Berisha: Pyetësori? Të kemi kujdes, Brukseli nuk do ujëra
Komiteti Ndërministror i Integrimit Europian i drejtuar nga Kryeministri Berisha, miratoi dje edhe 6 kapituj të tjerë të përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat në BE, duke e çuar numrin e kapitujve të miratuar në 21. Kështu, kapitujt që morën dje miratimin e ministrave dhe specialistëve të fushës ishin lëvizja e lirë e kapitalit, shoqëria e informacionit dhe media, tatimet, mjedisi, kontrolli financiar dhe financa dhe buxheti. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha kërkoi sa më shumë precizion në kthimin e pyetjeve të KE-së. “Në Bruksel, do të shkohet me një tekst nuk them të përmbledhur, por me një tekst pa ujë. Duhet që të dëshmojmë të gjithë përqendrimin tonë që të mund të shprehim qartë, plotësisht përgjigjet tona, realitetin, vizionin, por kjo të bëhet në mënyrë sa më të kursyer”, porositi Berisha, krerët e ministrive dhe institucioneve në mbledhjen e djeshme. Sipas tij, përgjigjet tona duhet të mos jenë të mundimshme për t’u lexuar nga ata që do të bëjnë leximin e vlerësimin tyre. Po kështu, Berisha, duke folur për ecurinë e hartimit të përgjigjeve për pyetësorin e KE-së, informoi se këta kapituj të miratuar dje kanë së bashku 327 përgjigje, ose rreth 14 për qind të të gjitha pyetjeve të pyetësorit nga KNI. Sipas Berishës, për hartimin e këtyre përgjigjeve, janë angazhuar rreth 30 institucione, mbi 265 punonjës dhe drejtues të niveleve të ndryshme, të cilët kanë marrë pjesë në hartimin dhe kontrollin e cilësisë së përgjigjeve. Nga ana tjetër rëndësi në fjalën e tij, Kryeministri Berisha i vuri edhe punës për procesin e përkthimit të përgjigjeve, i cili po ecën paralel me punën për pyetjet. Sipas Berishës, deri tani janë përkthyer 2249 faqe dhe 1565 anekse apo shtojca. Puna për plotësimin e pyetësorit ka nisur në mesin e muajit dhjetor, kur ambasadori i Komisionit Europian në vendin tonë, Helmut Lohan i dorëzoi Kryeministrit Berisha, dokumentin i cili do të vlerësojë progresin që Shqipëria ka bërë për sa i përket hartimit dhe zbatimit të legjislacionit europian. Shqipëria pritet ta dorëzojë pyetësorin pranë KE-së në mesin e muajit prill dhe po kështu ajo pret të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian në vjeshtën e këtij viti.
#