Berisha: Qeveria e re gati para shtatë shtatorit
Aristir Lumezi
Qeveria e re do të jetë gati përpara datës 7 shtator, kur do të zhvillohet edhe mbledhja e parë e parlamentit të ri. Këtë e bëri të ditur mbrëmë Kryeministri Sali Berisha gjatë një konference për shtyp, ku theksoi se numri i ministrive nuk do të ndryshojë. Në përballjen e parë me mediat pas kongresit të jashtëzakonshëm të PS-së, Berisha akuzoi ashpër Ramën se po tenton të dëmtojë imazhin e zgjedhjeve të 28 qershorit, për interesat e tij personale.
Qeveria
“Pa diskutim para datës 7 numri i ministrive nuk do ndryshojë, sepse nuk ka arsye, të cilat rrjedhin nga qeverisja për të ndryshuar numrin e ministrive. Për shkak të koalicionit ose të koalicioneve nuk mund ta ndryshoj, ministritë do jenë po këto që janë”, u shpreh kreu i ekzekutivit. Por në daljen para publikut Berisha nuk dha detaje të formimit të kabinetit të ri, duke u shprehur se edhe ai vetë nuk i di emrat e ministrave të rinj. Në të njëjtën kohë, ai bëri të ditur se nuk do ta drejtojë seancën e parë të parlamentit, megjithëse këtë ja lejon rregullorja. “Privilegji më takon, kjo është e vërteta, por privilegjin nuk do ta shfrytëzoj sepse më pengon një parim themelor. Një nga parimet më themelore të kushtetutave demokratike, ai i ndarjes së pushteteve. Nuk dua të krijoj dhe përshtypjen më të vogël të mosrespektimit të këtij parimi themelor të demokracisë në tërësi. Pra në aparencë më takon, në thelb më pengon parimi i ndarjes së pushteteve”.
Koalicioni me LSI
Pak orë pas deklaratës së kreut të LSI-së, Ilir Meta, sipas të cilit koalicioni me PD mund të shkojë përtej 2013, kryeministri Berisha u tregua akoma më shumë optimist se aleati i tij i ri. Sipas kreut të maxhorancës ky koalicion mund të garantojë fitore edhe në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021. “Së pari në këtë kontekst unë mund t`u garantoj ju se shqiptarët më 28 qershor themeluan një nga koalicionet më të suksesshme dhe më eficente që ata kanë njohur në tërë historinë e vendit. Zoti Meta sot bëri fjalë për 2013 unë mund t`u garantoj edhe për 2021”, theksoi Berisha. “Ky është një koalicion i cili ka të gjithë prerogativat, maturimin, ekspertizën, vullnetin e hekurt për t`i dhënë vendit qeverisjen më të mirë, më eficente për të shtyrë përpara projektin, ëndrrën e integrimit evropian të shqiptarëve. Problemet, në çdo parti ka diskutime dhe unë nuk ndërhyj në diskutimet e brendshme të asnjë force politike. Është jashtë kulturës sime politike kjo”, theksoi më tej kreu i qeverisë.
Akuzat e Ramës
Berisha akuzoi ashpër kundërshtarin e tij politik, Edi Rama për dëmtim të imazhit të zgjedhjeve me qëllim pengimin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve. Duke iu referuar vendimit të afër të Komisionit Evropian për heqjen e regjimit të vizave me vendet e Ballkanit, kryeministri bëri një paralelizëm me situatën e tre viteve më parë, kur opozita vendosi të bllokojë punimet e kuvendit pak kohë para ratifikimit të MSA-së. “Ajo që dua t’u them sot shqiptarëve është kjo: Edi Rama ka një qëllim të vetëm, të pengojë me sa të mundet lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë. Ai e di që muajt afërt që vijnë janë muajt e këtij vendimi. Ai nuk e ka problemin tek zgjedhjet. Ai po e përdor këtë për interes tmerrësisht të ngushtë personal, sepse zgjedhjet e 28 qershorit ishin zgjedhjet e para në historinë e këtij vendi, në të cilat sistemin zgjedhor e vendosi opozita dhe jo qeveria, ishin zgjedhjet e para në historinë e këtij vendi, në të cilën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u zgjodh me konsensus të plotë”, u shpreh Berisha. Por duke theksuar se nuk do të ndërhyjë në punët e brendshme të asnjë prej forcave politike, kreu i koalicionit të djathtë kritikoi censurën që shoqëroi kongresin e PS-së. “Unë mbeta i lënduar shumë aspak nga ligjërata e tij, sepse ajo nuk kishte të bënte as me mua, as dhe me një qytetar shqiptar, por kishte të bënte me ato kongresmenë që do të votonin. Thellësisht i lënduar mbeta nga censura që ai i rezervoi kundërshtarëve të tij. Mirëpo Partia Socialiste, si një parti, e cila në background-in e saj ka Partinë e Punës së Shqipërisë, ishte shkëputur nga censura dhe u rikthye sërish”, vijoi më tej Berisha.