Prezantohet FRD, Oketa: Do përfaqësojmë interesat e klasës së mesme dhe rinisë
Oketa ka sqaruar se grupi nismëtar do veprojë deri në mbledhjen e kuvendit, që do zgjedhë drejtuesit. Oketa tha se Kuvendi do mblidhet në vjeshtë, çka përkon me fundin e mandatit të Bamir Topit
Në një nga sallat e selisë së re është prezantuar zyrtarisht Fryma e Re Demokratike. Gazmend Oketa, anëtar i grupit nismëtar, tha se ishte një kërkesë e simpatizantëve që prezantimi të bëhej aty tek selia. Aktiviteti ka nisur duke dëgjuar himnin kombëtar. Më pas ka folur vetë Oketa, që ka sqaruar se grupi nismëtar do të veprojë si kryesi e partisë deri në momentin kur në vjeshtë të zgjidhet drejtuesi i ri sipas parimit një anëtar- një votë.
Ky grup nismëtar ka për qëllim të bëjë përgatitjet e nevojshme që do finalizohen me zyrtarizmin e partisë Fryma e Re Demokratike. Veprimtaria e grupit nismëtar do përfundojë me kuvendin themelues. Veprimtaria e këtij grupi nismëtar do të jetë dialogu me shoqërinë. Në bashkëpunim me forcat më vitale, të kualifikuara, veçanërisht me rininë, do hartojmë programin elektoral, me të cilin do dalim në zgjedhjet e vitit 2013, tha Oketa.
FRD vlerëson se është jetike që zgjedhjet e vitit 2013 të jenë të lira e të ndershme. FRD do jetë një parti e hapur kombëtare, një parti e qytetarëve të ndershëm shqiptarë. Profili ideologjik do jetë qendra e djathtë, vijoi më tej ai.
Oketa tha se FRD do punojë për një shtet ku mbizotëron zbatimi i ligjit dhe ku drejtësia ka hapësirën që i takon. Ai premtoi një shtet me shanse të barabarta. Ai nuk la pa përmendur sidomos krizën ekonomike. Grupi nismëtar për krijimin e FRD shpreh shqetësimin e thellë për krizën që po përfshin gradualisht ekonominë tonë. Ne angazhohemi për të dhënë kontributin për lehtësimin e kësaj krize, tha Oketa.
Sipas tij, FRD do përqendrohet kryesisht tek shtresa e mesme dhe rinia.
FRD merr përsipër të përfaqësojë interesat e shtresës së mesme, e krijuar me shumë punë e mund gjatë këtyre viteve të tranzicionit, e cila përbën shtyllën e stabilitetit ekonomik e moral. PD dhe PS janë themeluar përpara krijimit të kësaj shtrese shoqërore. Këto dy parti nuk i kanë paraprirë zhvillimit të shoqërisë, por kanë mbetur mbrapa. Shtresa e mesme mbetet pa një përfaqësim politik. Ajo nuk ka lidhje vazhdimësie me të kaluarën komuniste. Mentaliteti i saj nuk përfaqësohet në ndonjë program partie, tha Oketa.
Do kemi prioritet rininë, pasi ajo është pjesa më vitale dhe më e madhe e shoqërisë. Ne do jemi parti e rinisë, për ti dhënë asaj një dorë mekanizmi politik për të ngjallur perspektivën. Ne do i japim Shqipërisë qarkullimin e elitave, vijoi më tej ai.
Nuk pajtohemi me vonesat për zgjidhjen e çështjes së pronave dhe integrimin e të përndjekurve. FRD zotohet për zgjidhjen e problemeve të tyre, jo për klientelizëm elektoral, por sepse sa më shpejt të vihet një vend një padrejtësi historike, aq më e mbarë do jetë e ardhmja e vendit. Objektivi ynë strategjik do jetë integrimi evropian dhe thellimi i marrëdhënieve më SHBA. Kryetari do zgjidhet sipas parimit një anëtar- një votë dhe me kufizim rizgjedhje. Me statut do legalizojmë korrentet. Do respektojmë parimin e diskriminimit pozitiv për kuotat e grave. Rilindësit donin një Shqipëri të begatë, këto janë edhe idealët e nismëtarëve të kësaj partie, përfundoi Oketa.
