Berisha: Qeveria e lukunisë dhe e nepotizmit

Kryeministri në ikje, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me përbërjen e qeverisë së re nga foltorja në të cilën do të ulet Edi Rama pas një muaji.
Megjithëse deklaroi se nuk do që ta komentojë kabinetin e ri, Berisha tha: “Sapo u shpall kabineti i ardhshëm, ku famozi Ilir Beqja do të ulet në karrigen tende për të çuar përpara mashtrimet antiglobaliste që u paraqiti shqiptarëve. Natyrisht, nuk mund të them se është më pak i lumtur zoti Bode, ku në karrigen e tij do të ulet Çimi, se kështu e thërriste deri dje, i cili i hyri në zemër Rami Alisë vetëm se i tha të mbjellim patate. Kjo është e vërteta e Shkëlqim Canit dhe e karrierës së tij. Aldo, Sul Bushati në timon.
Nuk më takon mua të komentoj në këtë mbledhje kabinetin, sepse ai flet vetë. Është kabineti që flet vetë. Majlinda, e shoh që je e kënaqur. ‘Hermes’ të ndjek pas. Ndërsa një pjesë të zotit Pollo, ‘Kushërira’”. Gjatë pasdites së djeshme, kreu i qeverisë postoi edhe një status në faqen e tij në Facebook, ku shkruan se qeveria e Ramës i ngjan asaj të Adil Çarçanit. “Të dashur miq, për herë të parë në histori, aleanca e 1 prillit iu paraqet shqiptarëve standardin e saj, kalimin nga qeveri parlamenti në qeveri personale të Edi Ramës. Qeveria e re për oreksin e ministrave të saj, dosjet që kanë në prokurori për aferat për vjedhje dhe fshehje pasurie, mund të quhet jo qeveria e babëzisë, por qeveria e lukunisë. Qeveria e Piktorit është qeveria e garancisë së trafikantëve në Grupin e PS. Në krye të Ministrisë së Brendshme, një njeri me të atin të arrestuar në flagrancë për trafik ilaçesh dhe histori skafesh etj. Qeveria e aleancës së 1 prillit është qeveria e neobllokmenëve, e nepotizmit, e ministrave me diploma false. Ky kabinet qeveritar është identik me qeverinë Çarçani 2”, shkruan Berisha.
Duke komentuar qeverinë e re, ish-deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferraj, tha se “qeveria është e tejfryrë me portofola. Të gjitha figurat tradicionale të PS-së nuk janë pasqyruar, janë nën hije. Tjetra që bie në sy, nëse Rama pretendon se fitoi zgjedhjet dhe është i justifikuar si Kryeministër, çfarë justifikimi mund të gjejë për figurat kryesore të PS-së që drejtuan qarqe të rëndësishme si Klosi në Durrës, Blushi në Elbasan, Majko në Tiranë dhe Fino në Korçë?./Indeksonline/