Berisha: Qëndrova me Klinton dyfishin e kohës së parashikuar. Më tha do vij, por varet nga axhenda
Nëse kryeministria thotë se Berisha qëndroi 40 minuta me Klinton, atëherë ishte parashikuar një takim 20 minuta. Berisha tha se Klinton do vijë në Shqipëri, nëse ia lejon axhenda
Kryeministri Sali Berisha përsëriti përpara deputetëve të grupit të tij parlamentar ato gjëra që janë thënë në njoftimet për shtyp në lidhje me vizitën e tij në Uashington. Megjithatë deputetët duhet ta dëgjojnë nga vetë goja e tij se çfarë do thotë për vizitën.
Në këtë vizitë unë pata një takim shumë të rëndësishëm, shumë miqësor me Sekretaren e Shtetit, Hillari Klinton, me të cilën diskutuam gjerësisht për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin midis dy vendeve në të gjitha fushat. Ishte një rast i veçantë për të shprehur mirënjohjen më të thellë ndaj gjithë mbështetjes që qeveria e SHBA i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë dhe shqiptarëve në përpjekjet e tyre për ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut si dhe një rast për të diskutuar për bashkëpunimin e mëtejshëm në të gjitha fushat. Dua të theksoj këtu se ajo çka SHBA pret nga ne dhe për çka ne jemi të përcaktuar, që mënyra më e shkëlqyer për të shprehur mirënjohjen tonë ndaj ndihmës së tyre është konsolidimi i vlerave që do kombet tona ndajnë së bashku, tha Berisha.
Në takim u diskutua për të gjitha problemet, gjerësisht për situatën në vend dhe në rajon. Një vend të veçantë zunë përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në BE. Sekretarja e Shtetit theksoi domosdoshmërinë e plotësimit të kërkesave të Bashkimit Europian, në mënyrë që të bëhet i mundur vendimi që presin mbarë shqiptarët. U vu theksi tek lufta kundër korrupsionit, tek funksionimi i drejtësisë dhe i institucioneve, u shpreh gatishmëri dhe vendosmëri e madhe për të na ndihmuar në të gjitha fushat, në të gjithë problematikën që ka të bëjë procesi i integrimit, vijoi më tej Berisha.
Kryeministri tha se me Klinton ishte diskutuar për rëndësinë e luftës kundër korrupsionit dhe heqjen dorë nga imunitetet.
Berisha theksoi se takimi me Klinton zgjati sa dyfishin e kohës së parashikuar. E meqë kryeministria tha se takimi ishte 40 minuta, atëherë Berisha duhej të qëndronte me të 20 minuta.
Them edhe njëherë që në atë takim që zgjati pothuajse dyfishin e kohës së parashikuar, u trajtuan në tërësi të gjitha problemet, në sensin më miqësor dhe vendosmërinë më të madhe për të ndihmuar Shqipërinë dhe dëshirën që Shqipëria të realizojë detyrimet e veta. Sekretarja tha se vendi i Shqipërisë është në Bashkimin Europian. E garantova që me klimën pozitive në vend, do bëjmë gjithçka. I thashë se e konsiderojmë këtë proces të bazuar në performancë dhe meritë. Ka një gatishmëri për të na ndihmuar në luftën kundër korrupsionit, pasi suksesi i projekteve të financuara nga taksapaguesit amerikanë kanë bërë të mundur hapjen e një kapitulli të ri, tha Berisha.
Dua të shpreh mirënjohjen më të thellë mikpritëses sime, Sekretares së Shtetit për pritjen, për frymën e diskutimeve, për gatishmërinë dhe ta garantoj në emër të mazhorancës që do bëjmë gjithçka që vlerat e demokracisë, standardet e kërkuara për integrimin në BE të arrihen dhe konsolidohen gjithmonë e më shumë. Berisha falënderoi edhe dy ambasadorët, atë amerikan në Tiranë dhe atë shqiptar në SHBA. Dua të falënderoj ambasadorin Arvizu dhe ambasadorin Galanxhi për punën e shkëlqyer në përgatitjen e kësaj vizite, tha Berisha.
Kryeministri foli edhe për takimin me kreun e Kongresit, John Boehner, të cilin e ftoi për vizitë në Shqipëri. Në këtë rast Berisha përmendi edhe ftesën e bërë për Hillari Klinton. Ai tha se Klinton do vijë, por nuk dihet se kur.
Pata takime të shkëlqyera në Kongresin e SHBA. Takova kryetarin e Kongesit, zotin Boehner, të cilin e informova për të gjitha zhvillimet në Shqipëri dhe e ftova të vijë në Shqipëri. Sikundër dua të theksoj se një nga qëllimet e mia ishte tia ritheksoja ftesën Sekretares së Shtetit për të ardhur në Shqipëri. Përveç të papriturave, sepse ajo e ka axhendën shumë të ngjeshur dhe intensive, por dëshira është që të vizitojë Shqipërinë. E garantova që është dëshirë e gjithë shqiptarëve. Shpresoj që axhenda ta lejojë, në çdo ditë që të vijë është e shumëpritur. Natyrisht ne kemi ditën kulmore më 28 nëntor.
Lidhur me takimin me spikerin e Kongresit, e ftova të vizitojë Shqipërinë, por ky është vit elektoral dhe ka zgjedhje të trefishta. Pas zgjedhjeve tha se do e konsideronte këtë ftesë, tha Berisha.