Rama: Raport i kushtëzuar me Kuvendin
BLEDAR HOTI
Kreu i PS-së, Edi Rama përforcon idenë e bojkotit të Parlamentit nga ana e kësaj force politike, në një afat të pacaktuar kohor. Kur kanë mbetur edhe shtatë ditë nga nisja e punimeve të institucionit të ri, Rama në konferencën e djeshme për shtyp bëri të ditur se PS-ja nuk do të bëhet pjesë e një pseudo parlamenti. “Kongresi ka qenë absolutisht i qartë dhe absolutisht i vendosur në konsideratën e legjitimitetit thellësisht të cunguar të çdo produkti institucional dhe politik të rezultatit të këtyre zgjedhjeve, duke shprehur bindjen se zgjedhjet e parakohshme janë një objektiv i imponuar për t’i dhënë sovranitet të pakontestueshëm politik, parlamentit, dhe mandat politikisht legjitim qeverisë së vendit. Duke shprehur këtë, kongresi e ka përcaktuar shumë qartë parlamentin e Shqipërisë si një institucion me legjitimitet thellësisht të cunguar, çka do të thotë se ky parlament nuk mund të jetë teatri i një farse demokratike”, tha Rama. Kreu i PS-së bëri të ditur se socialistët do të kenë një marrëdhënie të kushtëzuar me institucionin e ri të dalë nga 28 qershorit 2009. “Me këtë parlament PS duhet dhe do të ketë raporte të kushtëzuara nga fillimi deri në fund. Askush nuk mund ta kthejë PS në një zgjatim të dekorit pseudo demokratik të këtij parlamenti. Thënë kjo, është fare e qartë edhe autoriteti që Kongresi i ka lënë grupit parlamentar dhe forumeve të PS, për të ushtruar sovranitetin e vet”, deklaroi Rama. Tre ditë më parë Kongresi i jashtëzakonshëm i PS-së mori një vendim për të mos marrë pjesë në Kuvend, duke ia lënë këtë vendim forumeve, si kryesia apo grupi parlamentar. Por në të njëjtën kohë nuk kishte një rezolutë të shkruar, ndryshe nga ajo çfarë kishte vendosur Asambleja e PS-së.
Transparenca e zgjedhjeve
Kreu i PS-së ka sulmuar kryeministrin Berisha për deformimin e rezultatit të 28 qershorit. Lidhur me këtë kryesocialistit theksoi se “Sali Berisha duhet ta kuptojë se nuk i shpëton dot transparencës së plotë lidhur me këtë çështje, duke e inkuadruar në çështje të procedurës administrative, apo aq më pak duke e lënë si një çështje që mund të merren nivele të tjera përveç tij”. “Sepse është ai vetë që e ka orkestruar gjithë këtë maskaradë dhe janë autoritetet më të larta të pushtetit të tij, që e kanë organizuar hapjen e burgjeve me autorizime tërësisht të paligjshme për të përdorur autoritetin mafioz të një lukunie trafikantësh, vrasësish, përdhunuesish, dhe me radhë të gjitha zullumet dhe tmerret, për të cilat janë dënuar me vite të tëra burgimi. Kjo është një çështje që nuk mund të tolerohet dhe është një çështje për të cilën PS do të kërkojë transparencë të plotë”, tha Rama. Ndërsa ka theksuar se ““qeveritarët kanë autorizuar hapjen e burgjeve me autorizime tërësisht të paligjshme, për të përdorur autoritetin mafioz të një lukunie kriminelësh, vrasësish, trafikantësh, përdhunuesish dhe me radhë të të gjitha zullumeve e tmerreve, për të cilat janë dënuar me vite të tëra burgimi. Kjo është një çështje që nuk mund të tolerohet dhe është një çështje për të cilën PS do të kërkojë transparencë të plotë”.
Kryesocialisti, duke pretenduar se ka fakte shtoi se “ne kemi emra, kemi mbiemra njerëzish që janë qytetarë të kësaj Republike, që gëzojnë njësoj të njëjtat liri të drejta kushtetuese si Sali Berisha, Ilir Meta, njësoj si Fatos Nano”. “Për të gjitha këto dhe shumë e shumë të tjera, ne do të luftojmë dhe do të rezistojmë, sepse kemi detyrimin e madh, patriotik në radhë të parë, t’i japim zë një Shqipërie që lëngon në një krizë ekonomike që shkon duke u thelluar, në një krizë të shtetit të së drejtës, që shkon duke u shpërbërë dhe një krize të demokracisë që shkon duke u kufizuar”, tha Rama.