E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Gati për një marrëveshje solide me PD, përtej vitit 2013

 

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, tha dje se përpjekjet e kësaj force politike janë serioze për një bashkëpunim solid në qeverisje edhe përtej 2013. Gjatë një konference për shtyp në selinë e kësaj partie, Meta tha se ky bashkëpunim do garantojë stabilitetin politik dhe ekonomik në vend. “Jemi në prag të konkludimit të një marrëveshjeje, tepër parimore, përfaqësuese, dhe solide, për 4 vitet që vijnë me PD-në, si forca e parë fituese e zgjedhjeve të 28 Qershorit, e cila natyrisht synon që të garantojë jo vetëm stabilitetin institucional të vendit, por njëkohësisht dhe ndërtimin e një qeverisjeje, e cila do të përballojë sfidat me të cilat ndeshen të gjithë qytetarët shqiptarë dhe natyrisht sfidat që ka vendi, të cilat kanë të bëjnë me vetë ecurinë e integrimit Evropian”, u shpreh Meta. Sipas tij, ky koalicion pritet të jetë më jetëgjatë për vetë klimën bashkëpunuese që garanton. “Kur flas për një qeverisje të qëndrueshme, kam parasysh një qeverisje dhe një koalicion që funksionon në radhë të parë në bazë të një programi të përbashkët politik dhe qeverisës dhe së dyti, kam parasysh që kjo mazhorancë do të konfirmohet shumë herë dhe më e fuqishme sesa rezultati i zgjedhjeve problematike të 28 Qershorit, si rezultat i vetë kodit problematik dhe diskriminues që për fat të keq u ideua dhe u ndërtua nga vetë Kryetari në detyrë të PS-së z.Rama. Njëkohësisht që ky funksionim dhe ky afirmim i këtij koalicioni nuk do të jetë çudi të përsëritet me shumë sukses dhe në 2013”, u shpreh Meta.
Rama
I pyetur rreth deklaratave të Edi Ramës për të bashkëpunuar me disa anëtarë të LSI-së, që tashmë janë vetëpërjashtuar nga kjo forcë politike, Meta tha se deklarata të tilla tregojnë për ç’ekuilibër të zotit Rama. “Fakti që z. Rama ka shpallur një LSI, nuk më çudit sepse ky mentalitet i tij bizantin, ka qenë në themel të fatkeqësisë që e ka kapluar, që çon në ato shpërthime që nuk mund të komentohen nga asnjë politikan përfshirë dhe mua, por për të cilat duhet të pyesni ndonjë psikiatër”, tha Meta.
Kreu i LSI-së u shpreh dje se vendimi i LSI-së për të hyrë në qeverisje me Partinë Demokratike është marrë në unanimitet të plotë nga forumet më të larta të kësaj partie, ndryshe nga ç’komentojnë individë të ndryshëm. “Unë me shpalljen e LSI që bën zoti Rama jam mësuar, se ka shpallur LSI-në e atij Sanxhakut në Lushnjë, ka shpallur dhe disa LSI të tjera nëpër Shqipëri. Mirëpo ato nuk e ndihmuan as që të arrinte ato qëllimet e tij, dhe nuk e ndihmojnë dot, sepse diversioni nuk është diçka e re në Shqipëri, në politikën shqiptare nuk jep efekte afatgjata, dhe aq më tepër diversantët. Kush e ndjen që është pjesë e LSI-së, vjen te LSI kërkon dhe mbledhjen e forumeve të LSI-së, por ju thashë që diversioni nuk është një politikë që unë ja vlen të merrem. Është një politikë e vjetër, që nga koha e Partisë së Punës, biles edhe më e vjetër se aq”, tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›