojmë inovacionin në të gjitha fushat, me përparësi Hi Tec-un, softin, programimin. Funksionet e saj janë shumë të rëndësishme. Kjo është një përpjekje shtesë për të inkurajuar shkencën dhe kërkimin shkencor, inovacionin për të ecur më shpjet drejt moshës dixhitale”, - ka deklaruar ai. Kryeministri theksoi se infrastruktura në vend do të sjellë në vend moshën dixhitale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›