Eulex: Nuk bëmë marrëveshje me serbët
Misioni i BE-së për sundimin e ligjit ka përgënjeshtruar pohimet e ministrit serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç, për, siç thuhet, arritjen e një marrëveshjeje për krijimin e grupeve punuese në fushën e doganave, drejtësisë dhe policisë. Zyrtarë të EULEX-it thonë se bisedimet e shefit të misionit, Yves de Kermabon, me zyrtarët serbë u përqendruan në normalizimin e punës në gjykatat në veri dhe se ato do të vazhdojnë në një të ardhme të afërt. Por BBC ka mësuar, nga burimet e afërta, se bisedimet për çështjen e gjykatave në veri, mes EULEX-it dhe autoriteteve serbe, do të vazhdojnë javën e ardhshme në Beograd dhe se një pajtueshmëri për rifillimin e punës së gjykatave, që cilësohen shumëkombëshe, mund të arrihet brenda një periudhe të shkurtër. Ndryshe, deklaratat e misionit europian për sundimin e ligjit pasuan pohimet e ministrit serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç, se është arritur një marrëveshje me shefin e EULEX-it, për krijimin e grupeve të përbashkëta punuese dhe se takimet e tyre do të jenë të shpeshta në javët e ardhshme. Zyrtarët serbë takuan të mërkurën në Beograd zotin De Kermabon për të diskutuar një numër çështjesh, përfshi edhe atë të gjykatës në veri, e cila nuk ka arritur të funksionalizohet që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dy vjet më parë. Zyrtarë të misionit të EULEX-it i cilësuan bisedimet për gjykatat në veri si pozitive, konstruktive dhe të sinqerta, por mohuan të jetë arritur çfarëdo marrëveshje për krijimin e grupeve punuese për çështjen e drejtësisë, policisë dhe të doganave. Vizita e zotit De Kermabon në Beograd, erdhi pas bllokimit të bisedimeve në nëntor të vitit të kaluar, kur autoritetet serbe shtruan një numër kushtesh për zhbllokimin e punës së gjykatave. Autoritetet në Prishtinë ndërkaq thonë se çështja e funksionalizimit të gjykatave në veri kërkon zgjidhje urgjente, por, sipas tyre, kjo është çështje e brendshme e Kosovës.
Marrë nga BBC
#